Kryhen 75% e punimeve të restaurimit të TKOB

“75% e punimeve janë kryer. Teatri i Operas dhe Baletit i rikonstruktuar do të mirëpresë publikun në Janarin e 2020-s”.

Kamera e Televizionit Klan është e para që hyn në mjediset e rindërtuara e disa prej tyre edhe të rikonceptuara të Teatrit të vetëm Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ndalesën e parë e kryejmë në hapësirën më të rëndësishme, në sallën e shfaqjeve.

Ndërhyrja në të është e plotë. Nga e kaluara nuk gjen asnjë gjurmë.

Është menduar edhe për personat me aftësi të ndryshe. Dy rreshta me ulëse janë ideuar vetëm për ata.

Mjedisi që dikur shërbente për prova apo aktivitete që lidheshin me institucionin, do të shfrytëzohet nga publiku. Atij nuk do t’i duhet t’i marrë me vete në sallë pallto e xhaketa. Kjo do të jetë gardëroba.

Më në fund dhe përsëri në funksion të rehatisë së publikut janë rindërtuar tualetet, deri dje thuajse të papërdorshme për shkak të papastërtisë, vjetërsisë dhe pamjaftueshmërisë në numër.

Shtëpisë së rikonstruktuar të Operas dhe Baletit, i janë shtuar 1 mijë metra katrorë, nga e cila 500 ishte një hapësirë e pashfrytëzuar për art. Shembulli është kjo sallë.

Zhvendosemi në mjediset për artistët. Çdo dhomë ku ata zhvillojnë artin e tyre i përgjigjet kërkesave në ndriçim, akustikë dhe sistemin e ajrimit.

Për ta është menduar edhe një vend ngrënie, që në historinë disa vjeçare të institucionit ishte një mjedis i munguar.

Përveç fasadës, e paprekur e që evokon të kaluarën është dyshemeja me mozaikët e mermertë shumëngjyrësh.

Ndryshimit të brendshëm do t’i përgjigjet edhe ai i jashtëm, e konkretisht në pjesën e pasme të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, një hapësirë në shërbim të artit.

Tv Klan

 

https://tvklan.al/nje-teater-i-ri-ne-godinen-e-vjeter/