Krijimtaria muzikore e kompozitorit Tonin Harapi erdhi për publikun nga artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Koncerti në “arTurbina” riktheu pas 20 vitesh dhe veprën “Requiem”. E interpretuar në qershor të 1999 kjo vepër muzikore u soll këtë herë përmes koncertit të artistëve të TOB, ku u luajtën dhe pjesë të tjera muzikore nga kompozitori Tonin Harapi. Përfaqësues i një etape me rëndësi në muzikën shqiptare në gjysmën e dytë e shekullit të 20, kontributi i Tonin Harapit konsistoi në krijimin e bazës profesionale dhe fizionomisë së kësaj muzike. Në sallën te “arTurbina”, solistët e Teatrit të Operës dhe Baletit Ramona Tullumani, Ivana Hoxha, Denis Skura dhe Bledar Domi, së bashku me korin e TOB nën dirigjimin e Dritan Lumshit dhe në piano Etrita Ibrahimi, përcollën për publikun artdashës të kryeqyteti mes pjesëve muzikore të Tonin Harapit edhe një vepër shpirtërore dhe unike në historinë e krijimtarisë muzikore shqiptare. Kori i TOB është një nga sektorët e rëndësishëm të teatrit dhe i vetmi i këtij lloji.  Ai shquhet për përkushtim në realizimin e programeve artistike, skenike e koncertore ku merr pjesë. Repertori i korit të Teatrit të Operës dhe Baletit është i pasur dhe i larmishëm si me vepra skenike dhe ato koncertore, shqiptare dhe botërore. Këtë herë kori erdhi në skenë edhe me një vepër tepër të rëndësishme siç është “Requiem” kompozuar nga Tonin Harapi, ku dirigjoi Dritan Lumshi dhe në piano Etrita Ibrahimi. Dirigjenti i korit Dritan Lumshi shprehet se “Requiem” është një vepër unikale. “Me këtë krijim ai përpiqet të rigjejë lidhjet e tij shpirtërore me të shkuarën, në një lloj prehjeje dhe njëkohësisht reflektimi për elementin shpirtëror e fetar. “Requiem” i Tonin Harapit është jo vetëm vepër unikale e kompozitorit,  por një vepër unikale e kësaj gjinie në tërësinë e repertorit të muzikës shqiptare dhe padyshim është një nga veprat vokale me më peshë të autorit”, shprehet dirigjenti i korit Dritan Lumshi.

“Requiem”  edhe si homazh

Vepra muzikore “Requiem”, që u luajt në qershor të 1999 pas 20 vitesh erdhi në skenë nga artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Por dirigjenti i korit Dritan Lumshi shprehet se vepra ndahet në 24 pjesë, por ajo u interpretua pas vdekjes së autorit. “Kompozitori nuk ka arritur ta dëgjojë të realizuar, sepse vepra është interpretuar vetëm pas vdekjes se tij. Vepra është interpretuar në 3 qershor të vitit 1999 nga TOB dhe erdhi pas 20 vjetësh. Vepra vjen si një homazh i të gjithë vuajtjes intelektuale  të sistemit monist, pasqyrë e së cilës ishte edhe vetë familja e tij. Si mjeshtër i vokalit,  ai vjen me një gjuhe muzikore të thjeshtë, ku spikat melodika, me tema të qarta dhe lehtësisht të këndueshme”, vijon dirigjenti i korit Dritan Lumshi. Koncerti te “arTurbina” u konsiderua si mbrëmje me Toninin, ku u hap me dy pjesë pianistike vals dhe romancë të kompozitorit për të vazhduar me “Requiemin”. Koncerti u prit me mjaft interes nga auditori Tiranës, që nga pedagogët e Universitetit së Arteve deri tek artdashës të pranishëm. Tonin Harapi lindi në vitin 1926 dhe u nda nga jeta në vitin 1992.  Fëmijërinë dhe vitet e para të rinisë i kaloi në një mjedis traditash muzikorë, siç ishte qyteti i Shkodrës me muzikantë të tillë si Palokë Kurti, Frano Ndoja, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Zef Shestani, Prenk Jakova etj. Këta të fundit ishin edhe mësuesit e tij të muzikës dhe drejtuesit e formacioneve orkestrale ku ushtrohej si instrumentist kompozitori i ardhshëm gjatë kohës që studionte në Seminarin Papnor të jezuitëve në Shkodër. Por, meqenëse pas Luftës së Dytë Botërore klerit iu ndalua veprimtaria shkollore e artistike, Tonin Harapit iu desh të ushtrohej në pianon e tij si autodidakt deri në vitin 1947 kur rifilloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë me pedagogë të tjerë të njohur të asaj kohe, si Lola Gjoka, Tonin Guraziu, Kostantin Trako etj. Si autodidakt do të vazhdojë të studiojë e të shkroi edhe në Shkodër e Gjirokastër (gjatë shërbimit ushtarak) derisa të lejohet më në fund të shkonte për studime të larta në Konservatorin (Çajkovski) të Moskës (1959) ku mundi të qëndronte vetëm për dy vjet.

Nga Julia Vrapi

https://sot.com.al/kultura/requiem-e-tonin-harapit-pas-20-vitesh-ne-skenen-e-arturbina