Si rrallëherë 10 instrumentistë të Teatrit të Operës dhe Baletit në kuadër të muajit të muzikës, performuan në autobus-urbanin e linjës së Kombinat Kinostudios. Pasagjerët vlerësojnë iniciativën
Në mëngjesin e kësaj të premteje 10 instrumentistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e nisën punën ndryshe. Në stacionin e ish-Uzinës, tek 21-Dhjetori, në një autobus-urban të linjës Kombinat Kinostudio artistët në kuadër të muajit të muzikës luajtën dhe kënduan këngë edhe pjesë muzikore qytetare të mbarë trevave shqiptare për udhëtarët e rastit, të cilët fillimisht mungonin.
Më pas u bashkua në këtë udhëtim të programuar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti në stacionin pranë poliklinikës nr. 9 tek 21-Dhjetori.
“Menduam që edhe në kuadër edhe të njohjes së këtij muaji të muzikës, që jo të gjithë e njohin si të tillë qershorin, menduam që t’ua prezantojmë edhe qytetarëve të Tiranës. Është një mundësi e mirë, që të niset mëngjesi me muzikë, edhe pse jo me muzikën tonë shqiptare. Shpresojmë që të jetë një nisëm që të vazhdojmë edhe me artistë të tjerë. Pasagjerët fillimisht nguronin, duke menduar se ishte xhirimi i ndonjë videoklipi, por më pas na përgëzuan për këtë nisëm. Artistët besoj se e mirëpresin çdo lloj hapësire ku mund të performojnë ata vet”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Pasagjerët e vlerësuan këtë zgjedhje, me dëshirën që në të ardhmen organizime të tilla të jenë edhe më të shpeshta.
“Shumë ditë e veçantë, ditë e mirë, të lehtëson. Janë këngë që mungojnë, duhet të jenë më të shpeshta”.
“Jemi shumë të kënaqur. Gjëra të tilla të bëhen sa më shpesh, ja vlen se njerëzit janë të shqetësuar, janë të lodhur. Është gjëja më e mirë, ishallah e arrini që ta organizoni më mirë, se do t’i lehtësoni edhe njerëzit”.
“Artistët t’i kemi me jetë, se ata na mbajnë gjallë, na japin humor dhe i kemi për zemër, çdo ditë edhe çdo natë”.
Ndërsa, drejtuesi i orkestrës teksa shprehet se vendi i artistit është skena, shton se organizimi është shumë i bukur, sepse rëndësi ka që të luhet muzikë.
“Eksperiencë e bukur duket, jemi mbledhur e gjithë orkestra e Ansamblit edhe do të performojmë pak ndryshe, hera e parë që e provojmë me publik. Edhe pse këndojmë kur udhëtojmë kur jemi për qejfin tonë. Mbase mund të quhet muaji i muzikës, por për ne të 12 muajit e vitit i kemi vetëm muzikë. Për ne nuk ndryshon asgjë, vetëm për njerëzit që janë të rastësisht, që ndihet pak ndryshe. Për ne sigurisht që ka rëndësi se ku performojmë, mirë do të ishte se ne jemi artistë edhe do të ishte skena e padiskutueshme, por nuk është keq, kudo që të dali. Ne kemi gjatë gjithë kohës turne, brenda edhe jashtë vendit”, Violinisti Alban Tahiri, drejtues i orkestrës .
Në fund të udhëtimit, para se urbani të ndalej në ish- Kinostudio punonjësit e ministrisë së kulturës së bashku me muzikantët surprizuan ministren e kulturës, duke i uruar: Gëzuar Datëlindjen.