Nga muzika në urbanët e qytetit, te një piano nën re. Qershori është muaji i muzikës dhe çdo ditë, aktivitete muzikore zhvillohen në gjithë vendin.

Koncerte, festivale, performanca në hapësira publike… Projekte të organizuara nga Ministria e Kulturës, institucione varësie, projekte me thirrje apo organizime me mbështetje ambasadash.. Synimi është që muzika të shkojë kudo dhe te çdo grupmoshë, ndaj edhe aktivitetet janë nga më të ndryshmet, muzikë për fëmijë, klasike, popullore, interpretuar nga instrumentistë shqiptarë e të huaj.

 

URBANI I MUZIKËS         

Një nga ngjarjet e pazakonta që kanë ndodhur këto ditë e që nuk ka kaluar pa u vënë re dhe pa komentuar, ka qenë “Urbani i muzikës”. Ditën e premte, dhjetë instrumentistë të Ansamblit Popullor luajtën muzikë për pasagjerët e urbanit të linjës Kombinat-Kinostudio. Ky koncert i veçantë u organizua me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për të sjellë një mëngjes ndryshe, në kuadër të Muajit të Muzikës. Në një nga stacionet iu bashkua pasagjerëve edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shijoi si çdo qytetar që mori atë linjë muzikën e zgjedhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

“E ndërmarrim këtë nismë në kuadrin e Muajit të Muzikës, për të promovuar këtë muaj, që jo shumë njerëz e dinë se i kushtohet muzikës, por edhe për t’u dhuruar një ditë ndryshe njerëzve që marrin autobusin për të shkuar në destinacionet e tyre”, tha Margariti, teksa shton se kjo eksperiencë e parë do të përsëritet me të tjera linja e muzikantë e ndryshëm. Pati nga ata që e ironizuan këtë ide të Ministrisë së Kulturës, duke i kujtuar ministres Margariti kushtet e autobusëve urbanë, shpeshherë pa kondicionim, të pistë dhe të tejmbushur. Dhe për këto të fundit nuk kanë faj, por për pasagjerët e kësaj linje, ajo ishte një ngjarje shumë e veçantë. Kushdo qe hipi në atë linjë gjatë atij koncerti në lëvizje, u shpreh se do të donte që të tilla aktivitete të zhvillohen më shpesh. “Ishte një eksperiencë e parë, që do të përsëritet domosdo”, tha ministrja Margariti.

Në një tjetër ditë, në të tjera linja dhe me të tjerë instrumentistë, do të ofrohet sërish muzikë për pasagjerët.

 

“LUAJ ME MUA”

Muzikë shqiptare dhe e huaj, shoqëruar nga kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, u interpretua rreth një pianoje, së cilës iu bashkëngjit edhe një instalacion në formë reje, me një ndriçim të brendshëm, që krijonte një atmosferë shumë të bukur. Nuk ishte fort e zakontë që një piano koncertesh të zbriste në shesh, duke ngjallur kureshtje te kalimtarët. Pianoja u vendos në hapësirën mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Hotel “Tiranës”, ku krahas pianistit profesionist Thanas Paskali dhe korit femëror të TKOB, nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, u afruan edhe të rinj e të reja që performuan në instrument, fëmijë që sapo kanë nisur të mësojnë notat e para. Ndërsa publiku i rastësishëm iu bashkua zërave të artistëve në këngët “Luleborë”, “Dua më shumë Shqipërinë”, “Po t’jemi bashkë ne të dy” etj. “Tepër moderne për Shqipërinë”, thotë një emigrant, i cili jeton prej 30 vitesh në Austri, që iu afrua pianos duke dëgjuar së largu tingujt e saj.

Kalendari

“Mbrëmje gala”
18 Qershor ora 19:00, ArTurbina, Salla 400
Nxënësit e shkollës së baletit do të performojnë pjesë
të ndryshme të repertorit klasik botëror dhe të folkut
shqiptar.
“Klithmat e heshtjes”
19-20 Qershor ora 19:00, ArTurbina, Salla 400
Studio Dance Melodi do të sjellë një performancë
baleti kontemporan me koreografi nga Suada dhe Evis
Heta.
Kastriot Tusha dhe Egnatia Ensemble në turne
20 qershor ora 20:30, ReaSkampis (Kalaja) Elbasan
Cikël koncertesh nga këngëtari Kastriot Tusha, i shoqëruar nga formacioni Egnatia Ensemble dhe drejtuar
nga violinisti i njohur Zeqir Sulkuqi.
Kastriot Tusha dhe Egnatia Ensemble në turne
21 qershor Korçë, Pazari i Vjetër, ora 21:00
Koncert recital i këngëtarit popullor Aranit Hoxha
dhe Ansambli Popullor
21 Qershor, Muzeu Kombëtar
Festivali Folklorik “Përmeti Multikulturor 2019- Edicioni i 17-të.
21-23 qershor, ora 19:00, sheshi kryesor i qytetit të
Përmetit
Veprimtari kulturore artistike që përfshin folklorin
e pakicave kombëtare, të cilat bashkëjetojnë në vendin
tonë në kuadër të 21 qershorit të Festës Botërore të Muzikës.
Tinguj Kinemaje
22 qershor, Pedonalja e Korçës.
Koncert muzikor me pjesë nga muzika më e bukur e
filmave shqiptarë dhe ato botërorë në kuadër të “Ditës
së Muzikës”
Koncert Simfonik “Bota e Hënës”
23 Qershor, ora 19:00, ArTurbina
Koncert simfoniko-vokal “Bota e hënës”, e kompozitorit botëror W. Amadeus Mozart, drejtuar nga dirigjenti
Riçardo Caselli.
Lirika në Divanin Lunxhiot
26 qershor, ora 18:00, sheshi kryesor i Njësisë Administrative Lunxhëri
Festival i folkut dhe traditës së këngës dhe valles
lunxhiote.

http://www.panorama.com.al/muaji-i-muzikes-nga-instrumentistet-ne-autobus-te-pianoja-ne-shesh/