Baleti romantik “La Sylphide” vjen për publikun katër mbrëmje me radhë në skenë te “arTurbina”. Teatri i Operës dhe Baletit bën me dije se katër kaste artistësh interpretojnë në netët e shfaqjes së baletit “La Sylphide”. Të gjithë së bashku, trupa e baletit dhe artistët e rinj, talentet e së ardhmes të Shkollës së Baletit do të jenë në skenë për këtë vepër. “La Sylphide” është vepra që ka bërë historinë e baleteve romantike dhe do të kjtë në skenë në mbrëmjet e datave 30, 31 maj dhe 1 e 2 qershor. “Baleti “La Sylphide”, me muzikë të Herman Severin Lovenskiold dhe me koreografinë e August Bournonville, ka revolucionuar historinë e baletit. Trupa e baletit në drejtimin e Enada Hoxhës do të jetë në skenë me këtë vepër, ku për herë të parë ky balet bëri që balerinat të kërcejnë mbi puante në kërkim të një bukurie dhe një elegance natyrale, që i përshtatet në mënyrë perfekte personazhit të zanës Sylphide. Solistja e njohur Ledia Sulaj që ka spikatur me talentin e saj në shfaqje të ndryshme tregon se me këtë vepër ruan një emocion të veçantë. Më herët me këtë vepër ajo ka qenë dhe në skenën italiane. “E reja e kësaj rradhe është bashkëpunimi me nxënësit e Shkollës së Baletit. Dhe ajo çka më lidh mua me Silfidën është se e kam kërcyer edhe në Itali dhe në rresht të parë me divën e baletit botëror Carla Fracci, dhe ruaj një emocion të veçantë”, tregon solistja Ledia Sulaj. Baleti rrëfen historinë e dashurisë së James, djaloshit fermer që dashurohet me bukurinë e zanës Sylphide, por jo në realitet, vetëm në ëndërr. Ai i ikën realitetin për një botë ëndrrash, e cila për të është tragjike. Në katër netët e shfaqjes së baletit “La Sylphide”, personazhi i Sylphide do të interpretohet nga solistja Ledia Sulaj, Adela Muçollari dhe Odeta Dishnica. Në katër netët e shfaqjes roli i James do të interpretohet nga Fatjon Lito Anxhelo Mucollari, Kevin Lila dhe Dion Gjinika. “La Sylphide” është një histori dashurie e pamundur, e pakapshme, por e ëmbël dhe e magjishme. Zhduket në ajër sa herë që djaloshi i dashuruar mundohet ti afrohet asaj, dashurisë Syplhide.
“La Sylphide”, në skenë për herë të parë më 1832
“La Sylphide” është një nga baletet e para romantike. Për herë të parë u performua në Paris, në vitin 1832. Koreografia origjinale u krijuar fillimisht nga Philippe Taglioni, por për publikun është më i njohur varianti koreografik i August Bournonville. Ky variant u shfaq për herë të parë në Kopenhagen në vitin 1836 dhe u bë themeli i baleteve tradicional romantike. Akti i parë në këtë shfaqje e çon publikun në një shtëpi tipike skoceze, ku pritet të zhvillohet një festë martese dhe në aktin e dytë, në një pyll të mjegulluar ku edhe finalizohet ngjarja. Një zanë e ajrit Silfida magjeps personazhin kryesor në fillim të veprës dhe ai nuk mundet t’i rezistojë tërheqjes, duke braktisur të fejuarën, Effin, në ditën e dasmës. Nga dëshira për ta bërë të tijën zanën e bukur, ai i beson magjistares Magde dhe pranon prej saj shallin magjik që do ktheje Silfidën në një qenie njerëzore. Herman Severin Lovenskiold, muzikën për baletin “La Sylphide” e ka kompozuar në moshën 21 vjeçare dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm. Në Danimarkë, “La Sylphide” pati shumë sukses dhe qëndroi gjatë në repertor. Në 1838 ai doli në një turne nëpër Europë nën kujdesin e Mbretërisë dhe pasi vizitoi edhe Saint Peterburgun ai kthehet përfundimisht në Kopenhagen. Ai ka kompozuar një sërë veprash baleti dhe pjesë të tjera teatrale me shumë sukses si dhe muzikë dhome për piano, por asnjëra nga këto nuk e arriti suksesin e “La Sylphide”. Megjithatë një nga veprat e fundit të tij uvertura koncertale “Fra Skovenvecd Fureso” kompozuar në 1863, vërtetoi edhe njëherë talentin e tij në muzikë.
https://sot.com.al/kultura/la-sylphide-qe-beri-historine-e-baleteve-romantike-4-mbremje-te-arturbina