La Sylphide, magjia e ndërthurur me dashurinë në sallonin e një shtëpie skoceze, çel siparin këtë të enjte, në ArtTurbina.

Gjithçka do të shohim është magjia dhe eleganca e fluturimit të zanës së ajrit, në La Sylphide.

Bukuroshja që përpiqet të tërheqë gjithmonë vëmendjen e James, interpretohet nga tre solistet Ledia Sulaj, Adela Mucollari dhe Odeta Dishnica.

“Do të thoja që është një rol mjaft delikat. Është për një balerinë klasike që ka disa specifika të veçanta. Ndryshe nga rolet e tjera, ka një elegancë shumë të madhe, ka një bukuri shumë të madhe, sigurisht dhe nga ana teknike është një balet vërtet për t’u admiruar”, u shpreh Odeta Dishnica.

Këto vajza e kanë filluar baletit pothuajse që në moshën 4 vjeçare dhe përtej skenës, për to fshihet një jetë me sakrificave dhe ushtrime të vazhdueshme për të qenë në formë dhe për të shitur të bukurën.

“Pa diskutim që La Sylphide për mua do të jetë një kulm i baletit, pasi unë më këtë balet jam cilësuar dhe balerina e vitit në 2016. Dhe të rikthehem sërish me baletin La Sylphide është një emocion i jashtëzakonshëm”, tha Adela Mucollari.

“Do veçoja edhe momentin kur e kam kërcyer para së madhes, divës botërore, Carla Fracci, e cila ka qenë në rresht të parë dhe ka qenë një emocione shumë të veçanta për mua. Gjithmonë e kujtoj atë moment dhe më jep një forcë dhe energji të madhe ta kërcej sa më bukur, sa herë që mundem”, tha solistja Ledia Sulaj.

Ky produksion i TKOB ngjit në skenë 30 nxënës të shkollës së baletit, të cilët nisin rrugëtimin e karrierës së tyre profesionale jashtë bankave të shkollës. Baleti me dy akte sjell si baletmaestër Enada Hoxhën dhe vjen i kuruar me kostumet e Elva Bellës.

http://top-channel.tv/2019/05/28/baleti-la-sylphide-shfaqja-me-30-balerinet-e-rinj-te-shkolles-se-tiranes/