Nga janari deri në muajin mars të këtij viti 18950 persona kanë ndjekur shfaqjet e TOB. Institucioni ka publikuar të dhënat nga INSTAT, ku publiku që ka ndjekur shfaqjet është më i lartë se një vit më parë për të njëjtën periudhë. “Sipas të dhënave të INSTAT rritjen më të lartë në përqindje për numrin e vizitorëve, në tremujorin e parë 2019 e ka pasur Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me 54,6 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 12,256 persona kanë ndjekur shfaqjet e TKOB në Janar – Mars 2018; 18,950 persona kanë ndjekur shfaqjet e TKOB në Janar – Mars 2019”, shkruan TOB. Opera “Il Trovatore” e Verdit ishte produksioni më i fundit që solli në skenë TOB. Për katër mbrëmje me radhë vepra e Verdit u shfaq për publikun në skenën e Pallatit të Kongreseve. TOB shprehej se këtë sezon sillte për publikun një produksion të niveleve ndërkombëtare, krejtësisht të ri në koncept regjisorial, trajtimin muzikor dhe interpretim artistik. Regjia e veprës iu besua italianit Mariano Bauduin dhe dirigjent Sebastiano Rolli.  Libreti është shkruar nga Salvadore Cammarano dhe Leone Emanuele Bardare.

Kjo opera u vu në skenë për herë të parë në TOB, në mars të vitit 1965. Operat “Rigoletto”,“La Traviata” dhe “Il Trovatore” vijojnë të jenë pjesë e repertorit të TOB. Opera “Il Trovatore” është opera më e shfaqur në botë e kompozitorit Giuseppe Verdi. Një histori rivaliteti familjar, hierarkie dhe hakmarrje. Një vepër me një muzikë të jashtëzakonshme të kontrasteve të forta ritmike, që shkaktojnë “turbulenca” të forta emocionale, shkruante më herët TOB. Opera “Il Trovatore” sjell historinë e dy vëllezërve, të cilët ranë viktimë e fatit. Manrico dhe Conti di Luna, të ndarë në vegjëlinë e tyre, janë të destinuar të ndjekin rrjedhën e jetës, pa asnjë mundësi shpëtimi. Ata jetojnë në mes hakmarrjes, luftës për pushtet dhe dashurisë për të njëjtën femër. Një nga kryeveprat e Verdit, për libretin e të cilës ai kompozoi koralet dhe ariet më të fuqishme. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës.

https://sot.com.al/kultura/janar-mars-2019-rreth-20-mije-persona-kane-ndjekur-shfaqjet-e-tob