Vjen opera madhështore “Il Trovatore“ e Giuseppe Verdit! Nga data 8, 9, 10, 11 Maj ne oren 19 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Me regji, dirigjent e skenografë të ftuar, nga toka e Verdit të madh, Italia, por me staf ndërkombëtar këngëtarësh operistikë; Shqiptarë, italianë, serbë, ukrainas dhe gjeorgjianë. Një premierë e TKOB-së, kjo që vjen në Javën e Europës, e mbështetur nga Ambasada Italiane dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Evenimenti do të ketë të pranishme si të ftuar, edhe shefen e KE-së, Federica Mogherinin, e cila do të flasë edhe para shfaqjes. Zana Çela u shpreh pë mikrofonin e RTSH duke thënë:   “Aty ku politika krijon kufij, muzika e madhe është ajo që i bashkon këto kufij. Verdi bashkoi Italinë Europën, por edhe botën me muzikën e tij. Të themi si milanezët një herë e një kohë; Rroftë Verdi! Por edhe Rroftë Europa! Për javën e Europës nuk mund të gjenim diçka më të mirë se sa kjo vepër. Diplomacia kulturore është thelbi i marrëdhënieve të BE-së, si edhe gjithë botës. Shqipëria është pjesë e Europës, e familjes europiane dhe ka vlerat e saj historike, gjeografike por edhe kulturore. është e rëndësishme që të punojmë së bashku që të rinjtë shqiptarë të ndiejnë se i përkasin kësaj familjeje, e do rikthehen sërish brenda familjes europiane.”

Regjisori italian i shfaqjes, u shpreh: “Kam parapëlqyer të ndërtoj një shfaqje abstrakte. Jam mbështetur te një traditë e kërcimeve makabre të vdekjes, që rrëfen një qarkullim jete në zgrip të fatit. Te “Il Trovatore” e Verdit është shumë e pranishme tradita antike e fatit të parashikuar.” Për të mbështetur këtë ide, skenografia e Dario Gesatit, përbëhet nga një fushë e madhe shahu, si dhe një kullë shahu, ku përsonazhet vërtiten në një lojë, në një fat të parashikuar.”

Një opera thellësisht italiane, vepër e shenjtë, emblematike e kulturës italiane, që vjen nga një shkollë që kulmin e romanticizmit e ka në këtë partiturë. Verdi është autori që ka krijuar një ndërgjegjen kulturore në Itali dhe jo vetëm. “Ai është autori që ka krijuar italianin.”- siç thote edhe Gesati.

E për të gjithë ata që adhurojnë operan, Giuseppe Verdin, “Il Trovatoren”, do ta kenë mundësinë e artë e të rrallë, të përsëritshme për tri ditë rresht.

Për ta mbyllur, Zonja Zana Çela, thotë me bindje të plotë se, “Shfaqja, është pa frikë, shfaqja më e mirë e TKOB-së, gjatë këtyre dy viteve të fundit.”

https://www.rtsh.al/lajme/vjen-opera-il-trovatore-e-verdit-ne-pallatin-e-kongreseve-mes-te-pranishmeve-edhe-mogherini/