Opera e emocioneve te forta “Il Trovatore” e Verdit vjen premierë mbrëmjen e së mërkurës në Pallatin e Kongreseve me regji të italianit Mariano Bauduin. Ky produksion i TKOB bën bashkë artistët e njohur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

Zana Çela, drejtorja e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit thotë se “Il Trovatore” është prodhimi më i madh operistik në dy vitet e fundit. Sipas saj, të madh e bën skenografia për nga përmasat dhe shfrytëzimi, kostumet që ruajnë origjinalitetin e kohës dhe harta e ekipit realizues, shqiptarë, italianë, serbë, armenë dhe ukrainas.

Katër aktet janë historia e dy vëllezërve, viktima të fatit, të ndarë në vegjëli, të dënuar të ndjekin rrjedhën e jetës, pa asnjë mundësi shpëtimi, të jetojnë në mes hakmarrjes, luftës për pushtet dhe dashurisë për të njëjtën grua me një rëndesë emocionale dhe vokale që prezanton çdo krijim verdian.Katër mbrëmje nga 8 Maji, në Pallatin e Kongreseve, dy italianët, regjisori Bauduin dhe dirigjenti Sebastiano Rolli, sjellin ngjarjen e fillim shekullit të XIX në një Spanjë me të prekshme për publikun.

Kam preferuar të ndërtojë një spektakël abstrakt edhe pse ky abstragim ndjek logjikisht rrëfimin, ngjarjen e një opere që ekstremist e rafinuar në aspektin dramatik dhe muzikor. Dhe për këtë i jam referuar disa traditave në disa rajone të Italisë, një lloj vallëzimi me vdekjen që rrëfen rrjedhën e jetës dhe fatit”, tha regjisori Bauduin gjatë një konference për shtypin.

Amasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca i pranishëm në konferencën për shtyp tha se arti shuan kufijtë.

http://www.gazetadita.al/il-trovatore-prodhimi-me-i-madh-gjate-2-viteve-ne-opera/