“Il trovatore”, opera e pasioneve vrastare do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve nga data 8 deri më 11 maj. Kjo premierë vjen si një bashkëpunim me Ambasadën italiane në Shqipëri dhe Delegacionin e Bashkimit Europian,pikërisht në javën e Evropës.

“Il Trovatore”, një nga dramat më të fuqishme të operistikës botërore, ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve më 8, 9, 10 dhe 11 maj.

Premiera më e madhe e sezonit operistik janar-qershor 2019 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është një bashkëpunim me Ambasadën italiane në Shqipëri dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.

Drejtoresha e TKOB, Zana Çela, tha se pikërisht edhe në ditën e Europës, është thirrur arti.

Gjatë prezantimit të veprës operistike, ishte i pranishëm dhe Alberto Cutillo, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, i cili tha se arti i bashkon njerëzit përtej politikës.

Cutillo: Aty ku politika ndërton kufij muzika e madhe bashkon. Verdi bashkoi Italinë, Europën dhe botën me melodinë e tij e do të thoja si milanezët e një kohë “Rroftë Verdi!”, por kësaj here them “Rroftë Europa!”

Ndërsa, ambasadori i BE-së,  Luigi Soreca, tha se kultura është kthyer në thelbin e punës së vendeve të BE.

“Diplomacia kulturore është kthyer në një vepër shumë të rëndësishme madje shumë të rëndësishme dhe me veprimet qe po ndërmer BE është kthyer në thelbin e punës që bejmë ne në marrëdhënie me shtetet e ndryshme në gjithë botën”.

“Il trovatore” është një produksion ndërkombëtar, i cili bën bashkë artistë të huaj dhe shqiptarë.

Krahas solistëve shqiptarë si Eva Golemi, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Armando Likaj etj., do të interpretojnë edhe artistët e huaj Gocha Abudlaze, për të cilin nuk është hera e parë që ngjitet në skenën shqiptare, Dario di Vietra, Denys Pivnitskyi e Nenad Jukovljevic.

Gjithçka do të zhvillohet si në një fushë shahu bardhë e zi, si jeta dhe vdekja, si dashuria dhe hakmarrja.

“Il Trovatore” është një opera e Giuseppe Verdi- t e shfaqur për herë të parë në 19 janar 1853 në teatrin “Apollo” të Romës.

http://www.oranews.tv/article/il-trovatore-premiera-e-sezonit-operistik-vjen-4-dite-ne-tirane