Opera“La Boheme” vjen si një produksion i ri i Teatrit të Operës dhe Baletit. Vepra e Puçinit për katër mbrëmje me rradhë do të jetë në skenën e Pallatit të Kongreseve. TOB bën me dije se “ La Boheme” vjen me një koncept regjisorial, i cili i adaptohet historisë. Ky produksion i ri do të jetë si një rrëfimi kinematografik, ku ngjarjet do të jenë të zhytura në jetën e artistëve impresionistë, në një përzierje të mrekullueshme dashurie dhe dëshpërimi, reale dhe ideale. “Mos e humbisni këtë super produksion krejtësisht të ri me një kast shqiptar dhe ndërkombëtar”, shkruan TOB për shfaqjen që do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 16, 17, 18 dhe 19 mars në Pallatin e Kongreseve. Orkestra e TOB do të dirigjohet në katër netët e shfaqjes së operës “La Boheme” nga dirigjenti italian me famë ndërkombëtare Lorenzo Tazzieri. Në skenë solistë shqiptarë do të jenë Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj dhe të tjerë artistë. Në Pallatin e Kongreseve kjo shfaqje bën bashkë 5 trupa artistike dhe mbi 200 artistë pjesëmarrës. TOB shkruan se janë dhe 20 fëmijë të dalë nga koret e shkollave të Tiranës, projekti i teatrit në kuadër të “Edukimit përmes artit”, që do të interpretojnë në katër netët e shfaqjes së operës “La Boheme”. Me veprën sipas teatrit kemi dhe këndvështrimin romantik bohemian të Puçinit në qytetin e Parisit, me muzikë të mrekullueshme dhe një histori dashurie e marrë nga jeta e përditshme, ka tërhequr shikuesit në mbarë botën, duke e bërë “La Boheme” një nga veprat më të dashura të të gjitha operave. “Puçini e himnizon dashurinë, e cila nuk vdes edhe me ikjen e njeriun në botën e përtejme. Dashuria është lumturi që nuk mbaron, sepse dashuria lind me shpirtin dhe jo me materien. Dashuria jeton përgjithmonë. “La Boheme”, jeta e katër artistëve të cilët identifikohen në veprimet e jetës së përditshme, ku dashuria është vetëm një ndërhyrje e shkurtër deri në momentin kur ngjarja tragjike bie mbi ta, duke i shenjuar përgjithmonë. Këto dhe shumë të tjera në operën “La Boheme””, shkruan TOB.
Një dirigjent i huaj në “La Boheme”
Lorenzo Tazzieri do të dirigjojë në katër net orkestrën, por në jetën artistike ka jo pak vlerësime. I lindur në Genova në vitin 1985, maestro Lorenzo Tazzieri është një nga eksponentët më të akredituar të brezit të ri italian të drejtorëve të orkestrës. Është drejtuesi kryesor i fondacionit Tokyo Metropolitan Opera, drejtor artistik i festivalit për të rinj të muzikës ndërkombëtare të Genovës dhe të Festivalit të Operës Aman, festivali i parë operistik i zbuluar në botën arabe. Së fundmi muzikanti mori titullin Ambasador i Botës së Genovas nga Kryetari i Bashkisë dhe Presidenti i Senatit të Republikës Italiane. Pasi inauguroi me “La Traviata” festivalin e parë operistik të botës arabe (Amman Opera Festival) me prezencë të familjes mbretërore të Jordanisë, në korrikun e ardhshëm do të dirigjojë “Il Barbiere di Siviglia në amfiteatrin roman të Amman. Janë gjithashtu gala lirike të dedikuara Puçinit në Hollin e koncertit në Shangai, “La Traviata” e Operës Shtetërore të Banska Bystrica, “Rigoletto” në Hollin Deluxe të koncertit Chengdu, “ Otello” në arenën Romane të Plovdiv, “Madama Butterfly”, etj. Lorenzo Tazzieri i nisi studimet muzikore që në moshën 6 vjeçare, duke ndjekur të njëjtën përgatitje në Konservatorin Niccolo Paganini, ku studioi violinë e parë, më pas nën mbikëqyrjen e profesor Carlascio, pianoforte. Studimet e drejtimit të orkestrës u ndoqën nën vëzhgimin e maestrove Donato Renzetti e Gilberto Serembe dhe Maestros Roberto Tolomelli ku bëhet asistent i bashkëpunimeve me titujt e shumtë Nabucco, Aida, Norma, Bellisario, Cinderella, Raymonda, Don Carlos, Madama Butterfly, La Cenerentola.