Teatri “Migjeni” në Shkodër, këtë vit celebron 70 vjetorin e krijimit të tij. Siparin e aktiviteteve, teatri e çel me një grand gala, “Të gjithë e duan Krajkën”.
I madhi Agim Krajka ka vetëm mirënjohje për çdo nderim që po i bëhet atij. Shkodrën, Krajka e personifikon si histori në vete.
Mbrëmjen e së dielës, pritet që në skenën e teatrit “Migjeni” të ngjiten emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare, për të risjellë perlat që Agim Krajka ka krijuar ndër vite. Po ashtu, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, nën dirigjimin e Edmond Doko. Agim Krajka i kushtoi çdo ditë të karrierës së tij folklorit, duke e eksploruar në çdo cep të Shqipërisë, për ta pasur si muzën më të shtrenjtë. Mjeshtri Agim Krajka ka shkruar shumë këngë të muzikës së lehtë të cilat i kanë mbijetuar viteve dhe vazhdojnë të këndohen nga të gjitha grupmoshat e ndryshme edhe sot. Mjafton nje lemzë për të kujtuar një ndër krijimet më të bukura të Mjeshtrit Krajka, këngën “Lemza” të interpretuar nga e madhja Vaçe Zela në festivalin e parë RTSH në vitin 1961. Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse ai kompozoi për të gjithë. Agim Krajka është kompozitori i rinisë dhe dashurisë.