“Dhoma 12” mbërtheu për tri net rresht vëmendjen e publikut tek “ArTurbina”. Kjo shfaqje riktheu koreografët Manjola Hasani dhe Esdalin Gorani pas 10 vitesh si autorë në teatër. Subjekti gjen frymëzim në historinë e gjeniut të muzikës italiane, Ezio Bossi, që pas invaliditetit gjeti forcën t’i mësojë botës përmes muzikës, se si të ringrihen pas një disfate
Filozofi anglez John Henry Newman thoshte se, në jetë duhet të ketë gjithmonë një rilindje, duhet të ketë një fillim… Dhe fillimi do të ketë gjithmonë karakter lokal dhe personal. “Duhet të ketë një qendër, para se të krijojë një rreth”. Qendra ndonjëherë mund të jetë një dhimbje ndoshta e kapërcyer, ose ndoshta e “zbutur”, si ajo që shënjoi jetën e gjeniut të muzikës, italianit Ezio Bosso, historia frymëzuese e të cilit u vendos në skenën e ArTurbinës gjatë kësaj fundjave. Bëhet fjalë për “Dhoma e 12-të”, një vepër skenike e realizuar me koreografinë e Manjola Hasanit dhe Esdalin Goranit, që mban të njëjtin titull që pianisti, kompozitori dhe dirigjenti zgjodhi për një nga albumet e tij më të njohur, ndoshta më të rëndësishmin, afro tre vite më parë. Një shfaqje dramatike, ku lëvizjet, aktrimi, skenografia, tingujt muzikorë të bëjnë të përjetosh ndjesi si, dhimbjen, kujtesën, tundimin, humbjen e besimit përgjatë 12 dhomave. Një koncept artistik, të cilin ai e zgjodhi për 12 pjesët e albumit të tij, që bazuar në një teori antike i konsideronte si 12-të dhomat e jetës. Mes tyre është edhe ajo që mbart “historinë e errësirës” që muzikanti do ta përjetonte 8 vite më parë, kur një sindromë autoimmune (Skleroza Amiotrofike Laterale) do të kufizonte aftësitë e tij fizike, duke rrezikuar ta ndante nga ajo çka ishte më e shtrenjtë për të, muzika . Një histori rrëngjethëse, e risjellë përmes gjuhës së trupit nga çifti Hasani dhe Gorani, duke bërë që në 12 dhomat e jetës të përfshihen problematika nga më të rëndat që prekin sot edhe shoqërinë shqiptare, si dhuna në familje apo bullizmi ndaj fëmijëve, pasi motivet që i shtyjnë individët në izolimin e mureve të ftohta janë të ndryshëm. “Dhoma 12-të” një balet kontemporan që duket se ka gjetur “rrëfimtarin” e duhur. Balerini Eltion Merja solli në skenë magjinë e historisë së njeriut që jeton, rrëzohet, dëshpërohet, prek fundin e mandej gjen forcën për të mposhtur frikën e rrëzuar muret.
60 minutat në skenë të Eltion Merjes
Ndërsa, autorët e baletit “Dhoma 12-të” fillimisht e kishin konceptuar veprën me një solist, duke e konsoliduar më tej edhe me balerinë të tjerë në skenë, ajo për të cilën nuk kanë pasur dyshime është përzgjedhja e protagonistit. “Kam gjetur tek Eltioni të gjithë mbështetjen e duhur dhe ne në një farë mënyre e kemi pasur si pikë referimi, ‘muzë’ edhe për të ndërtuar personazhin”, është shprehur Esdalini. E konsiderojnë si një nga më të mirët balerin të atit kontemporan në Shqipëri, dhe rrëfejnë se Merja e ka kristalizuar personazhin, duke iu përshtatur atij më së miri. Eltion Merja si protagonist i “Dhomës 12-të” solli përmes gjuhës së trupit përjetimin e disa prej fenomeneve më esenciale të jetës. Balerini për 60 minuta në skenë përballoi ndryshimin e gjendjes shpirtërore të personazhit, duke reflektuar tek publiku momentet shpresëdhënëse si dhe ato më dramatike. Prej çasteve më kulminante do të ishte edhe rrëzimi i tij në tokë, mundi për të kapërcyer muret, kalimi në “dhoma e 12-të”, që ndërsa fillimisht mund të perceptohet fundi, në fakt është fillimi i një sfide për një jetë të re. Gjestikulacionet e balerinit, shprehia i qari, dhe ajo ulërimë (balerini vendos duart në kokë) që për një çast ringjall pikturën e famshme Edvard Munch, e bëjnë publikun të përjetojë me të çdo emocion, si dhe të perceptojë mesazhin e veprës. Për balerinin kjo është vepra e dytë ku përveçse vjen si protagonist qëndron gjatë gjithë shfaqjes në skenë, pas “Impakt & Table”. I gjendur mes baletit kontemporan edhe atij klasik, siç ai vet tregon ajo çka e ndihmon të arrij nivelin e duhur në çdo shfaqje është edhe eksperienca në Shqipëri, por edhe me kompani të huaja, si ajo e “Evolucion dance theatre”. Megjithatë sipas balerinit primare është këmbëngulja e çdo individi për të arritur pikësynimet e veta. Performanca e Merjas në “Dhoma e 12-të”e çiftit Hasani-Gorani që kapërcen kornizën e baletit, duke e ndërthurur më së miri me aktrimin e një skenografi që krijon një show pozitiv, ngacmoi ndjeshmërinë e publikut duke i përçuar mesazhin për të mos u dorëzuar. Në skenë ishin 27 balerinë, ndër të cilët 15 personazhe kryesorë, që janë edhe solistët e veprës.
Skenografia “hollywood-iane” e Renold Sulës
Janë 12 dhoma dhe një derë. Sa herë që ajo hapet nënkupton kalimin nga njëra dhomë në tjetrën, duke nisur nga dhoma e parë, ajo e lindjes së njeriut. Dhoma e veshur në të kuqe, ashtu si edhe balerina që performon në të (Isida Mollaymeri) personifikon tundimin. Loja skenike gjatë kalimit të protagonistit në këtë dhomë (dhe solistëve që e shoqërojnë), por edhe më tej shoqërohet me disa imazhe që e bëjnë atmosferën edhe më intriguese. Në dhomën e krijimit jo rastësisht është zgjedhur, si “banor” një pianist, i cili qëndron i ulur pranë pianos duke luajtur, derisa përjeton edhe çaste të forta dramatike (Fletë ku ai bën kompozime hidhen në tokë nga vetë ai duke u shpërndarë në skenë). Më tej si pjesë të skenografisë të përgatitur nga Renold Sula për t’iu përshtatur konceptit të koreografëve pasojnë të tjera, si një dhomë bosh, dhoma me një pamje etj. Pjesë e performancës bëhen gjithashtu edhe “muret” e dhomës, tek të cilat protagonisti herë përplaset, herë duket se ulet në heshtje gati i dorëzuar dhe i bërë njësh me to, e mandej gjen forcën për t’i kapërcyer, rrëzuar duke kaluar në dhomën e radhës. Mes dhomave të krijuara, Ola dhe Esdalini i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë edhe bullizmit tek fëmijët. Një fenomen tepër shqetësues ditët e sotme, siç edhe balerina rrëfen, ku prej ngarkesës së prindërve, ritmit të punës fëmijët përballen me situate të pakëndshme, duke u mbyllur në vetvete. Tek “Dhoma12-të” trajtohet po ashtu dhuna në familje, si dhe humbja e besimit në vetvete apo në Zot.
Në teatër pas 10 vitesh mungesë
“Dhoma 12” një shfaqje moderne e trajtuar në stil kontemporan, që ka në qendër njeriun me dramat e përjetimet e tij, riktheu në skenën e teatrit një nga dyshet më të talentuara të baletit në vendit tonë pas një mungese 10-vjeçare. Për Manjolën dhe Esdalinin kjo është vepra e tyre e dytë që vihet para publikut të teatri, e që i sjell ata më të pjekur profesionalisht. Një rikthim ndoshta i vonuar por siç ata shprehen “më mirë vonë se kurrë”. Çifti i koreografëve mban mbi supe një eksperiencë 15-vjeçare krijimtarie, ku puna në televizion i ka ndihmuar të fitojnë eksperiencë. “Të gjejmë identitetin tonë si krijues, gjuhën tonë. Ka qenë si një laborator i madh për ne, që na ka dhënë mundësinë të rritemi”. “Dhoma 12” është shfaqja e parë e trupës së baletit të TKOB, për këtë sezon artistik, që do të pasohet edhe nga dy vepra të tjera skenike premierë, përpos 87 shfaqjeve rivënie. “Kjo shfaqje nuk është vetëm një koreografi lëvizjesh, por shtrihet në skenë edhe me dekorin e imazhet e bukura. Një koncept kontemporan, ku ajo që autorët kanë dashur të shprehin në lëvizje është jetësuar edhe në skenografinë e Renoldit, në imazhet e videoartistit, në kostumografin e Ardi Asllanit”, u shpreh drejtuesja e TKOB-së, Zana Çela. Esdalini dhe Manjola vlerësuan edhe bashkëpunimin me trupën e TKOB-së, ku theksuan se mes tyre ka elemente shumë të mirë. “Ka shumë talente, por duhet shumë punë, pasi vetëm talenti nuk mjafton” u shpreh Hasani. “Dhoma 12-të”, një vepër skenike që u mirëprit nga publiku për tre net rresht. Koreografia, muzika moderne, “teatri” në balet e bënë këtë shfaqje ndjellëse për publikun e ri, por edhe për grupmoshat e tjera. Një shfaqje që falë ritmit, dinamikës në muzikë, lëvizje dhe koncept regjisorial mbajti vëmendjen e publikut të mbërthyer në skenë. Ashtu si edhe artistët rrëfejnë “Dhoma 12” është një vepër që mund të ketë jetëgjatësi, të rivihet në skenë, pse jo edhe për një audiencë më të gjerë…
“Historia që na frymëzoi”
Inspirimin për “Dhoma 12-të” çifti i koreografëve, Manjola dhe Esdalini e kanë gjetur në historinë e një muzikantit italian Ezio Bosso. Ai nisi të luajë në piano në moshën 4-vjeçare, kur ende nuk e njihte alfabetin. Pas kësaj duket se muzika do të merrte për dorë jetën e tij. Kur ishte vetëm 16-vjeç do të luante si solist në Francë e mandej do të interpretonte me orkestrat më të rëndësishme të Evropës, duke e bërë publikun për vete me talentin e tij të rrallë. Por në vitin 2011 pas në ndërhyrje kirurgjikale në tru, muzikanti mbetet invalid duke rrezikuar jo vetëm të mos luaj, por as të kompozoj. Ishte historia e tij personale, që bazuar në një teori antike mbi ndarjen e jetës në 12 dhoma e frymëzoi për të krijuar në 2015-ën, albumin “Dhoma e 12-të”. “Thuhet se jeta është e përbërë nga 12 dhoma, në të cilat ne do të lëmë diçka prej vetes që të na kujtojnë. 12 dhomat që do t’i kujtojmë kur të mbërrijmë tek e fundit. Askush nuk do ta kujtojë dhomën e parë ku ka qenë, përveçse kur të mbërrijë në të fundit. Dhomë do të thotë të ndalesh, por edhe të ringrihesh. Më është dashur të udhëtoj në dhoma imagjinare, prej nevojës. Sepse në jetën time kam pasur momente në të cilat kam hyrë në një dhomë për të cilën nuk kam shumë simpati. Është një dhomë në të cilën jam gjendur i bllokuar për periudha të gjata, një dhomë që bëhet e errët, shumë e vogël, gati e pamundur për të ecur në të. Në momentet që unë gjendem në atë dhomë, më duket sikur nuk do të dalë kurrë prej saj. Por ajo edhe më ka dhuruar diçka, më ka bërë kureshtar, më ka kujtuar se pse jam me fat. Më ka bërë të luajë me të. Po, sepse dhoma është edhe poezi”, është shprehur muzikanti Italian.
Zana Çela: Krijuesit tanë krahasohen me autorët ndërkombëtarë
Edhe pse Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor e ka nisur kalendarin artistik që në muajin janar, prezantimi i tij u bë në kuadër të konferencës për shfaqjen “Dhoma 12”. “Gjatë këtij sezoni TKOB do t’i prezantojë publikut të kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë gjithsej 87 shfaqje, të cilat do të jenë premierë, rivënie, shfaqje të ndryshme në hapësira “open air”, si dhe nëpër shkolla të Tiranës dhe vendeve të tjera”, u shpreh drejtorja Zana Çela. Sipas saj, numri 18 shënjon një rritje afro 19%, pra 16 shfaqje më shumë se sezonin e kaluar. Ajo bëri gjithashtu me dije se këtë vit do të vinë me një vepër skenike më shumë. E para e tre veprave skenike për këtë sezon ishte “Dhoma 12”, e cila do të pasohet nga premiera e “La boheme” e më pas nga “Il trovatore”. “Pra janë tre vepra të mëdha, të cilat do të bëhen shtyllat kryesore të kalendarit tonë. Do të vijojnë shfaqjet rivënie dhe bashkëpunimet siç i kemi pasur, si ai me shkollën e baletit për të risjellë në skenë baletin “La sylfit””. Çela nënvizoi si një moment shumë të rëndësishëm të kalendarit edhe “Edukimin përmes artit”. Një program i nisur tanimë në shkolla të ndryshme të kryeqytetit përmes trajnimeve dhe workshop-eve, të cilat janë planifikuar të prezantohen edhe në skenë. “ ‘Edukimit përmes artit’ do ti kushtojmë edhe një vepër të titulluar “Petja dhe ujku”. Vepër që do të interpretohet nga orkestra, ndoshta edhe nga aktorë në bashkëpunim me nxënësit e shkollave”. Duke theksuar se artistët e TKOB janë në nivele të krahasueshme me ata ndërkombëtarë, Çela u ndal edhe tek shkëmbimet me jashtë. “Përpos workshop-eve do të ftojmë artistë të shquar ndërkombëtarë, të cilët mund të trajnojnë trupat tanë përgjatë këtij 6 mujori”. Edhe pse TKOB është në rikonstruksion, sipas drejtueses së këtij institucioni, ritmi i punës është shtuar. “Shpresojmë të shtohet edhe audienca, siç ka ndodhur që nga viti 2015-të”. Çela foli gjithashtu rreth hapësirës që i është dhënë prurjes së veprave të reja, jo vetëm për artistët e TKOB-së, por për të gjithë krijuesit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. “Edhe pse më shumë prioritet i kemi dhënë krijuesve shqiptarë, jo vetëm se i kemi mes nesh, por për vlerat që ato mbartin, plotësisht të krahasueshme me vlerat e autorëve ndërkombëtarë”.