Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell këtë mbrëmje premierën e trupës së baletit “Dhoma 12” te “arTurbina”. Sipas TOB nga një premierë në tjetrën, nga një shfaqje në tjetrën është ky ritmi që do të ndjekë këtë sezon artistik, i cili kulmon që në fillimin e tij me premierën absolute të baletit “Dhoma 12”. “Me koreografinë e Manjola Hasanit dhe Esdalin Goranit, “Dhoma 12” është një vepër kontemporane, e cila të mban frymën pezull”, vijon TOB. Teatri bën me dije se këtë herë premiera e parë e madhe e këtij sezoni është realizuar nga dy koreografët Manjola Hasani dhe Esdalin Gorani, për të mbështetur akoma dhe më shume krijuesit shqiptarë, të cilët kanë realizuar një vepër të zhanrit kontemporan. ““Dhoma 12” nuk është asgjë më shumë se një pasqyrë në të cilën të gjithë ne shohim veten, por ndryshe nga rutina e përditshme në të cilën shihemi dhe largohemi, këtë herë do të ndalemi mirë dhe përballë vetes do të reflektojmë”, thuhet për shfaqjen që mbrëmjen e sotme vjen në skenë për të vijuar dhe më 9 dhe 10 shkurt te “arTurbina”. Një vepër komplekse skenike, ku në rol kryesor është Eltion Merja për të vijuar me solistët Ledia Sulaj, Anxhelo Muçollari, Adela Muçollari, Fatjon Lito, Elda Logo, Luixhina Hala, Loreta Bala, Klevi Carkanji, Ledio Agalliu, Odeta Dishnica, Isida Mollaymeri, Amela Prifti. Kjo vepër është e zhanrit kontemporan dhe është një krijim origjinal i dy koreografëve. Një vepër me elementë të vështirë koreografik dhe me një intensistet të lartë lëvizjesh. Një balet ku baza është lëvizja, por që ndërthurja me elementët e jashtëm skenik, ndriçimin dhe elementet teknologjikë përbëjnë të gjithën. Një formë e veçantë e të ndërtuarit të një vepre, e cila e zhvesh artistin nga rëndësia e kostumeve dhe ai paraqitet ashtu siç është, për të folur vetëm me gjuhën e trupit, veshur vetëm me emocionin e personazhit. Kjo vepër është një premierë absolute e TKOB, e realizuar me kostumografi të Ardi Asllanit dhe skenografi të Renold Sulës.
Vepra në skenë
Inspiruar nga albumi i pianistit italian Ezio Bosso, e gjithë shfaqja është e ndërtuar në 15 personazhe kryesorë, të cilët janë dhe solistët e veprës. Në qendër qëndron individi rreth të cilit rrotullohet gjithçka, jeta, historitë, hyrjet dhe daljet në dhomat e jetës dhe ndalesa, ose harresa. Çdo dhomë ka ndjesinë, tempin dhe përmbajtjen e saj. Në 12 dhoma luhen 12 ngjarje, emocione, ndjesi, kujtesa, dëshira apo disfata. Në 12 dhoma jetohet për të lënë gjurmë kujtese, nesër nuk e dimë nëse do të na i atribuojnë kur mos të jemi më. Një teori antike na rrëfen se “Jeta është e përbërë nga 12 dhoma. Janë këto të 12-ta ku do të lemë diçka nga vetja, të cilat do të mbahen mend nga të tjerët. 12-të janë dhomat që do të na bëjnë të kujtohemi, pasi të kalojmë të fundit! Asnjë nuk e mban mend dhomën e parë sepse kur lindim nuk shohim dot, por shohim shumë mirë kur shkojmë në dhomën e fundit, në dhomën e 12-të” e kështu i rikthehemi të gjithave dhe fillojmë nga e para. “Dhoma do të thotë të ndalosh, por edhe të presësh. Është një element i rëndësishëm, të cilës nuk i japim vëmendje asnjëherë. E themi dhe kaq. I kemi krijuar, i kemi ndërtuar kur kemi gjetur një vend ku të qëndrojmë, madje ju kemi dhënë dhe emra, numra apo kuptime poetike ndonjëherë si: dhoma e pritjes, dhoma e çajit, dhoma e ëndrrave, dhoma me një pamje apo dhoma 12. Dhomat janë të pafundme por nuk e mendojmë gjatë. Janë kaq të zakonshme në jetët tona sa i quajmë të kota, e kështu i drejtohemi duke i thirrur “Dhoma”. Dhoma ku presim, quhet dhoma e pritjes. Aty ku i mbyllim njerëzit, i quajmë qeli, sikur të mos ekzistonin më, sikur të ishin të padukshëm. Pastaj janë dhomat me një karakter si: dhoma e krijimit, dhoma e ëndrrave, dhoma e kujtimeve, dhoma e verbër, dhoma të braktisura të cilat të fusin frikën. Ka dhoma që të bëjnë të largohesh me mendime, apo që të izolojnë. Çdo dhomë ka tingullin e vetë, erën e vetë dhe dritën që influencon tek ne dhe na ndikon në memorien tonë”, thuhet në materialin mbi veprën.