Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të zhvillojë dy koncerte në Gjermani. Pas Gjakovës ku u mirëprit nga publiku, Ansambli Popullor do të jetë me dy koncerte në Gjermani duke prezantuar një program të pasur artistik, me perlat e krijimtarisë sonë folklorike. Drejtori artistik Gerti Druga shprehet se dhe në Gjermani do të jetë një tjetër udhëtim për të prezantuar vlerat më të mira folklorike shqiptare. “Ansambli Popullor nuk ka të ndalur, pas koncertit në Gjakovë, na pret një tjetër udhëtim drejt Gjermanisë së artit. Më 16 dhe 18 nëntor, respektivisht në Essen dhe Munich mbyllim turin e 60 vite histori të Ansamblit Popullor”, shprehet Druga, drejtor artistik. Për këtë tur të artistëve të Ansamblit Popullor edhe TOB shkruante se në Gjakovë artistët u mirëpritën. “Shqiptarët e çdo treve u bashkuan në këngë e valle me Ansamblin tonë Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Sepse jemi një komb, një shpirt dhe një traditë që përmblidhen të gjitha në kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, i cili nuk është thjeshtë një kalendar, por një ngjarje e madhe në kulturën mbarëshqiptare. Çfarë krenarie kur 60 vjet Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, vetëm ia kanë shtuar madhështinë thesarit më të madh që rrjedh nga rrënjët e kombit tonë, nga arti që popujt e botës na e kanë zili. Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve, krenaria jonë e përbashkët”, shkruan TOB për koncertet që po zhvillon ansambli. Koncerti gala i zhvilluar më parë me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të artistëve ndër vite, të veteranëve të Ansamblit Popullor dhe trupës së artistëve që e mbajnë gjallë këtë Ansambël, të balerinëve të trupës së baletit të TKOB ishte kulminacioni më i lartë, i cili risolli në vëmendjen e publikut edhe njëherë gjerdanin e paçmueshëm të perlave të muzikës, valles dhe trashëgimisë sonë popullore. Prej vitesh në jetën artistike artistët e Ansamblit Popullor janë mirëpritur dhe vlerësuar nga publiku. Nuk kanë munguar koncertet edhe në skena të huaja, apo dhe në festivale ku janë vlerësuar me çmime të ndryshme.
Ansambli ndër vite
Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit.