Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.Koncerti në nder të mjeshtrit të muzikës Agim Krajka ishte dhe në përmbyllje të 60-vjetorit të Ansamblit Popullor. ”Kemi një vit që celebrojmë me performanca të shumta 60-të vjetorin e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, për të përmbyllur kështu festimet me këtë koncert kushtuar një artisti të madh, që ka kompozuar e drejtuar për 30-të vjet me radhë orkestrën e AP”, bën me dije institucioni para zhvillimit të koncertit, që sonte vjen në natën e dytë për publikun te ”arTurbina”. Gjatë koncertit mjeshtri Agim Krajka u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Agim Krajka i kushtoi çdo ditë të karrierës së tij artistike, folklorit muzikor duke e eksploruar në çdo cep të Shqipërisë, për ta pasur si muzën më të shtrenjtë, më të dashur, e cila do ti jepte frymëzimet më të bukura për veprat muzikore, të cilat gjithmonë bënin tendencën e muzikës së kohës. Ai ishte i fundit që shkëputej nga folklori dhe i pari që ndiqte trendet e muzikës së kohës, prandaj të gjithë e kërkonin dhe donin të bashkëkrijonin e ndanin skenën me të. Në vitin 1963, Agim Krajka filloi studimet për teori e kompozicion, nën drejtimin “Artistit të Popullit” – Çesk Zadeja. Krijimtaria e tij është voluminoze. Mjeshtri ka kompozuar qindra këngë, valle popullore dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si: “Suite me valle popullore” për orkestër simfonike, “Uverturë rinore” për orkestër simfonike, “Romancë” për violinë e orkestër simfonike, “Fantazi” për fizarmonikë e orkestër simfonike. Krijimtaria e tij mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave, të cilat i kompozoi gjatë viteve 70-80. Kryeveprat e kinematografisë si “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati” etj, nuk do kishin vend të veçantë në historinë e kinematografisë tonë, pa kolonat zanore që shkroi për to “Mjeshtri i Madh” Agim Krajka.
Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse ai kompozoi për të gjithë. Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse krijimtaria e tij është skenë e madhe që bashkon artistë të melodisë e valles popullore, të këngës së lehtë moderne, sepse muzika e tij është kinematografike e simfonike. E duan se ai i shkroi gjyshes, e duan se Agim Krajka është kompozitori i rinisë. Agim Krajka është kompozitori i dashurisë. /a.a/j.p/