“Të gjithë e duan Agim Krajkën” bëri bashkë miqtë, familjarët edhe kolegët në ArTurbina. Në skenë u prezantuan këngët, vallet dhe muzika që kompozitori Krajka ka shkruar dhe orkestruar gjatë jetës së tij. Presidenti i vendit e dekoroi me titullin “Nderi i Kombit”.
Mbrëmja gala “Të gjithë e duan Agim Krajkën” bëri bashkë miq, dashamirës dhe kolegë të kompozitorit në ArTurbina. Gjithë jetën e tij artistike, Krajka ia dedikoi folklorit shqiptar, duke mos lënë vend pa eksploruar muzikën shqiptare.
Falë muzës që pati, folklorin, artisti orkestroi valle edhe kompozoi këngë, si “Lemza”, e kënduar fillimisht nga Vaçe Zela, edhe që në këtë koncert erdhi nën interpretimin e Kamela Islamajt, apo “Djaloshi dhe Shiu” nga Eneda Tarifa, “Kënga e Gjyshes” nga Juljana Pasha dhe “Kur këndoje ti” nga Irma Libohova. Këngë këto në të cilat vjen ëmbël shkëputja, që Krajka ka bërë asokohe nga muzika e traditës…
Publiku e dëshironte pa fund kur luante në fizarmonike dhe mezi priste të dëgjonte këngët e tij në festivalin e fundvitit. Miqtë dëshironin ta kishin afër në tryezë për tu gëzuar me alegrinë që shpërndante përreth. Ndaj të gjithë e donin dhe e duan Agim Krajkën.
Zana Çela, Drejtoresha e Teatrit Kombëtar Operas dhe Baletit
Para 54 vjetësh Agim Krajka nisi në Ansamblin Shtetëror më parë, si fizarmonicist. U evidentua për aftësitë virtuoze, që në moshën 16-vjeçare. U bë dirigjenti dhe përpunuesi më i rëndësishëm në historinë e Ansamblit Popullor…Gjatë kësaj mbrëmje në skenë u ngjitën edhe dy djemtë muzikantë te Krajkës, Uliksi dhe Fatrini., i cili solli një pjesë të re për orkestër harqesh…
“Mjeshtri i Madh” – Agim Krajka me talentin e tij ndërtoi një strukturë në formacionin e orkestrës, dhe ndërtoi modele orkestrimesh e përpunimesh të këngëve dhe valleve nga gjithë krahinat, duke ruajtur me fanatizëm karakteristikat ritmike e melodike. Pas studimeve kompozoi këngë, valle popullore dhe shumë pjesë për orkestër simfonike, por gjurmët që la gjatë viteve ‘70-’80 në kinematografi, si tek: “çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati” etj., jo vetëm që kanë shoqëruar për vite të tëra familjet shqiptare, por erdhën edhe nën interpretimin e Orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit.
Të gjithë e duan Agim Krajkën, sepse kompozoi për të gjithë, i shkroi gjyshes, rinisë, i dashurisë, por nuk e harron as sot kur i shkroi “Kafe Florës”…Gjatë koncertit Presidenti i Republikës Ilir Meta e dekoroi me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, Agim Krajka, titull të cilin ia dorëzoi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ndërsa, mbrëmja do të mbyllej nga solisti Xhieldo Hyseni bashkë me solistët e tjerë, me këngët e rinisë