Teatri i Operës dhe Baletit sjell në skenë operën “La Triavata” nga Giuseppe Verdi. Për tre mbrëmje me radhë në skenën e Pallatit të Kongreseve do të jene bashkë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Opera “La Traviata” ka rikthyer në Tiranë dhe dirigjentin e njohur Ermir Krantja, regjia e veprës Magdalena Fuchsberger dhe as.regji Ada Gurra. Opera do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 16,17 dhe 18 nëntor në Pallatin e Kongreseve. TOB bën me dije se ka pasur interes për këtë vepër në skenë. “Nxitoni miq pasi “La Traviata” në këtë rivënie sjell një skenë gjigande, me një skenografi të ripunuar duke risjellë detaje të reja. Një kast shqiptar dhe i huaj që bëhen bashkë në këtë super produksion të TOB”, shkruan teatri për këtë vepër operistike. Në role janë artistë të njohur, ku përmendim sopranon Eva Golemi, baritoni Ylber Gjini, etj. “La Traviata” është një opera e tre akteve nga Verdi e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave. Vepra e Verdit, që sjell historinë e kurtizanes me një fisnik, interpretohet nga artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, që nën regjinë e Magdalene Fuchsberger sjellin jetën pariziene me alegritë e festave dhe kontrastin e sonoriteteve sociale. Vlerësimi për veprat që mbajnë emrin e Verdit nuk mungojnë, por opera “La Traviata” hyn në operat më të bukura të tij. Një vepër liriko- dramatike e shkallës së lartë. Dirigjenti Ermir Krantja është sot një nga emrat më të vlerësuar në botën e muzikës. Me dhjetëra koncerte të dirigjuara brenda dhe jashtë vendit ai ka marrë jo pak vlerësime. Prej shumë vitesh dirigjenti Ermir Krantja jeton në Itali, dhe këto ditë nëntori ai vjen sërish në skenën shqiptare për të një kryevepër botërore. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqën qysh herët, por shkollimi që i vështirë sepse kishte origjinë nga fshati dhe mungesë të mjeteve materiale.
Historia e operës
“La Traviata” e Verdit është një opera shumë e famshme në botë, e cila është bazuar në veprën “Zonja me kamelie” e Alexander Dyma. Bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre. “La Traviata” bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre operat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë tre operat më të shfaqura në botë. Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Dashuria e tyre përçahet nga i ati i Alfredos, Giorgio Germont, i cili donte një të ardhme më të mirë për të birin. Violeta mbyt dashurinë e saj, duke sakrifikuar veten, gjë e cila e sëmur atë shpirtërisht dhe fizikisht. Dhe në këtë akt të trete ajo është në fundin e jetës së saj. Në momentin kur Violeta mendon se ka marr fund çdo gjë, Anina i jep lajmin e gëzueshëm për ardhjen e Alfredos. Takimi i tyre është pika kulmore e shfaqjes. Alfredo ndihet në faj për gjendjen që i ka shkaktuar Violetës dhe i premton asaj një jetë më të mirë. Të dy “dehen” për një çast nga imazhi i një të ardhme të bukur larg Parisit. Por kthimi në realitet është i shpejtë, për shkak të shëndetit të saj të brishtë. Në çastet e fundit të jetës së saj hyn i ati i Alfredos, zemrën e të cilit e ka pushtuar pendimi. Violeta thërret Alfredon pranë vetes, i jep amanetin e fundit për femrën që do ta zëvendësojë dhe i premton se do të lutet nga parajsa për ta./Julia VRAPI