Lakuriqi i natës” me muzikë të Johann Strauss dhe libret të Carl Haffner e Richard Genne vjen në skenën e Pallatit të Kongreseve për publikun. Sonte është mbrëmja e tretë, që shfaqja vijon në skenë dhe interpretojnë artistë të njohur. Regjia dhe koreografia e veprës është nga Renato Zella. Ndryshe nga operat e mëdha, opereta, motra e saj e vogël, është më afër realitetit, megjithëse ajo luan shumë lirshëm me disa elemente të këtij realiteti dhe rrëmben disa elemente ekstravagante për të arritur një fund të ëmbël. Dirigjent Tian Tichbanov dhe dirigjent kori është Dritan Lumshi. Kostumografia nga Enada At Nikolla dhe skenografia nga Bashkim Zahaj. “Lakuriqi i natës” cilësohet si pjesa më e bukur e shkruar nga Strauss. Sipas protagonistëve vjen muzika më e bukur e tij, libreti, dialogjet dhe valset vjeneze të mbledhura bashkë në një vepër të vetme. Pak para shfaqjes, drejtoresha e TOB Zana Çela shkruante se të tjerë artistë do të ishin nën petkat e personazheve të Strauss mbrëmë. “Jam e bindur, që kjo shfaqje kudo po të shfaqej do merrte vlerësime të njëjta. Ju vlerësoj shumë e ju nxis pa u lodhur drejt niveleve ndërkombëtare të skenave operistike. Sonte të tjerë këngëtare të rinj do veshin kostumet e personazheve të Strauss. Ejani miq të ndjejmë sëbashku emocione magjike nga më i madhi i melodisë e valseve vjeneze-Strauss”, shprehet Çela në statusin e saj. Solistja e njohur Ledia Sulaj gjithashtu vlerëson punën për këtë vepër në skenë. “Vepra ka nota të bukura humori! Është plot me energji dhe alegri, pjesa koreografike ka lëvizje të thyera neo-klasike sikurse dhe valset e bukura klasike të Shtrausit,. Koreografi dhe regjisori në të njëjtën kohë i vepër është kujdesur në çdo detaj që vepra të vijë sa më natyrshëm dhe rrjedhshëm nëpërmjet dialogjeve të aktruara, këngëve dhe baletit. Publiku ishte motivi kryesor që u vendos të rivihej kjo operetë sërish”, tregon solistja e baletit Ledia Sulaj.
Opereta e Strauss
Fakti që libreti i “Lakuriqit të natës”, i shkruar nga Haffner dhe Genee, është adaptim i një vodevili parisien, shkruar nga Meilhac dhe Halevy, na kujton që historia e operetës ka nisur në Paris me Offenbach. Gjurma e stilit parisien ndikoi në operetën vjeneze, që do t‘i rrëmbente se parës satirën therëse për të ndërthurur aty elemente të farsës vjeneze. “Lakuriqi i natës” ofron një komedi situatash dhe ngatërresash, që në të vërtetë i has edhe sot. Gra e burra kurorëshkelës, gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, politikanë pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelet e zonjave të tyre. Opereta “Lakuriqi i Natës” është historia e Eisenstein. Në festën e vitit të ri ai duhet të ishte në burg, pasi goditi një oficer policie. Atë mbrëmje pasi e gënjeu bashkëshorten, Rosalinde, shkon në ballon me maska të princit bujar Orlofsky. Ajo e di këtë dhe e ndjek duke u prezantuar në festë si një konteshë hungareze. Pas identiteteve të rreme, Eisenstein, përpiqet të joshë konteshën pa e ditur që pas maskës është bashkëshortja e tij. “Lakuriqi i natës” (Die Fledermau) debutoi në teatrin “An der Wienn”, në Vjenë, në 5 prill të vitit 1874, por nuk pati shumë sukses. Kritikët nuk e pranuan libretin dhe i cilësuan disa pjesë si banale. Por publiku dekretoi suksesin e plotë dhe të qëndrueshëm të kësaj vepre. Pas dy vitesh opereta e Strauss numëronte më shumë se 100 shfaqje vetëm në Vjenë. Sot ajo së bashku me “Vejushën e gëzuar” konsiderohet si opereta më e duartrokitur në botë.