29 DHE 30 QERSHOR 2022 – ORA 20:00

SKENA E TKOB

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në bashkëpunimit me Baletin Kombëtar të Kosovës sjell 3 balete në 2 netë.
Në datën 29 dhe 30 qershor në skenën e TKOB interpretohen nga trupa e baletit të BKK 2 koreografi të koreografit RICARDO FERNANDOS me muzikë të J. S. Bach dhe Astor Piazzolla.
Ndrësa nga trupa e baletit të TKOB vjen HUMUS një himn për ekzistencën e natyrës dhe dashurisë për tokën nga koreografi i ri Julind Dervishi.

SHËNIM NGA JULIND DERVISHI…

Në fillim ekzistonte fjala, dhe kjo fjalë ishte “Humus”, duke i dhënë formë tokës dhe natyrë, duke na përfshirë ne si qënie të saj, degët e një peme. Nën rrymën e lakmisë dhe të paditurisë, në vend që ta mbajmë gjallë këtë pemë, dalë nga dalë sollëm shkatërrimin, ndërkohë që qëllimi ynë duhet të ishte ushqimi i saj, për ta bërë të frytshme.

Këtë mesazh kam dashur të përcjell përmes krijimtarisë koreografike në një vepër ku balerinët e trupës së baletit të TKOB, e përcjellin përmes lëvizjeve të trupit. Ka një sër dimensionesh që trajtohen në këtë shfaqje, ku jo vetëm ekziston hapsira për argëtim por mbi të gjitha të ndërgjegjësohemi për ti hedhur sytë nga e ardhmja, e për të kontribuuar shëndetshëm në favor të natyrë.

SINOPSI I VEPRËS

SKENA 1

Në muzgun e një pylli 24 trupa njërësorë përfaqësojnë pushtetin, energjinë negative, shpërbërjen, shkatërrimin. Dora e tyre shkaterroi gjithcka! Lakmia i çoji drejt të paditurës, me fytyra të mbështjella nga frika, ku gjithcka që shohin është vetëm ajo çka duan dëshpërimisht, me çdo kusht, pavarësisht gjithçkaje. Të flasim për atë që askush nuk dëshiron të flas: “Parimi kryesor për mirëmbajtjen është ruajtja dhe mbrojtja.”  Krijesat heqin mbështjelljen e fytyrës dhe dallohet lehtë shkatërrimi i shkaktuar  nga veprimet e tyre, rrënjë të prera, ajër i ndotur dhe i toksikuar. Një jetë pa ngjyra, në një sfond bardhë e zi.

SKENA 2

Pasi shohin me sytë e tyre shkatërrimin, për të cilin janë shkaktarë dhe autorë, të ndarë në çifte luftojnë me veten dhe njëri-tjetrin, absolutisht të çekuilibruar mendërisht. Ata nuk arrijnë të bashkëjetojnë së bashku, në një marrëdhënie hipotetikisht harmonike, pasi konflikti i brendshëm është çorientues. Ata s’kanë çfarë pjese të shëndetshme të ofrojnë nga vetja, as vetes, as çiftit, as komunitetit, as shoqërisë, kur lufta mes “dua” dhe “duhet” është një agoni rraskapitëse, në një rreth vicioz të krijuar me ose pa vetëdije, nga vetë ata individualisht, në cift apo në grup.  Ata përballen me frikën e humbjes së kësaj bote. Për herë të parë pas një stuhije babëzije, narcisizmi malinj dhe egoizmi të sëmurë, befas ndërgjegjësohen për praninë e tjetrit përkrah dhe të kontekstit në të cilin ndodhen. Bota po ndryshon vrullshëm, ajo po zhbëhet dalëngadalë dhe dëmet e shkaktuara kanë tjetërsuar gjithçka perceptojnë shqisat. Në antagonizëm me memorien kolektive natyraliste, e tashmja ofron një tablo të zymtë, pasi ngrohja globale, shpyllëzimi, ndotja e ajrit, ujit dhe tokës nuk përbëjnë thjesht një problem tashmë, por janë shndërruar në një realitet, në të cilin njerëzit duhet të përshtaten për të shfrytëzuar gjithë mundësitë e mbetura, që të gjejnë një zgjidhje sa të menjëhershme, aq edhe evolutive, afatgjatë. Çështja është si të ripërdorin burimet e mbetura dhe ato të tjetërsuara?! Kjo është zilja e alarmit, zgjimi, vetëdijësimi! Është koha për të vepruar, për veten, tjetrin dhe gjithësinë.