KORI DHE ORKESTRA E TKOB
Dirigjent Orkestre: FACUNDO AGUDIN

Dirigjent Kori: DRITAN LUMSHI

 

Bariton: ARTUR VERA

Soprano: RENISA LAÇKA
Mezzo-soparno: VIKENA KAMENICA

Tenor: FRANCESCO NAPOLEONI

Zë i bardh: AJSLI SHYTI
Koncertmaestër
: HERTA CANE, THANAS PASKAL

Ngjarja historike

Elia ishte nga Tishbeu i Gileadit. Rrëfimi në Bibël te 1 Mbretërve tregon sesi ai shfaqet papritur gjatë mbretërimit të Ahabit për të shpallur një thatësirë ​​në ndëshkim të kultit të Baalit që Jezebela po nxiste në Izrael në dëm të Jahvehut. Më vonë Elia takon 450 profetë të Baalit në një garë fuqie në malin Karmel për të përcaktuar se cili është Perëndia i vërtetë i Izraelit. Flijimet vendosen në një altar për Baalin dhe një për Perëndinë. Thirrjet në ekstazë të profetëve paganë drejtuar Baalit për të ndezur drutë në altarin e tij janë të pasuksesshme, por lutjet e Elias drejtuar Perëndisë marrin përgjigje nga një zjarr në altarin e tij.

Ky përfundim merret si vendimtar nga izraelitët, të cilët nën drejtimin e Elias vrasin priftërinjtë dhe profetët e Baalit. Thatësira pastaj përfundon me rënien e shiut.

Elia arratiset prej zemërimit të Jezebelës hakmarrëse duke bërë një pelegrinazh në malin Horeb (Sinai). Fillimisht është i dëshpëruar nga shtrëngesat e shumta, por më pas përtërihet mrekullisht.

Në një rrëfim që pason, mbreti Ahab ka dënuar me vdekje një burrë të quajtur Nabot, për t’i vjedhur vreshtin. Naboti vritet me vendim gjyqi dhe kështu Ahabi i përvetëson vreshtin. Këto padrejtësi bëjnë që Elia të shfaqet edhe si ruajtës i ligjit moral, ndërsa ishte afirmuar tashmë si mbrojtës i flaktë i monoteizmit. Elia e kallëzon Ahabin për krimet e tij, duke shpallur se të gjithë njerëzit janë nën ligjin e Perëndisë dhe prandaj janë të barabartë. Më vonë, i biri i Ahabit, mbreti Ahazjah, i bën thirrje Baalit që ta shërojë nga një plagë, por Elia mbron sërish të drejtat ekskluzive të Jahvehut duke zbritur «zjarr nga qielli».

Pasi i pason mantelin pasuesit të tij, Eliseut, profeti Elia ngrihet në qiell në një vorbull ere.

Oratorio “Elias”, një nga veprat më të shquara të kompozitorit Felix Mendelssohn, do të vijë në Teatrin e Operës dhe Baletit, për të sjellë rrëfenjën e një figure kaq të rëndësishme biblike, rreth përpjekjeve për të rikthyer besimin në Perëndinë e Izraelit, në përballje me 450 profetët e rremë.

Muzika dramatike dhe emocionale, me korale të fuqishme dhe melodi të pasura do të vijë nga Orkestra Simfonike, Kori dhe Solistët e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Facundo Agudin dhe Dritan Lumshit. Kjo vepër madhështore do të interpretohet edhe nga 30 orkestrantë te rinj, falë bashkëpunimit me Konservatorin “Umberto Giordano”, Foggia dhe “Giuseppe Martucci”, Salerno.

E veçanta e kësaj mbrëmjeje do të jetë dhe zëri i bardhë i 10-vjeçares Aislin Shyti, e cila do të ngjitet për herë të parë në skenën madhështore të TKOB-së, për një debutim hyjnor.