Nga i njejti zjarr dashurie, i njëjti fat dhe e njejta famë!

Bazuar në historinë e sopranos ikonike të shekullit të XX, Maria Callas, dhe biliarderit ambicioz  Aristotle Onassis, fati i 2 personazheve të mëdhenj do të rrëfehet në muzikalin “Callas e Onassis”, të kompozitorit Christos Papageorgiou.

Paralelizimi i ngritjes dhe rënies së jetës së tyre sociale, sukseseve personale dhe sakrificave të pashlyeshme,  humbjeve tragjike dhe plagëve të pashërueshme deri në metamorfozën përfundimtare. Takimi fatal i 2 yjeve të ndritshëm do të vijë në një ribashkim muzikor pasionant,  po aq të paharrueshëm sa edhe vetë protagonistët, mu në skenën e  Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më 8 dhe 9 tetor, ora 20:00.

Në nderim të 100-vjetorit të lindjes së sopranos Maria Callas, ky muzikal do të vijë në bashkëpunim me Operën e Varnës, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së, nën  dirigjimin e maestros Stratsimir Pavlov dhe Dritan Lumshit, regjinë e Petko Bonev dhe koreografinë e Anna Pampulova, mbështetur nga Ambasada Greke në Tiranë dhe Abi Bank.

Me pjesëmarrjen e:

Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së

Regjisor: PETKO BONEV

Dirigjent: STRATSIMIR PVLOV

Dirigjent kori: DRITAN LUMSHI

Koreograf: ANNA PAMPULOVA

Kostumografi: ASYA STOIMENOVA

Video artist: LORA RUNEVSKA

 

AKTI 1

Maria Kalogeropoulou, 12-vjeçarja e talentuar e cila ndjek kurse kantoje, ndodhet në audicion për një vend punë si këngëtare, shoqëruar nga nëna e saj e rreptë dhe vigjilente. Dhjetë vjet më vonë, në moshën 22-vjeçare, ajo merr pjesë në audicionet e “Metropolitan Opera”. Edhe pse dështon, Maria sërish nuk e humb motivimin. Debutimi i saj në Itali po vëzhgohet nga senior Battista Meneghini, që më vonë bëhet bashkëshorti i saj. Më pas, ajo vlerësohet nga Arturo Toscanini, për një rol në La Scala, Milano, ku  frymëzohet nga përvojat e saja traumatike të luftës. Maria është në rrugën drejt suksesit.

Aristo, tashmë një tregtar anijesh, blen dhe restauron një jaht luksoz që i vë emrin “Christina”, si e bija që kishte me gruan, Tina Livanos. Më vonë Onassis përballet me një humbje financiare në Jeddah, shkaktuar nga Stavros Niarchos, rivali i tij në jetë dhe biznes. Megjithatë, Aristo i përgjigjet menjëherë goditjes dhe kthehet në një lojtar edhe më i suksesshëm në botën e biznesit.

Ai i kërkon kolumnistit të shoqërisë së lartë Elsa Maxwell që ta prezantojë me sopranon Maria Callas. Të dy takohen në një festë, ku kërcejnë tango. Dhe e gjithë kjo çon në takimin e tyre të parë. Më pas, Aristo fton Marinë dhe bashkëshortin e saj në një lundrim me jahtin e tij, ku ndodhen edhe shumë të ftuar të tjerë. Aristo flirton hapur me Marian dhe më pas ata i shprehin hapur dashurinë për njëri-tjetrin. Kjo çon në një skandal të madh dhe një grindje të ashpër mes Aristotelit, Tinës, Battista-s dhe Marias. Tina ruan dinjitetin e saj. Aristoteli dhe Maria mbesin vetëm në kuvertë. Më vonë Maria njofton Aristotelin se është shtatzënë.

AKTI 2

Maria humbet fëmijën menjëherë pas lindjes dhe i këndon atij një ninullë. Aristoteli, i ngarkuar me punë në zyrën e tij financiare, telefonon Marian për ta ngushëlluar. Maria gradualisht humbet zërin e saj. Ajo mëson se Aristo ka ftuar Jackie Kennedy në një lundrim dhe fillon të debatojë me të.

Të dy ndahen.

Në jaht mbërrin Jackie Kennedy, e cila e magjepsur nga jahti flirton hapur me Aristo. Vëllezërit Kenedi janë tërbuar, por Aristo me arrogancë e ruan gjakftohtësinë. Pa shfaqur emocionet e tij, ai pranon humbjen dhe i nis ti mësojë djalit të tij, Aleksandrit, sekretet e suksesit.

Aristo shkon te Maria në Paris për të gjetur ngushëllim në krahët e saj, por ajo e refuzon atë. Pasi mësoi për vrasjen e Kenedit, Aristo i propozon për martesë Jackie-t. Ata martohen ndërsa në skenë Maria këndon arien e saj të fundit të operës: “Non mi ami più” (“Ti nuk më do më”).

Onassis, i pakënaqur me Jackie-n kthehet te Maria, por ajo e refuzon sërish. Ndërsa ndihet totalisht i braktisur, ai mëson për aksidentin fatal të djalit të tij.  Vrapon drejt spitalit, ku të dy këndojnë duetin e tyre të fundit. Aristo është i sëmurë dhe afër vdekjes. Maria është pranë tij. Më vonë, ajo ndërron jetë e vetme në banesën e saj.

Hiri i saj shpërndahet mbi detin Egje.

 

Biletat mund t’i tërhiqni pranë TKOB-së nga ora 10:00-14:00 dhe nga ora 16:00-20:00.