Dy gurë të çmuar, nga ata që zënë një vend të rëndësishëm në themelet e periudhës së romantizmit, do të vijnë plot ngazëllim në Tempullin e Artit Shqiptar.
Përtej tingujve do të na udhëheqë magjia e Simfonisë nr. 8 në Si minor, D. 759 të Franz Schubert, e njohur si “Simfonia e Papërfunduar” – një vepër që mbetet ndër më enigmatiket dhe më prekëset e repertorit klasik, ku ndalen tingujt dhe flet shpirti.
Në vijim, do të përjetojmë fuqinë shpërthyese të Koncertit për piano nr. 1 në Re minor, op. 15 të Johannes Brahms, një nga veprat më dramatike dhe pasionante të repertorit për piano dhe orkestër, që do të vijë nën interpretimin e pianistit virtuoz, Marin Gjollma.
Një natë që na fton të ndjejmë më shumë, të dëgjojmë më thellë, dhe të zbulojmë emocionin atje ku fillon përjetimi.