PREMIERË ABSOLUTE – TRUPA E BALETIT TË #TKOB
05 & 06 NËNTOR – ORA 19:00
“Humus” është një himn për ekzistencën e natyrës dhe dashurisë për tokën. Historia se kujt i përkasim, kë duhet të mbrojmë dhe ku do të shkojmë.
Një vepër kontemporane, e cila nxit krijuesit e rinj të #TKOB-së në një dimension tjetër artistik. Këtë herë projekti #ARTISTËVETËSËARDHMES prezanton veprën e koreografit të ri Julind Dervishi.
SHËNIM NGA JULIND DERVISHI…
Në fillim ekzistonte fjala, dhe kjo fjalë ishte “Humus”, duke i dhënë formë tokës dhe natyrë, duke na përfshirë ne si qënie të saj, degët e një peme. Nën rrymën e lakmisë dhe të paditurisë, në vend që ta mbajmë gjallë këtë pemë, dalë nga dalë sollëm shkatërrimin, ndërkohë që qëllimi ynë duhet të ishte ushqimi i saj, për ta bërë të frytshme.
Këtë mesazh kam dashur të përcjell përmes krijimtarisë koreografike në një vepër ku balerinët e trupës së baletit të TKOB, e përcjellin përmes lëvizjeve të trupit. Ka një sër dimensionesh që trajtohen në këtë shfaqje, ku jo vetëm ekziston hapsira për argëtim por mbi të gjitha të ndërgjegjësohemi për ti hedhur sytë nga e ardhmja, e për të kontribuuar shëndetshëm në favor të natyrë.
FRYMËZIMI I AUTORIT
Përpara se ne të vinim në jetë, natyra ishte krijuar. Ajo ishte përgatitur për ardhjen tonë, por ne a ishim të përgatitur për ta mbrojtur atë?! Ne duhet te dijme se është natyra, pa jemi ne. Pa të nuk do ekzistonte fjala – jetë. Çdo gjë do të ishte e hirtë dhe shpirti i njeriut do të ishte i ngrysur. Falë krijuesit, ne duhet ta mbrojmë, të kemi forcën ta ushqejmë përditë dhe ti japim jetë dhe një dege të thyer për ta rijetëzuar atë. Duhet ti hedhim sytë nga e ardhmja, për të parë se si mund të ndryshojmë botën ku jetojmë, për ta zbukuruar atë çdo ditë e më shumë dhe këtë mund ta arrijmë duke dhënë mesazhe, duke i dhënë ndihmën tonë një dheu të kuq, i cili ka parë çdo moment të jetës së njeriut. Ti je natyra dhe natyra është ti. Ora për ne shënon 11:59!
Të gjithë ne jemi krijues në të mirë apo në të keqe. Ngremë zërin për planetin tonë për një planet më të pastër, një trup më të shëndetshëm, dhe një mendje më të kthjellët. Tokës nuk i nevojitemi ne, që të vazhdojmë të ekzistojmë, por ne kemi nevojë që toka të ekzistojë. Nuk është asnjëherë vonë për të ndryshuar në favor të shëndetit dhe mirëqenies së tërësishme individuale dhe shoqërore.
SINOPSI I VEPRËS
SKENA 1
Në muzgun e një pylli 24 trupa njërësorë përfaqësojnë pushtetin, energjinë negative, shpërbërjen, shkatërrimin. Dora e tyre shkaterroi gjithcka! Lakmia i çoji drejt të paditurës, me fytyra të mbështjella nga frika, ku gjithcka që shohin është vetëm ajo çka duan dëshpërimisht, me çdo kusht, pavarësisht gjithçkaje. Të flasim për atë që askush nuk dëshiron të flas: “Parimi kryesor për mirëmbajtjen është ruajtja dhe mbrojtja.” Krijesat heqin mbështjelljen e fytyrës dhe dallohet lehtë shkatërrimi i shkaktuar nga veprimet e tyre, rrënjë të prera, ajër i ndotur dhe i toksikuar,. Një jetë pa ngjyra, në një sfond bardhë e zi.
SKENA 2
Pasi shohin me sytë e tyre shkatërrimin, për të cilin janë shkaktarë dhe autorë, të ndarë në çifte luftojnë me veten dhe njëri-tjetrin, absolutisht të çekuilibruar mendërisht. Ata nuk arrijnë të bashkëjetojnë së bashku, në një marrëdhënie hipotetikisht harmonike, pasi konflikti i brendshëm është çorientues. Ata s’kanë çfarë pjese të shëndetshme të ofrojnë nga vetja, as vetes, as çiftit, as komunitetit, as shoqërisë, kur lufta mes “dua” dhe “duhet” është një agoni rraskapitëse, në një rreth vicioz të krijuar me ose pa vetëdije, nga vetë ata individualisht, në cift apo në grup. Ata përballen me frikën e humbjes së kësaj bote. Për herë të parë pas një stuhije babëzije, narcisizmi malinj dhe egoizmi të sëmurë, befas ndërgjegjësohen për praninë e tjetrit përkrah dhe të kontekstit në të cilin ndodhen. Bota po ndryshon vrullshëm, ajo po zhbëhet dalëngadalë dhe dëmet e shkaktuara kanë tjetërsuar gjithçka perceptojnë shqisat. Në antagonizëm me memorien kolektive natyraliste, e tashmja ofron një tablo të zymtë, pasi ngrohja globale, shpyllëzimi, ndotja e ajrit, ujit dhe tokës nuk përbëjnë thjesht një problem tashmë, por janë shndërruar në një realitet, në të cilin njerëzit duhet të përshtaten për të shfrytëzuar gjithë mundësitë e mbetura, që të gjejnë një zgjidhje sa të menjëhershme, aq edhe evolutive, afatgjatë. Çështja është si të ripërdorin burimet e mbetura dhe ato të tjetërsuara?! Kjo është zilja e alarmit, zgjimi, vetëdijësimi! Është koha për të vepruar, për veten, tjetrin dhe gjithësinë.
PAK NGA JULIND DERVISHI
Julind Dervishi ka mbaruar shkollën Kombëtare Koreografike si balerin. Ai është diplomuar në si koreograf e që prej asaj kohe ai ushtron dertyrën si balerin në trupën e baletit të Teatrit të Operas dhe Baletit, prej 11 vjetësh. Ai ka interpretuar në disa role si balerin klasik dhe kontemporan. Ka marrë pjesë në baletet e koreografeve shqiptar dhe te huaj si: Agron Aliaj, Barak Marshall, Daniel Cardoso etj. Gjatë karrierës së tij ai ka ndjekur workshop-e me koregraf të ndryshëm ku së fundmi mund të përmendim atë me Ohad Naharin. Edhe pse ai është krijues i disa pjesëve të ndryshme baleti të zhanrit kontemporan, premiera e tij e parë si një vepër e plotë është baleti “Humus”.
KU MUND TI GJENI BILETAT PËR KËTË SHFAQJE?
NGA DATA 02 DERI NË DATËN 4 – Biletat shiten çdo ditë nga ora 10:00 – 14:00 dhe 16:00 deri 20:00.
NË DATAT 5 DHE 6 – Biletat shiten nga ora 10:00 – 14:00 dhe 16:00 deri 18:00.
ÇMIMET E BILETAVE: Në platenë kryesore, nga radha C deri në F, biletat kushtojnë 1000 lekë dhe nga radha G deri në radhën R biletat kushtojnë 1200 lekë. Në galeri biletat kushtojnë 1000 lekë.
Duke kërkur mirëkuptimin tuaj ju bëjmë me dije se për shkak të kapacitetit të limituar të sallës, si pasojë e masave anti Covid, nuk mund të mbajmë rezervime. Kush dëshiron të ndjekë shfaqjen, duhet të drejtohet direkt në sportel për të blerë biletat.
Ju mirëpresim!