#TKOB #OPERA #LATRAVIATA #GIUSEPPEVERDI

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor shfaq operan “La Traviata” të kompozitorit Giuseppe Verdi.

 

OPERA “LA TRAVIATA” – 23,24,25 DHE 26 TETOR – ORA 18:30

 

Biletat shiten çdo ditë nga ora 10:00-14”00 dhe 16:00 – 20:00.  Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju bëjmë me dije se në datat e shfaqjeve biletaria mbyllet në orën 18:00 dhe hyrja e publikut do të kryhet prej ores 18:00 deri në orën 18:28.  Pas orës 18:30 hyrja nuk do të jetë e mundur.

 

PERSONAZHET DHE INTERPRETËT

Orkestra Simfonike e TKOB

Dirigjent: Deniola Kuraja

Regjisore: Magdalena Fuchsberger

Video Artist: Aron Kitzig

Kori i TKOB

Dirigjent Kori: Dritan Lumshi

Trupa e baletit:

Koreografia & Solistë

Enada Hoxha, Gerd Vaso

Kostumograf: Ardi Asllani

Koncertmaestër: Etrita Ibrahimi,  Ingrid Pulizo

 

E shtunë – 23 tetor

Violetta Valéry – Eva Golemi

Alfredo Germont – Denis Skura

Giorgio Germont – Ylber Gjini

Gastone – Erlind Zeraliu

Flora Bervoix – Shpresa Beka

Annina – Dorina Selimaj

Il barone Douphol – Artur Vera

Il marchese d’Obigny – Bledar Domi

Il dottor Grenvil – Xhieldo Hyseni

Giuseppe – Erlind Zeraliu

Un commissionario – Genc Vozga

 

E dielë – 24 tetor

Violetta Valéry – Nina Muho

Alfredo Germont – Klodjan Kaçani

Giorgio Germont – Armando Likaj

Gastone – Erlind Zeraliu

Flora Bervoix – Ivana Hoxha

Annina – Dorina Selimaj

Il barone Douphol – Artur Vera

Il marchese d’Obigny – Ogert Islami

Il dottor Grenvil – Xhieldo Hyseni

Giuseppe – Erlind Zeraliu

Un commissionario – Genc Vozga

 

E hënë – 25 tetor

Violetta Valéry – Simona Karafili

Alfredo Germont – Denis Skura

Giorgio Germont – Ylber Gjini

Gastone – Erlind Zeraliu

Flora Bervoix – Shpresa Beka

Annina – Dorina Selimaj

Il barone Douphol – Artur Vera

Il marchese d’Obigny – Bledar Domi

Il dottor Grenvil – Xhieldo Hyseni

Giuseppe – Erlind Zeraliu

Un commissionario – Genc Vozga

 

E martë – 26 tetor

Violetta Valéry – Renisa Laçka

Alfredo Germont – Klodjan Kaçani

Giorgio Germont – Armando Likaj

Gastone – Erlind Zeraliu

Flora Bervoix – Ivana Hoxha

Annina – Dorina Selimaj

Il barone Douphol – Artur Vera

Il marchese d’Obigny – Ogert Islami

Il dottor Grenvil – Xhieldo Hyseni

Giuseppe – Erlind Zeraliu

Un commissionario – Genc Vozga

 

JETA DHE VEPRA E KOMPOZITORIT GIUSEPPE VERDI (1813 – 1901)

Giuseppe Verdi u lind në Le Roncole, në 10 tetor të vitit 1813. Giuseppe Verdi shfaqi që në vogëli talentin e tij të jashtëzakonshëm për muzikën. Në formimin e tij kulturor influencë pati frekuentimi i bibliotekës së pasur të shkollës së Jezuitëve në Busseto. Principet e kompozimit muzikor dhe të praktikës instrumentale iu dhanë nga Ferdinando Provesi, por personaliteti i tij artistik u formua në Milano. Në pamundësi për të ndjekur studimet në Konservator pasi kishte kaluar moshën e pranimit, për një periudhë 3-vjeçare ai ju dedikua mësimeve në teknikën e kontrapunktit nën drejtimin e Vincenzo Lavinga, maestro i çembalos në La Scala. Në vitin 1836 fitoi konkursin si maestro i muzikës në Bashkinë e Busseto-s dhe në të njëjtin vit u martua me Margherita Barezzi nga me të cilën pati dy fëmijë, Virginia dhe Icilio. Puna e sigurt dhe një rrogë fikse nuk e kënaqnin egon e tij profesionale dhe për këtë arsye ai bashkë me familjen e tij u shpërngulën në Milano. Në vitin 1840, Verdi arrin të realizojë në teatrin “La Scala” operën e tij të parë “Oberto Conte di San Bonifacio”, vepër e cila nuk pati suksesin e pritur. Në këtë periudhë fillon një moment i vështirë për jetën e tij pasi humbet fëmijët dhe më pas të shoqen, Margherita. Sipërmarrësi i teatrit milanez, Bartolomeo Merelli i ofroi një kontratë për krijimin e dy veprave “Un giorno di regno”, opera komike, e cila pati vetëm një shfaqje në 5 shtator 1840, premiera e së cilë ishte një dështim. Ishte vepra e dytë “Nabucco”, premiera e së cilës u realizua në 9 mars të vitit 1842, ku talenti verdian u shfaq i plotë. Kjo vepër pati një sukses aq të madh, saqë kori i Nabuccos këndohej dhe nëpër rrugët e qytetit. Modeli i spektaklit madhështor, ku subjekti pikturohet me ngjyra të forta u përsërit në operan pasardhëse “I lombardi alla prima crociata”, premiera e së cilës u realizua në teatrin “La Scala” në datën 11 shkurt të viti 1843, vepër e cila kaloi në një censurë shumë të fortë nga qeveria austriake, e cila bashkë me operan “Nabucco” po përdorej nga populli italian si një himn patriotik si formë revolte ndaj monarkisë Habsburge. Pas “Giovanna d’Arco”, Verdi u largua nga “La Scala” dhe nga Milano, për tu vendosur në Paris e më pas në vitin 1848 u rikthye në Busseto së bashku me Giuseppinën, gruaja me të cilën u dashurua pas humbjes së familjes së tij. Shumë zëra pati mbi këtë raport dhe për bashkëjetesën e tyre. Gjatë atyre viteve, Verdi shkroi triologjinë popullore, “Rigoletto”, “Il Trovatore” dhe “La Traviata”. Gjatë kësaj kohe përfundoi dhe vila e tij, e cila u ndërtua në Villanova d’Arda dhe u quajt “Vila Sant’Agata” ku ai u vendos përfundimisht. Ndërkohë Verdi krijoi operën “La forza del destino”. Opera e cila e rikthehen në “La Scala” e më pas kompozoi operan “Ernani”, premiera e së cilës u realizua në teatrin “La Fenice” në Venecia në 9 mars të viti 1844 në të cilën eksperienca dramatike u konkretizua në konfliktin e pasioneve të personazheve. Kjo zgjedhje stilistike u pasua nga “I due foscari” e cila u shfaq në Romë në 3 nëntor të vitit 1844. Të gjitha veprat e fazës së parë të krijmtarisë verdiane diferencohen nga njëra- tjetra sepse secila nga ato eksploron njërin ose tjetrin aspekt të eksperiencës dramatiko-muzikore. Kështu në moshën 34 vjeçare, kompozitori arriti famë ndërkombëtare dhe operat e tij viheshin shumë shpesh nëpër teatro. Propozoi “Messa da Requiem”, një homazh i përbashkët i muzikantëve itlianë për muzikantin më të madh dhe të artit të tyre në vitin 1869. Realizon operan “Aida” në teatrin e operas së Kairos, në 24 dhjetor të viti 1871. Vijon me krijimet e “Quartetto Napoli” e cila u shfaq në 1 prill të viti 1873. “Otello”, e cila premierën e pati në teatrin “La Scala” në Milano – 5 shkurt 1887. Parabola artisitke e Verdit mbyllet me kompozimin e tre pjesëve kishtare: “Stabat Mater”, “Te Deum” vepër për kor dhe orkestër me formacion të madh dhe “Ave Maria” për kor a cappela, të cilën e kishte krijuar më parë. Vdekja e tij shënon mbylljen e një etape në jetën e kulturës italiane.

 

PREMIERA E PARE NË BOTË

“La Traviata” është një opera me tre akte e kompozitorit Giuseppe Verdi me libret të Francesco Matia Piave. E bazuar në librin e Alexandre Duma – “Zonja me kamelie”. Kjo opera konsiderohet pjesë e triologjisë popullore të Verdit, së bashku me operan “Il trovatore” dhe “Rigoletto”. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Ndoshta për shkak të mungesës së interpretëve me nivel të lartë dhe për temën, e cila u konsiderua e zymtë dhe skandaloze, nuk pati suksesin që autori priste. “La Traviata” u rishfaq në 6 maj të vitit 1854 në teatrin “San Benedetto” –Venecia, këtë herë në një version të ripunuar dhe me solistë të nivelit të lartë, si: Maria Spezia Aldighieri dhe e dirigjuar nga vetë kompozitori. Këtë herë

vepra pati suksesin e merituar. Për shkak të kritikave të shoqërisë borgjeze, opera në teatrot e Firences, Bolonjës, Parmës, Napolit dhe Romës u ndryshua nga çensura e kohës dhe u rishfaq në skenë me disa pjesë krejtësisht të shtrembëruara. Sipas të dhënave të publikuara nga Operabase në 2013, është opera më e shfaqur në botë në pesë sezonet e fundit, me 629 shfaqje.

 

  

NJIHUNI ME REGJISOREN – MAGDALENA FUCHSBERGER

Magdalena Fuchsberger u lind në Salzburg – Austri. Ajo u diplomua në Universitetin e Muzikës dhe Artit në Vjenë ku studioi me pedagogun Reto Nickler. Ka realizuar produksionet e operave: “I Capuleti e i Montecchi” – Bellini dhe operetën e Franz Lehár – “Tsarevich” . Në sezonin artistik 11/12 – 14/15 u punësua nga Jossi Wieler në teatrin e operas të Shtutgard si asistent regjizore. Ajo ka punuar me regjisor si: Jossi Wieler, Sergio Morabito, Stefan Herheim, Andrea Breth, Claus Guth, Andrea Moses, Olivier Tambosi dhe Emmy Werner. Magdalena Fuchsberger debutoi si regjisore në skenën operistike gjermane me operën “Otello” të Giuseppe Verdi në “Gut Immling Festival Opera” në verën e vitit 2014.

KONCEPTI REGJISORIAL I MAGDALENA FUCHSBERGER

Dëshiroj që kjo vepër të ketë si kolokacion temporal periudhën e “Belle Eqoque” të viteve 1890-1910. Fundi i shekullit ku psikologjia njërëzore filloi të ishte tepër e rëndësishme. Është periudha e elegancës, por dhe e një dekadence masive. Skena do të jetë thuajse e boshatisur dhe për këtë arsye është tepër e rëndësishme të ketë kostume të bukura dhe shumëngjyrëshe.

Dua ta tregoj historinë në një mënyrë mjaft elegante, të mbushur me passion dhe shumë emocionale. Për mua “La Traviata” është një opera shumë e brishtë, gjithashtu muzika – posaçërisht preludët – janë shumë të brishtë dhe të butë. Është njësoj sikur personazhet janë duke vallëzuar në një akull shumë të hollë, sikur ata janë të vetëdijshëm për sa e shkurtër është jeta dhe se gjithçka mund të mbarojë shumë shpejt. Ne nuk jemi në një shoqëri të pasur dhe të fortë. Kjo shoqëri është e brishtë, e lehtë, e zbehtë, inteligjente, e arsimuar, snob-e, e ndjeshme, artistike, ‘e mbushur me lule’, simbolikë e gjallë dhe poetike! Pak si në “Epoche Jugendstil”. Është sikur personazhet të ndjejnë luftën e ardhshme botërore dhe se e gjithë jeta e tyre do të ndryshojë së shpejti. Për këtë arsye ata kanë në mendje vetëm: pirjen, ngrënien, vallëzimin, dashurinë dhe zbavitjen, por në një mënyrë shumë melankolike dhe poetike. Dyshemeja do të jetë plot me lule të ndryshme që nga fillimi i shfaqjes. Lule si një simbol i lulëzimit dhe tharjes, një simbol i dashurisë, jetës dhe vdekjes dhe një simbol i “Belle Epoche” dhe “Jugendstil” në përgjithësi. Në qendër të skenës do të vendoset një shtrat i madh i shekullit të 19-të i mbuluar me çarçaf të bardhë. Në një formë gjysëm rrethi pas krevatit janë mobilje të tjera. Në prelud shohim Violetën ulur në buzë të krevatit me një këmishë të bardhë, të thjeshtë, të shkurtër. Preludi është muzika e aktit të tretë ndaj në prelud shohim Violetën të vetmuar.

Akti i parë dhe i dytë janë si një kujtim që i rikthehet, si një flashback. Gjatë ballos në shtëpinë e Florës ndodh dhe skena më dekadente. E konceptuar sikur ndodhemi brenda “Moulin Rouge”. Ballot në shtëpinë e Violetës dhe të Florës janë shumë të ndryshme. Flora në përgjithësi është një natyrë më direkte dhe jo aq sensitive dhe inteligjente sa Violeta. Flora e mer jetën më të gjallë dhe më lehtë. Ajo nuk është një karakter shumë i thellë. Në ballon e Florës temat kryesore janë thashethemet, kartat e lojës dhe disa drama të mëdha publike. Pasi mbaron preludi në aktin e tretë Violeta rikthehet në të tashmen. Në skenë do të interpretoj dhe një çift baleti (Violeta dhe Alfredo), të cilët vallëzojnë një pas de deux gjatë preludit të aktit të parë dhe gjatë preludit të Aktit të tretë. Ky çift simbolizon dëshirën dhe ëndrrën e pamundur të Violetës për të ndarë një jetë me dashurinë e saj të madhe, Alfredon.

 

 NJIHUNI ME DIRIGJENTEN – DENIOLA KURAJA

Deniola Kuraja u lind në qytetin e Durrësit. Në moshën 6-të vjecçare merr mësimet e para në piano, në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli“ – Durrës, nën drejtimin e mësueses Irma Picari. Paraqitjen e parë përpara publikut e pati që në moshë të vogël duke vijuar më vonë në një rradhë koncertesh recitale e shumë aktivitete tët jera artistike të organizuara nga institucionet e kulturës. Deri në vitin 1999 kreu studimet  në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e Prof. Anita Tartari, ku edhe diplomohet. Aktiviteti i saj artistik mbulon një spektër të gjerë aktivitetesh muzikore. Si soliste ka interpretuar  sëbashku me orkestren e TKOBAP, atë të RTSH si dhe atë të Akademisë së arteve të bukura në Tiranë. Ajo është fituese e disa çmimeve kombëtare, ku mes tyre përmendim: Çmimin e parë në konkursin pianistik “Pianisti i ri“, dy  herë fituese e çmimeve të treta në konkursin kombëtar “Tonin Harapi“ dhe “Çesk Zadeja“ dhe është vlerësur me diplomë në konkursin “Nikolla Zoraqi“. Impulse të rëndësishme muzikore ajo I merr ndërmjet viteve 1993-2001 nga Till Engel (Essen), Gerard Fremy (Paris), Anna Maria Stainczyk (Warschau), Michele Campanella (Siena) und Manon-Liu Winter (Wien). Ajo është një nga bursistet e “Instituto Italiano di Cultura“, çfarë i bëri të mundur pjesëmarrjen në një master-kursi dy mujor ne “Conservatorio di Musica N. Piccini” në Bari.

Shkallët e eksperiencës  profesionale ndërmjet viteve  1999-2007 u favorizuan  perms angazhimeve artistike në institucionet e ndryshme kulturore shqiptare e më tej. Vlen për tu përmendur veçanërisht puna si koreopetitore në klasën e flautit, violinës e klarinetës në Akademinë e Arteve  në Tiranë e më pas duke filluar nga viti 2001 është angazhuar si korepetitore në TKOB. Që prej asaj kohe do të influencohej pikëpamja e saj orientuese në pistën e dirigjiimit. Në fund të vitit 2007 vijon një tjetër angazhim mbi një projekt  të operes gjermane, “Der Zwerg“ nga Alexander Zemlinsky të zhvilluar në Teatrin e Operas dhe Baletiti në Maqedoninë e Veriu, në qytetin e Shkupit. Që në maj të 2008 krahas kontratës së punës si korepetitore në shkollën e lartë të muzikës, teatrit dhe të medias në Hannover, për të thelluar eksperiencat, vlerëson mundësinë për të studiuar dirigjim në klasën e Prof. Eiji Ou dhe që prej vitit 2010 në klaseë e Prof. Martin Brauß. Me dirigjimin e Musical “Street Scene“ të Kurt Weill me orkestrën e shkollës së lartë të muzikës në Hannover, përfundon studimet në këtë fushë.

Gjithashtu gjatë studimeve në shkollën e lartë të muzikes në Hannover (HMTMH) ka dirigjuar koncertin simfonik me orkestrën e Teatrit të Hildesheimit, sss.dirigjente në “Përralla të Hoffmannit“ të Offenbach në TKOB dhe që prej vitit 2010 është e ftuar e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, dirigjente në “Vejusha gazmore“ nga Lehar, si dhe në koncertin “Galaja e Vitit të Ri”  me orkestren e TKOB në Tiranë. Ndërkaq nga prilli i vitit 2013 është solo-koreopetitore me dirigjim të detyruar në Operen Shtetërore të Hannoverit.

 

NJIHUNI ME VIDEO ARTISTIN – ARON KITZIG

Aron Kitzig është skenograf i pavarur dhe regjisor nga Berlini. Studioi për dizajn dhe grafik. Prej vitit 2003 punoi si bashkë themelues dhe pjesë e bordit të shoqatës “Strohlinka” dhe në grupin e pavarur teatror “Ekipi Odradek”. Nën drejtimin e Jonas ZIPF ka realizuar vepra si: Solaris (2005,Berlin), Betejat Hermann (2007 – Stuttgart) dhe Kalvarit (2008, Munich). Ai ka punuar si regjisor i pavarur dhe skenograf, gjithashtu është aktiv për vite me radhë dhe në fushën e muzikës bashkëkohore. Ndër të tjera ka prodhuar dhe video muzikore për disa ansamble muzikore. Në vitin 2014 ai krijoi imazhet video për operën “Turandot” në “Festivalin e Liqenit” – Bregenz, drejtuar nga Marco Arturo Marelli. Në vitin 2015 krijoi imazhet video për operën shtetërore të Vjenës, përsëri për operën “Turandot”. Kitzig në “Music Bienalen – 2016” në Mynih ka realizuar në bashkëpunim me Meriel një ekspozitë me prodhimet e tij video. Prej verës së vitit 2016 ai punon me regjisoren Magdalena Fuchsberger në Plovdiv, punë e filluar me shfaqjen e parë të realizuar së bashku: “Holandezi fluturues”.

 

NJIHUNI ME SINOPSIN E OPERAS  “LA TRAVIATA

Violeta vishet me velut dhe dantella të kushtueshme. Ajo pi shampanjën më të mirë në gota kristali. Festat e saj janë legjendare, shoqëria e saj e dëshiruar. Ajo është e lirë, me shpirt të lirë dhe jeton jashtë kufijve të shoqërisë. Për këtë kurtizane, duket sikur festa nuk do të përfundojë kurrë. A mund të ndryshojë një dashuri e vogël gjithçka? Opera “La Traviata” është aq e famshme sepse ajo vendos në skenë një jetë që mundet vetëm ta ëndërrojmë. Me magjepsjen e saj, gëzimet dhe dhimbjet. Muzika e Verdit këndon lirinë me meloditë fluturuese, gjallëron pëshpëritjet dhe na lë në fund me duete pasionante në zemrat e lënduara.

 

 

PËRMBAJTJA

 

Akti i parë

Violetta Valéry, një kurtizane e re e njohur në shoqërinë e lartë pariziene, organizon një festë në shtëpinë e saj. Ajo prezantohet me Alfredo Germont, i magjepsur pas saj prej një kohe të gjatë. Ai është interesuar çdo ditë për shëndetin e saj. Të ftuarit tallen me këtë qëndrim kaq naiv dhe emocional dhe i kërkojnë Alfredos të ngrejë një dolli. Ai ngre një dolli për dashurinë e vërtetë dhe Violetta i përgjigjet me një dolli për dashurinë e lirë. Ajo preket nga sjellja e tij e sinqertë dhe e ndershme. Papritmas nuk ndihet mire. Të ftuarit fillojnë të largohen, vetëm Alfredo mbetet pranë saj dhe I deklaron dashurinë e tij të thellë. Violetta i rrëfen se nuk ka vend për ndjenja të tilla në jetën e saj, por i dhuron atij një lule kamelie, duke i kërkuar që të kthehet kur lulja të jetë vyshkur. Alfredo gëzohet kur kupton se do ta shohë përsëri të nesërmen. Violetta është e dyzuar: nga njëra anë ajo nuk do të braktisë mënyrën e saj të jetesës, por nga ana tjetër ajo nuk arrin dot të luftojë dëshirën për të qenë e dashuruar me të vërtetë.

Akti i dytë

Violetta ka vendosur t’i dorëzohet dashurisë së Alfredos dhe të shijojnë së bashku jetën e tyre të re në fshat, larg nga kaosi social. Alfredo kupton se Violetta është duke shitur pronat e saj në Paris. Ai vendos të shkojë në kryeqytet për të gjetur para. Violetta merr një ftesë për një festë me maska, por nuk ka më dëshirë të jetë pjesë e këtyre dëfrimeve. Në mungesë të Alfredos është babai i tij, Giorgio Germont që shkon për ta vizituar. Ai i kërkon të ndahet nga i biri, për shkak se marrëdhënia e tyre rrezikon martesën e ardhshme të vajzës së tij, por gjatë diskutimit, George kupton se Violetta nuk është e interesuar tek pasuria, por ajo është një grua që e do atë pa kushte.

George më pas përpiqet t’i shpjegojë Violett-ës, nga këndvështrimi borgjez se marrëdhënia e tyre nuk mund të ketë një të ardhme. Violetta përpiqet të rezistojë, por shumë shpejt pranon të ndahet nga Alfredo përgjithmonë. Vetëm pas vdekjes së saj Alfredo duhet të dijë të vërtetën për ndarjen e tyre. E mbetur vetëm ajo shkruan një letër lamtumire për Alfredon dhe më pas vendos t’i rikthehet jetës së saj të vjetër dhe pranon ftesën për në festë. Me t’u kthyer, Alfredo gjen letrën e Violettës dhe lejon të atin e tij ta ngushëllojë. Alfredo kujton premtimet e një jete familjare, nervozohet kundër Violett-ës dhe zotohet se do të hakmerret. Në ballo lajmi për ndarjen e Violett-ës dhe Alfredo-s fillon të qarkullojë midis të ftuarve. Ndërkohë vjen Alfredo dhe pas tij Violetta me të dashurin e saj të ri, Baron Douphol. Alfredo sfidon Baronin në një lojë me letra dhe fiton të gjithë pasurinë e tij: me fat në lojë, i pafat në dashuri. Kur festa është duke mbaruar, Alfredo i mbetur vetëm me Violettën i kërkon shpjegime për sjelljen e saj, por ajo vazhdon të insistojë dhe t’i thotë që është e dashuruar me baronin. I zemëruar, Alfredo thërret të ftuarit si dëshmitarë, betohet se nuk do t’i ketë asnjë boxh Violett-ës, i hedh paratë e fituara në fytyrë dhe largohet. Giorgio Germont shikon gjithshka dhe qorton të birin për sjelljen e tij, kurse Baroni e sfidon atë në një duel.

 Akti i tretë

Violetta është duke vdekur. Miku i saj i vetëm, Dr. Grenvil i thotë Anninës se asaj i kanë mbetur vetëm pak orë jetë. Babai i Alfredos i ka shkruar Violett-ës për ta informuar për fitoren e djalit të tij në duelin kundër baronit. I mbytur nga ndjenja e fajit, ai i ka traguar të birit për sakrificës e Violettës. Alfredo dëshiron të arrijë atje sa më shpejt të jetë e mundur. Violetta ka frikë se është tepër vonë. Zhurma e një feste tjetër dëgjohet jashtë, ndërsa Violetta është e rrëmbyer nga një agoni e vdekshme. Alfredo mbërrin duke shkaktuar tek Violetta një eufori finale. Energjia dhe gëzimi i saj rikthehen, ndërsa dhimbja duket sikur zhduket, iluzioni i fundit përpara se vdekja ta marrë atë përgjithmonë.