Prelud simfonik dhe Messa si Gloria, dy vepra të kompozitorit Giacommo Puccini të cilat morën jetë që në rini të tij, vijnë në skenën e TKOB-së në këtë mes vjeshte.
Preludi Simfonik i Puccinit është një fantazi simfonike me një kohë të vetme që natën e 7 tetorit në TKOB do të pasohet nga Messa di Gloria, një nga veprat më intime dhe prekëse të tij, shkruar kur ai ishte vetëm 20 vjeç duke përfaqësuar një dëshmi të gjeniut të tij të hershëm.
Kjo kryevepër për solistë, kor dhe orkestër është një lutje e fuqishme, një udhëtim përmes ndjesive më të thella të shpirtit njerëzor.
Një vepër, e cila, vjen si një dhuratë muzikore për të gjithë ata që duan të përjetojnë emocione të papërshkrueshme.
Një tjetër natë unike e cila vjen nga Orkestra Simfonike e TKOB-së nën drejtimin e mjeshtrit të dirigjimit, Toufic Maatouk dhe Kori i TKOB-së nën drejtimin e maestro Dritan Lumshi, me pjesëmarrjen e tenorit Raffaele Abete dhe baritonit Armando Likaj, çdo notë është një hap drejt përjetësisë, një lutje që ngjitet lart, duke prekur qiellin.
Biletat mund t’i merrni çdo ditë pranë biletarisë së TKOB-së nga ora 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00. Kurse ditët e shfaqjes, ora 10:00-14:00 dhe 16:00-18:10. Ju presim!