Orkestra dhe solistët e TKOBAP-së në vendlindjen e Giacomo Puccinit për të përmbyllur Vitin Puccinian!
Në këtë ditë të veçantë, që shënon 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të kompozitorit legjendar Giacomo Puccini, Orkestra dhe Solistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit përmbyllin sonte Vitin Puccinian me një performancë unike në Torre del Lago, në kuadër të festivalit të njohur ndërkombëtarisht, “Festival Puccini.”
Gjatë këtij viti, TKOBAP iu bashkua skenave më prestigjioze të botës, duke i dedikuar një kalendar të plotë artistik veprave më të njohura të mjeshtrit, si “Madama Butterfly,” “La Bohème,” “Il Trittico,” “Tosca,” si dhe koncerte të dedikuara simfonike, duke sjellë emocion për publikun shqiptar.
Në këtë përvjetor historik, orkestra interpreton në shtëpinë e Puccini-t “Messa di Gloria,” një nga veprat më madhështore të Puccinit, e cila vjen nga orkestra e TKOBAP-së dhe kori i “Festival Puccini,” nën dirigjimin e Toufic Maatouk, me solistët Raffaele Abete, Armando Likaj dhe Bledar Domi.
Muzika e Puccinit, që vazhdon të prekë zemrat e miliona artdashësve në mbarë botën, merr jetë në vendlindjen e tij, duke përçuar mesazhin e përjetshëm të artit dhe emocioneve të pastra.