Opereta “Die Fledermaus”

Valset, ariet dhe muzika më e bukur e Strauss e mbledhur në një vepër të vetme, një produksion i TKOB. Një histori ku gërshetohet klasi dhe grotesku, mes mondanitetit, luksit dhe mashtrimit në shoqërinë vieneze të 1870-ës, një komedi situatash dhe ngatërresash, që në të vërtetë e hasim edhe sot. Gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, kurorëshkelës, politikanë, pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelet e zonjave të tyre. E gjithë kjo ngarkesë e madhe emocionale e veprës së Strauss, atmosfera e mrekullueshme e veprër realiziohet nën interpretimin e shkëlqyer të të gjitha trupave të TKOB.

Në skenë krijohet një ndërthurje mes operas, baletit dhe teatrit skenik, ku dialogjet mes aktorëve interpretohen në gjuhën shqipe duke krijuar një atmosferë emocionuese.

 

Johann Strauss-i i II

Johann Strauss-i i II-të është një kompozitor austriak, pasardhësi i Johann Strauss-it të parë. Të dy, babë e bir, arritën të hynin në historinë e artit botëror. Johann Strauss-i i parë bëri shpejt emër si kompozitor, violinist dhe dirigjent. Jeta dhe vepra e tij lanë gjurmë tek i biri, Johann Strauss-i i ri, i cili u ushqye me muzikën e bukur popullore dhe të kultivuar austriake si dhe me krijimtarinë e veprimtarisë muzikore të të atit. Ndoqi po atë rrugë dhe u bë muzikant, kompozitor, violinist dhe dirigjent, ashtu sikurse babai i tij.

Krijimet e tij artistike bënë bujë, duke e bërë këtë emër të njohur, aq sa me kohën u quajt Mbret i valsit.

Që në moshën 19 vjeçare ai u shfaq para publikut të Vienës si dirigjent orkestre, duke ekzekutuar kompozimet e tij, me të cilat fitoi famë të madhe dhe bëri për vete publikun.

Johann Strauss-i ka shkruar afro 500 kompozime të muzikës së vallëzimit, si: valse, polka, kadrila, galope etj. Me forcën e madhe të talentit të tij, shpërtheu në valset, të cilat janë plot melodi, freski dhe origjinalitet. Ato shquhen për ritmin e tyre, duke mos lënë pas edhe orkestracionin shumë tingëllues.

Strauss e ka pasuruar formën e valsit, duke sjellë veçori të reja tipike në ndërtimin ritmik të melodisë së tij. Në valset e Strauss elementët e artit muzikor popullor austriak bashkohen me muzikën e ngrohtë të jetës vieneze. Meloditë e valseve më të mira të tij, duke sjellë ndërmend ‘’Danubin blu’’, u bënë të njohura jo vetëm për austriakët, por për artdashësit në mbarë botën. Veprat e tij gëzojnë edhe sot një popullaritet të madh në Austri e më gjerë.

Në 1848, Johann Strauss shkroi një sërë valsesh si: “Këngë për lirinë”, ‘’Këngë barrikade”, “Këngë bashkimi”, “Marshe revolucionare”, por edhe shumë vepra të tjera. Pas vdekjes së babait mori drejtimin e orkestrës së tij, me të cilën bëri një turne të gjatë koncertesh në Europë dhe Amerikë, të cilat i sollën lavdi dhe famë botërore.

Johann Strauss ka qenë një nga dirigjentët më origjinalë. Duke i rënë violinës dhe në të njëjtën kohë duke drejtuar orkestrën, ai arriti një elasticitet të jashtëzakonshëm ritmik në ekzekutim. Ky gjeni, trajtonte vepra muzikore duke i interpretuar me shprehje e ngjyra të ndryshme tingujsh, duke tërhequr auditorin me temperamentin e tij të zjarrtë dhe lojën e shkëlqyer në violinë.

Nëpërmjet artit të hollë e me ndjenjë, ai skaliti karakteristikat e veçanta shpirtërore të popullit të tij, bukurinë e peizazhit austriak. Njëkohësisht, krijimtaria e Strauss përshkohet nga motive e melodi të muzikës së popujve të tjerë, pjesërisht të hungarezëve dhe sllavëve. Kjo vihet re në veprat e tij të krijuara për skenë.

Ai ka kompozuar 15 opereta, një opera komike dhe një balet, duke u cilësuar mjeshtër operetash. Në 30 vitet e fundit të jetës së tij, ai u mor më shumë me këtë gjini muzikore skenike.

Veprën e parë muzikore për teatër, Strauss e krijoi në vitin 1870 dhe vazhdoi të shkruajë në këtë gjini me plot energji deri në ditën e fundit të jetës së tij. Në veprat teatrale që ai krijoi, ashtu si dhe në ato koncertale, mbizotëron aroma e dansit e paraqitur në formën e valsit, polkës, galopit, çardashit e më gjerë, të cilat cilësohen si opereta vallëzuese. E tillë është edhe njëra prej operetave të Strauss “Lakuriqi i natës”. Karakteri vallëzues përshkon të gjithë numrat e partiturës, duke filluar që nga uvertura, në të cilën janë bashkuar të gjitha temat kryesore të operetës.

Ndër vepra të tjera të Strauss mund të përmendim edhe “Natë në Venecia” 1883, “Baroni cigan” 1885 etj.

Veprat e tij shquhen dhe vlerësohen nga kritika muzikore për nivelin e lartë artistik. Rëndësia e operetave të Johann Strauss, qëndron në radhë të parë në muzikën e tyre. Ai krijoi modelin klasik të “valsit vienez” dhe të operetës “vallëzuese”. Veprat e tij gjithashtu kanë një vlerë të madhe artistike sepse janë një pasuri e pashtershme melodish, vrulli të gëzuar dhe humori të përzemërt. Muzika e tij edhe pse ka kaluar shumë kohë që kur është krijuar, tingëllon përherë e freskët e magjepsëse.

 

PREMIERA E PARË BOTËRORE

“Lakuriqi i natës” (në gjermanisht, Die Fledermaus) është opereta më e famshme e Johann Strauss, me libret të Karl Haffner dhe Richard Genée nga “Le Réveillon” e Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy.

Kishte kaluar më shumë se një vit nga “E premtja e zezë” (9 Maj 1873) në të cilën bursa e Vienës pati një rënie drastike. Ndjenja e pesimizmit dhe e dëshpërimit vazhdonte të mbizotëronte në jetën e qytetarëve të kryeqytetit si edhe në teatro. Këto të fundit regjistruan një rënie të fortë në arkat e tyre, në atë periudhë. Të nxitur nga dëshira për t’i dhënë fund kësaj situate tragjike, drejtuesit e teatrit kërkuan produksionin e duhur që do i rikthente teatrit, publikun. Ata zbuluan një komedi franceze shumë të suksesshme nga Henri Meilhac (1831-1897) e Ludovic Halévy (1834-1908), të titulluar “Le Réveillon” (e cila rimerr në linja të mëdha “Das Gefängnis” (Burgu), një komedi shumë popullore dhe dramatike e libretistit gjerman Julius Roderich Benedix. U autorizua dramaturgu Karl Haffner që të bënte një përkthim në gjuhën gjermane. Haffner hasi vështirësi të mëdha në përshtatjen e veprës franceze për publikun dhe guston vieneze, si dhe puna e tij u cilësua e papërshtatshme.

Detyra e krijimit të libretit iu besua dirigjentit të Teatrit “An der Wien”, libretistit dhe kompozitorit Richard Genée (1823-1895).

Strauss u magjeps menjëherë nga Doktor Fledermaus, (duke qenë ky titulli i hartuar fillimisht për libretin e Genée), dhe filloi menjëherë punën. Ai pati një bashkëpunim të ngushtë me libretistin dhe arriti të kompletonte shumicën e partiturës muzikore në më pak se 42 ditë. Premiera e “Die Fledermaus”, (do të ishte kjo zgjedhja përfundimtare e titullit të operetës), ishte e parashikuar të ndodhte në shtator të vitit 1874, por për shkak të problemeve madhore financiare të teatrit “An der Wien”, u vendos të përshpejtohej.

Premiera, mes pritjes së përgjithshme, u zhvillua në të dielën e Pashkës, (më 5 prill 1874). Të shumta ishin kritikat për libretin, kastin dhe muzikën.

Ziehrer në faqen e tij të ‘’Deutsche Musikzeitung’’ shkruante:

« Edhe në këtë rast libreti nuk vlen shumë, muzika ka hijeshinë e saj, por nuk të rrëmben dhe opereta është shumë e gjatë, e tejmbushur me numra sipërfaqësorë dhe me personazhe të tillë. »

Megjithatë shtypi në lidhje me natën e parë u tregua shumë bujar në vlerësimet e Fledermaus-it. Gazetari i “Vorstadt Konstitutionelle-Zejtung”, shkroi:

“I tërë zhvillimi i mbrëmjes ishte në linjë me uverturën, duartrokitjet ishin të njëjtat si në fillim dhe në fund. Thuajse çdo numër është shoqëruar nga duartrokitjet e publikut, i cili mbante ritmin dhe në fund të çdo akti, Strauss i mbushur në djersë, ka lënë me nxitim podin e dirigjentit për të hipur në skenë dhe për të mirëpritur duartrokitjet duke falenderuar publikun.”.

Vorstadt Konstitutionelle-Zejtung theksonte se:

“Një sukses i jashtëzakonshëm për shkak të frymëzimit të pashtershëm të Strauss, një performancë e shkëlqyer. Ajo ishte një fitore në të gjitha frontet!”

Në 8 korrik të po atij viti, kjo vepër pati premierën e saj në “Deutsches Theater” – Berlin, në 14 nëntor në Budapest, 21 nëntor në New York, 18 prill 1875 në “Semperoper” të Dresda-s dhe në 26 qershor në “Teatro Nuovo” në Napoli, e përkthyer në italisht nga Enrico Golisciani, 10 korrik “Staatstheater am Gärtnerplatz” të Monaco-s dhe Baviera dhe në 18 dhjetor 1876 pati premierën e saj në Mbretërinë e Bashkuar në “Alhambra Theatre” të Londrës.

Personazhet:

Gabriel von Eisenstein, Bankier Tenor

Rosalinde, Bashkëshortja e Eisentein Soprano

Adele, shërbëtorja e Rosalinde Soprano

Ida, motra e Adele Soprano

Alfred, një tenor Tenor

Dr.Falke, noter Bariton

Orlofsky, një princ Rus Mezzosoprano

Frank, drejtori i burgut Bass

Dr. Blind, avokat Tenor

Frosch, gardian i burgut Aktor

Ivan, shërbëtori i Orlofsky Aktor

 

 

Opereta “Die Fledermaus” ne teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës – 1, 2 nëntor ora 19:00

Orkestra e TKOB

Dirigjent – Deniola Kuraja

Regjia – Renato Zanella

As/regji – Ada Gurra

Trupa e Baletit të TKOB

Drejtor Artistik i Baletit – Manjola  Hasani

Skenograf – Bashkim Zahaj

Kostumograf – Enada At’ Nikolla.

Dirigjent Kori – Dritan Lumshi

Koncertmaester – Etrita Ibrahimi, Ingrid Pulizo

 

Gabriel von Eisentstein Denis Skura 

Rosalinde Renisa Laçka,  Nina Muho

AlfredArmaldo Kllogjeri

AdeleRovena Xhelili, Ramona Tullumani

FrankErlind Zeraliu

OrlofskyVikena Kamenica

FalkeSolen Alla

BlindGilmond Myftari

Ida – Simona Karafili

Frosch – Xhieldo Hyseni

 

Koripetitor : Alisa Gjoni

Solistë kryesorë : Adela Muçollari dhe Dion Gjinika

Trupa e baletit :

Isida Mollaymeri

Elona Dervishi

Jonida Onuzi

Fatjon Lito

Anxhelo Muçollari

Kristi Dushmani

Brikena Mehmetukaj

 

 

PËRMBAJTJA

Akti i I

Nga jashtë dëgjohet zëri i Alfredos që i këndon një serenatë Rosalindës, zonjës së shtëpisë. Në atë moment, shfaqet shërbyesja Adele duke lexuar një letër. Motra e saj, Ida, që është një balerinë, e ka ftuar ta shoqërojë në një festë të organizuar nga princi i pasur rus Orlofsky. Për të marrë pjesë në një ballo, ajo duhet që vjedhurazi, t’i marrë Rosalindës një fustan. Alfred, që ndërkohë vazhdon të këndojë, ka pasur një marrëdhënie sentimentale me Rosalindën, disa vite përpara se ajo të martohej. Adele përpiqet të sigurojë pasditen e saj të lirë, ndaj i rrëfen Rosalindës se tetoja e saj është shumë e sëmurë dhe i duhet të shkojë ta vizitojë. Rosalinde refuzon ti japë leje, ndërkohë që Adele duhet të qëndrojë në shtëpi sepse burrit të saj, Gabriel Einsensten, i duhet të kalojë disa ditë në burg që të paguajë një dënim të lehtë. Adele fillon të qajë për faktin se nuk mund të shkojë në festë, por duhet të rrijë në shtëpi të kujdeset për zonjën e saj. Einsenstein-i debaton me akovatin e tij, Blind për faktin se dënimit të tij i janë shtuar edhe tri ditë më shumë. Përpara se të shkojë për të kryer dënimin, Einsenstein do të konsumojë drekën e tij të fundit para dënimit, prandaj dërgon Adelën të marrë ushqimin më të shtrenjtë në restorantin e tyre të preferuar.Në atë moment, vjen Dr. Falke, miku i ngushtë i Einsenstein-it, që e fton atë në festën e organizuar nga princi Orlofsky. Einsenstein është dakord, pasi burgu mund të presë edhe pak. Ai i kujton Dr. Falke-s ballon e fundit ku ishte veshur si një lakuriq nate. Adele vjen dhe sjell ushqimin për Einsensten. Papritur Rosalinde kujtohet se Adele duhet të shkojë të vizitojë teton e sëmurë dhe i jep leje të largohet, ndërsa për Eisenstein sa vjen e afrohet ora që të shkojë në burg për të kryer dënimin. Ata largohen, por në të vërtetë të dy nxitojnë për në festën e princ Orlofsky-t. E mbetur vetëm, Rosalinde përfiton nga rasti për të kaluar pak kohë me Alfred duke kujtuar historinë e tyre të dashurisë. Në këtë moment, shfaqet drejtori i burgut për të marrë Eisenstein. Të zënë ngushtë, Alfred shtiret si burri i Rosalindës, Eisenstein, dhe largohet bashkë me drejtorin e burgut.

Akti i II

Festa ka filluar në shtëpinë e Princit Orlofsky. Dy motrat takohen në festë. Ida habitet për prezencën e motrës së saj. Ajo e pyet se përse habitet kur ka qënë ajo vetë, që i ka shkruar një letër për ta ftuar në festë. Ida i përgjigjet që me siguri kjo është një shaka, sepse ajo nuk i ka dërguar asnjë letër. Madje shprehet se një kameriere si ajo nuk mund të marrë pjesë në festa të këtij klasi dhe prandaj vendos ta prezantojë të motrën si një aktore debutuese. Princi Orlofsky shfaqet i shoqëruar nga Dr. Falke duke i rrëfyer atij se edhe pse i pasur, ai nuk është i lumtur dhe nuk mund të qeshë. Por doktori i premton se surprizat do të jenë shumë të këndshme në festën e tij dhe gjatë kësaj kohe i pëshpërit planin për gjahun, Eisenstein. Të dy ata takojnë motrat Adele dhe Ida. Adele prezantohet si nje aktore me emrin Olga. Eisenstein ka ardhur në ballo me maskën e Marquit Renard. Falke prezanton kavalierin Chagrin. Natyrisht që s’ka kush të jetë tjetër veçse drejtori i burgut Frank. Eisenstein dhe drejtori i burgut, prezantohen me njëri-tjetrin pa e ditur në fakt se kush janë. Eisenstein flirton me Adele, ndërkohë në ballo shfaqet kontesha hungareze që në të vërtetë nuk është askush tjetër, veçse Rosalinde.

Falke i tregon asaj se Eisentein nuk është në burg, por ndodhet në këtë festë. Eisentein-it i pëlqen shumë e ashtuquajtura konteshë (e maskuar) dhe fillon ta joshë duke i treguar orën, me anë të së cilës ka pasur shumë sukses me gratë.

Ai i vjen rrotull konteshës, që përbrenda është duke shpërthyer nga inati, por vazhdon të luajë rolin e saj në mënyrë që të marrë orën si provë të pabesisë së burrit të saj.

Adele dhe Orlofsky pyesin Dr. Falke-n se kur do të fillojë shakanë e tij të quajtur “Lakuriqi i Natës”. Eisensteini i ndodhur aty pranë afrohet për të rrëfyer historinë.

“Në një ballo me maska, zoti doktor u paraqit si një lakuriq nate i bërë xurxull. Siç ishte me kostumin e lakuriqit të natës, e dërgova poshtë një peme në parkun e qytetit për të kaluar natën . Në mëngjes, për të shkuar në shtëpi, i duhej të kalonte përmes qytetit i veshur me kostumin e lakuriqit të natës. Kur e shikonin njerëzit gajaseshin së qeshuri.’’

Orlofsky e pyet:

“Për këtë shaka ai nuk ka marrë ende hak ?!”

Eisenstein:

“Nuk ka mundësi, por sidoqoftë unë duhet të kem shumë kujdes.”

 

Akti i III

Frosch, gardiani, pret me padurim shefin e tij Frank i shqetësuar nga këndimi i vazhdueshëm i Alfred në qelinë numër 12. Frank në fund shfaqet i ngazëllyer dhe i dehur nga mbrëmja magjike që kaluan në shtëpinë e princit Orlofsky, aty ku u shfaq si një sipërmarrës. Ida dhe Adele shfaqen aty për të bindur atë në lidhje me aftësitë e saj vokale, duke vijuar lojën e një nate më parë në festë. Adele shpreson se Frank mund ta ndihmojë që ajo të shfaqë aspiratat e saj në skenë. Pasi Adele dhe Ide largohen, vjen Eisensteini duke pranuar të kryejë dënimin e tij. Ai befasohet kur mëson se qelia që i takonte atij, ishte tashmë e zënë nga një njeri tjetër, që pretendon të jetë ai dhe se ishte gjendur në vetë shtëpinë e tij.

Blind arrin aty duke pretenduar se ishte thirrur nga njeriu në qelinë 12 për të trajtuar një rast të arrestimit të rremë. I vendosur për t’i shkuar deri në fund çështjes, Eisenstein rrëmben mantelin e Blind, syzet dhe parukën për të maskuar veten si avokat dhe për t’u përballur me mashtruesin. Në atë moment, Rosalinde shfaqet aty. Ajo përpiqet të sigurojë lirimin e Alfred dhe i kërkon Blind-it të përgatisë akuzat për divorcin kundër bashkëshortit të saj të urryer, por kacafytet kur “avokati” mban anën e Eisenstein-it. Duke zbuluar fytyrën e vërtetë pas maskës që mbante, Eisensteini akuzon gruan e vet për tradhëti dhe në këtë pikë, Rosalinde i tregon orën e tij. Eisenstein turpërohet.

Të gjithë të ftuarit fillojnë të këndojnë

“O lakuriq nate, o lakuriq nate, lëri viktimat e tua.’’

Falke sqaron: “Gjithçka që të solli shqetësim ishte një shaka që unë bëra, një trillim”.

Të tjerët përgjigjen:

“Dhe ne të gjithë kemi luajtur rolin”

 

 

 

Deniola Kuraja – Dirigjente

Deniola Kuraja u lind ne qytetin e Durrësit. Mësimet e para i merr në piano në shkollën e muzikes “Jan Kukuzeli“ në Durrës. Kreu studimet e larta për piano në Universitetin e Arteve që u pasuan nga të tjera studime në Itali dhe në Gjermani. Aktiviteti i saj artistik si soliste shtrihet në disa bashkëpunime me orkestrën e TKOBAP, RTSH, të Universitetit të Arteve nën dirigjimin e Rifat Teqja, Zhani Ciko dhe Alqi Lepuri. Deniola Kuraja është fituese e disa çmimeve, si çmimin e parë në konkursin “Pianisti i Ri”, dy herë fituese e çmimeve të treta në konkurset kombëtare “Tonin Harapi” dhe “Çesk Zadeja”, dhe vlerësim me diplomë në konkursin “Nikolla Zoraqi”. Eksperiencat profesionale janë si korrepetitore në klasën e flautit në Universitetin e Arteve, korrepetitore në TKOBAP dhe më pas do të orientohej në dirigjim. Fundi i vitit 2007 e gjen me një angazhim të operas gjermane “Der Zwerg” nga Alexander Zemlinsky të zhvilluar në “Teatrin e Operas dhe Baletiti” në Maqedoni. Nga Maji i 2008-ës krahas kontratës së punës si korrepetitore në “Shkollën e Lartë të Muzikës, Teatrit dhe të Medias” në Hannover, ajo thellon eksperiencat aty si dirigjente ku edhe mbyll studimet. Gjatë kësaj kohe dirigjoi koncert simfonik me orkestrën e Teatrit të Hildesheimit dhe asistent/dirigjente në “Perrallat e Hoffmannit” të Offenbach në TKOB. E ftuar në orkestrën simfonike të RTSH, dirigjente në “Vejushën gazmore” nga Lehar, si dhe në “Grand Gala” në TKOBAP, Deniola Kuraja, është solo/korrepetitore me dirigjim të detyruar në “Operan Shtetërore të Hannoverit”.