Rivënie e Operas “La Traviata” 16, 17, 18 nëntor në Pllatin e Kongreseve
Giuseppe Verdi (1813 – 1901)
Giuseppe Verdi u lind në Le Roncole, në 10 tetor të vitit 1813. Giuseppe
Verdi shfaqi që në vogëli talentin e tij të jashtëzakonshëm për muzikën. Në
formimin e tij kulturor influencë pati frekuentimi i bibliotekës së pasur të
shkollës së Jezuitëve në Busseto. Principet e kompozimit muzikor dhe të
praktikës instrumentale iu dhanë nga Ferdinando Provesi, por personaliteti
i tij artistik u formua në Milano. Në pamundësi për të ndjekur studimet në
Konservator pasi kishte kaluar moshën e pranimit, për një periudhë 3-vjeçare
ai ju dedikua mësimeve në teknikën e kontrapunktit nën drejtimin e Vincenzo
Lavinga, maestro i çembalos në La Scala.
Në vitin 1836 fitoi konkursin si maestro i muzikës në Bashkinë e Busseto-s
dhe në të njëjtin vit u martua me Margherita Barezzi nga me të cilën pati dy
fëmijë, Virginia dhe Icilio. Puna e sigurt dhe një rrogë fikse nuk e kënaqnin
egon e tij profesionale dhe për këtë arsye ai bashkë me familjen e tij u
shpërngulën në Milano. Në vitin 1840, Verdi arrin të realizojë në teatrin “La
Scala” operën e tij të parë “Oberto Conte di San Bonifacio”, vepër e cila
nuk pati suksesin e pritur. Në këtë periudhë fillon një moment i vështirë
për jetën e tij pasi humbet fëmijët dhe më pas të shoqen, Margherita.
Sipërmarrësi i teatrit milanez, Bartolomeo Merelli i ofroi një kontratë për
krijimin e dy veprave “Un giorno di regno”, opera komike, e cila pati vetëm
një shfaqje në 5 shtator 1840, premiera e së cilë ishte një dështim. Ishte
vepra e dytë “Nabucco”, premiera e së cilës u realizua në 9 mars të vitit
1842, ku talenti verdian u shfaq i plotë. Kjo vepër pati një sukses aq të
madh, saqë kori i Nabuccos këndohej dhe nëpër rrugët e qytetit. Modeli i
spektaklit madhështor, ku subjekti pikturohet me ngjyra të forta u përsërit
në operan pasardhëse “I lombardi alla prima crociata”, premiera e së cilës
u realizua në teatrin “La Scala” në datën 11 shkurt të viti 1843, vepër e cila
kaloi në një censurë shumë të fortë nga qeveria austriake, e cila bashkë me
operan “Nabucco” po përdorej nga populli italian si një himn patriotik si
formë revolte ndaj monarkisë Habsburge. Pas “Giovanna d’Arco”, Verdi u
largua nga “La Scala” dhe nga Milano, për tu vendosur në Paris e më pas
në vitin 1848 u rikthye në Busseto së bashku me Giuseppinën, gruaja me të
cilën u dashurua pas humbjes së familjes së tij. Shumë zëra pati mbi këtë
raport dhe për bashkëjetesën e tyre, e cila u zyrtarizua me martesë në vitin
- Gjatë atyre viteve, Verdi shkroi triologjinë popullore, “Rigoletto”, “Il
Trovatore” dhe “La Traviata”.
Gjatë kësaj kohe përfundoi dhe vila e tij, e cila u ndërtua në Villanova d’Arda
dhe u quajt “Vila Sant’Agata” ku ai u vendos përfundimisht. Ndërkohë Verdi
krijoi operën “La forza del destino”. Opera e cila e rikthehen në “La Scala”
e më pas kompozoi operan “Ernani”, premiera e së cilës u realizua në
teatrin “La Fenice” në Venecia në 9 mars të viti 1844 në të cilën eksperienca
dramatike u konkretizua në konfliktin e pasioneve të personazheve. Kjo
zgjedhje stilistike u pasua nga “I due foscari” e cila u shfaq në Romë në 3
nëntor të vitit 1844. Të gjitha veprat e fazës së parë të krijmtarisë verdiane
diferencohen nga njëra- tjetra sepse secila nga ato eksploron njërin ose
tjetrin aspekt të eksperiencës dramatiko-muzikore. Kështu në moshën 34
vjeçare, kompozitori arriti famë ndërkombëtare dhe operat e tij viheshin
shumë shpesh nëpër teatro. Propozoi “Messa da Requiem”, një homazh i
përbashkët i muzikantëve itlianë për muzikantin më të madh dhe të artit të
tyre në vitin 1869. Realizon operan “Aida” në teatrin e operas së Kairos, në
24 dhjetor të viti 1871. Vijon me krijimet e “Quartetto Napoli” e cila u shfaq
në 1 prill të viti 1873. “Otello”, e cila premierën e pati në teatrin “La Scala” në
Milano – 5 shkurt 1887. Parabola artisitke e Verdit mbyllet me kompozimin e
tre pjesëve kishtare: “Stabat Mater”, “Te Deum” vepër për kor dhe orkestër
me formacion të madh dhe “Ave Maria” për kor a cappela, të cilën e kishte
krijuar më parë. Vdekja e tij shënon mbylljen e një etape në jetën e kulturës
italiane.
PREMIERA E PARE NË BOTË
“La Traviata” është një opera me tre akte e kompozitorit Giuseppe Verdi
me libret të Francesco Matia Piave. E bazuar në librin e Alexandre Duma
– “Zonja me kamelie”. Kjo opera konsiderohet pjesë e triologjisë popullore
të Verdit, së bashku me operan “Il trovatore” dhe “Rigoletto”. Premiera e
parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Ndoshta për
shkak të mungesës së interpretëve me nivel të lartë dhe për temën, e cila
u konsiderua e zymtë dhe skandaloze, nuk pati suksesin që autori priste.
“La Traviata” u rishfaq në 6 maj të vitit 1854 në teatrin “San Benedetto” –
Venecia, këtë herë në një version të ripunuar dhe me solistë të nivelit të lartë,
si: Maria Spezia Aldighieri dhe e dirigjuar nga vetë kompozitori. Këtë herë
vepra pati suksesin e merituar.
Për shkak të kritikave të shoqërisë borgjeze, opera në teatrot e Firences,
Bolonjës, Parmës, Napolit dhe Romës u ndryshua nga çensura e kohës
dhe u rishfaq në skenë me disa pjesë krejtësisht të shtrembëruara. Sipas të
dhënave të publikuara nga Operabase në 2013, është opera më e shfaqur
në botë në pesë sezonet e fundit, me 629 shfaqje.
DHJETOR 2016
PERSONAZHET DHE INTERPRETËT
Orkestra Simfonike e TKOB
Dirigjent: Ricardo Casero
Regjisore: Magdalena Fuchsberger
Video Artist: Aron Kitzig
KORI I TKOB
Dirigjent Kori: Dritan Lumshi
TRUPA E BALETIT
Koreografia & Solistë
Enada Hoxha, Gerd Vaso
Kostumograf: Ardi Asllani
Koncertmaestër: Etrita Ibrahimi, Ardita Bufaj, Ingrid Pulizo
Violetta Valery’ – Eva Golemi, Perrine Madoeuf
Alfredo Germont – Armaldo Kllogjeri, Giuseppe Tommaso
Giorgio Germont – Ylber Gjini, Gocha Abuladze
Flora- Bervoix – Shpresa Beka, Ivana Hoxha
Annina – Simona Karafili
Gastone – Denis Skura
Baron Douphol – Sidrit Bejleri, Ogert Islami
Marchese d’Obigny – Ogert Islami, Edvin Kastrati
Doktori Grenvil – Sokol Hidërsha
Giuseppe – Erlind Zeraliu
Un Commissionario – Genc Vozga
Magdalena Fuchsberger Regjizore
Magdalena Fuchsberger u lind në Salzburg – Austri. Ajo u diplomua në
Universitetin e Muzikës dhe Artit në Vjenë ku studioi me pedagogun Reto
Nickler. Ka realizuar produksionet e operave: “I Capuleti e i Montecchi” –
Bellini dhe operetën e Franz Lehár – “Tsarevich” . Në sezonin artistik 11/12
– 14/15 u punësua nga Jossi Wieler në teatrin e operas të Shtutgard si
asistent regjizore. Ajo ka punuar me regjisor si: Jossi Wieler, Sergio Morabito,
Stefan Herheim, Andrea Breth, Claus Guth, Andrea Moses, Olivier Tambosi
dhe Emmy Werner. Magdalena Fuchsberger debutoi si regjisore në skenën
operistike gjermane me operën “Otello” të Giuseppe Verdi në “Gut Immling
Festival Opera” në verën e vitit 2014.
Koncepti regjisorial
Dëshiroj që kjo vepër të ketë si kolokacion temporal periudhën e “Belle
Eqoque” të viteve 1890-1910. Fundi i shekullit ku psikologjia njërëzore filloi
të ishte tepër e rëndësishme. Është periudha e elegancës, por dhe e një
dekadence masive. Skena do të jetë thuajse e boshatisur dhe për këtë arsye
është tepër e rëndësishme të ketë kostume të bukura dhe shumëngjyrëshe.
Dua ta tregoj historinë në një mënyrë mjaft elegante, të mbushur me pasion
dhe shumë emocionale. Për mua “La Traviata” është një opera shumë e
brishtë, gjithashtu muzika – posaçërisht preludët – janë shumë të brishtë
dhe të butë. Është njësoj sikur personazhet janë duke vallëzuar në një
akull shumë të hollë, sikur ata janë të vetëdijshëm për sa e shkurtër është
jeta dhe se gjithçka mund të mbarojë shumë shpejt. Ne nuk jemi në një
shoqëri të pasur dhe të fortë. Kjo shoqëri është e brishtë, e lehtë, e zbehtë,
inteligjente, e arsimuar, snob-e, e ndjeshme, artistike, ‘e mbushur me lule’,
simbolikë e gjallë dhe poetike! Pak si në “Epoche Jugendstil”. Është sikur
personazhet të ndjejnë luftën e ardhshme botërore dhe se e gjithë jeta e tyre
do të ndryshojë së shpejti. Për këtë arsye ata kanë në mendje vetëm: pirjen,
ngrënien, vallëzimin, dashurinë dhe zbavitjen, por në një mënyrë shumë
melankolike dhe poetike. Dyshemeja do të jetë plot me lule të ndryshme
që nga fillimi I shfaqjes. Lule si një simbol i lulëzimit dhe tharjes, një
simbol i dashurisë, jetës dhe vdekjes dhe një simbol i “Belle Epoche” dhe
“Jugendstil” në përgjithësi. Në qendër të skenës do të vendoset një shtrat i
madh i shekullit të 19-të i mbuluar me çarçaf të bardhë. Në një formë gjysëm
rrethi pas krevatit janë mobilje të tjera. Në prelud shohim Violetën ulur në
buzë të krevatit me një këmishë të bardhë, të thjeshtë, të shkurtër. Preludi
është muzika e aktit të tretë ndaj në prelud shohim Violetën të vetmuar.
Akti i parë dhe i dytë janë si një kujtim që i rikthehet, si një flashback. Gjatë
ballos në shtëpinë e Florës ndodh dhe skena më dekadente. E konceptuar
sikur ndodhemi brenda “Moulin Rouge”. Ballot në shtëpinë e Violetës dhe
të Florës janë shumë të ndryshme. Flora në përgjithësi është një natyrë më
direkte dhe jo aq sensitive dhe inteligjente sa Violeta. Flora e mer jetën më
të gjallë dhe më lehtë. Ajo nuk është një karakter shumë i thellë. Në ballon
e Florës temat kryesore janë thashethemet, kartat e lojës dhe disa drama
të mëdha publike. Pasi mbaron preludi në aktin e tretë Violeta rikthehet në
të tashmen.
Në skenë do të interpretoj dhe një çift baleti (Violeta dhe Alfredo), të cilët
vallëzojnë një pas de deux gjatë preludit të aktit të parë dhe gjatë preludit të
aktit të tretë. Ky çift simbolizon dëshirën dhe ëndrrën e pamundur të Violetës
për të ndarë një jetë me dashurinë e saj të madhe, Alfredon.
Ricardo Casero Dirigjent
Pas 28 vitesh karrierë si interpretues, puna e tij si trombonist solist, ndërthuret
me atë të drejtorit të orkestrës së “Palau de les Arts Reina” në Sofie. Si
dirigjent, bashkëpunëtor i kësaj orkestre, ka punuar me Leonardo Berstein,
Daniel Harding, Claudio Abbado, Zubin Mehta, Lorin Maazel, Lawrence
Foster, Riccardo Chailly dhe Valery Gergiev.
Ricardo Casero është drejtor i orkestrës “Mbretëria e Aragonit” në Spanjë. Di
drejtues i kësaj orkestre ai ka punuar me solistë si: Maxim Vengerov, Sarah
Chang dhe Natalia Gutman. Është dirigjenti kryesor i “Master Symphony
Orchestra”, një pozicion që e mban prej vitit 2007.
Aron Kitzig Video Artist
Aron Kitzig është skenograf i pavarur dhe regjisor nga Berlini. Studioi për
dizajn dhe grafik. Prej vitit 2003 punoi si bashkë themelues dhe pjesë e
bordit të shoqatës “Strohlinka” dhe në grupin e pavarur teatror “Ekipi
Odradek”. Nën drejtimin e Jonas ZIPF ka realizuar vepra si: Solaris (2005,
Berlin), Betejat Hermann (2007 – Stuttgart) dhe Kalvarit (2008, Munich). Ai
ka punuar si regjisor i pavarur dhe skenograf, gjithashtu është aktiv për vite
me radhë dhe në fushën e muzikës bashkëkohore. Ndër të tjera ka prodhuar
dhe video muzikore për disa ansamble muzikore. Në vitin 2014 ai krijoi
imazhet video për operën “Turandot” në “Festivalin e Liqenit” – Bregenz,
drejtuar nga Marco Arturo Marelli. Në vitin 2015 krijoi imazhet video për
operën shtetërore të Vjenës, përsëri për operën “Turandot”. Kitzig në “Music
Bienalen – 2016” në Mynih ka realizuar në bashkëpunim me Meriel një
ekspozitë me prodhimet e tij video. Prej verës së vitit 2016 ai punon me
regjisoren Magdalena Fuchsberger në Plovdiv, punë e filluar me shfaqjen e
parë të realizuar së bashku: “Holandezi fluturues”.
RIVËNIA E OPERAS “LA TRAVIATA”
NENTOR 2018
Orkestra Simfonike e TKOB – Kori i TKOB
Dirigjent: Ermir Krantja
Regjisore: Magdalena Fuchsberger
Video Artist: Aron Kitzig
Kuroi rivënien regjisoriale: Ada Gurra
TRUPA E BALETIT
Koreografia & Solistë
Enada Hoxha, Gerd Vaso
KORI I TKOB
Dirigjent Kori: Dritan Lumshi
Kostumograf: Ardi Asllani
Koncertmaestër: Etrita Ibrahimi, Ardita Bufaj, Ingrid Pulizo
PERSONAZHET DHE INTERPRETËT
Violetta Valery’ – Eva Golemi, Ramona Tullumani, Nina Muho
Alfredo Germont – Armaldo Kllogjeri, Nestor Sanchez Barrientos
Giorgio Germont – Ylber Gjini, Dragutin Matiz, Sollen Alla
Flora- Bervoix – Shpresa Beka, Simona Karafili
Annina – Ina Gaqi
Gastone – Denis Skura, Gerald Murrja
Baron Douphol – Genc Vozga, Ogert Islami
Marchese d’Obigny – Antonio Zefi, Ogert Islami
Doktori Grenvil – Xhieldo Hyseni, Bledar Domi
Giuseppe – Erlind Zeraliu
Un Commissionario – Sokol Tomorri
Ermir Krantja Dirigjent
Ermir Krantja u lind në Tiranë në 06 mars të vitit 1947 në një familje me
traditë të fortë muzikore. Babai i tij, Mustafa Krantja është dirigjenti i parë
profesionist shqiptar dhe themelues i të gjitha institucioneve orkestrale
të mbas luftës në Shqipëri. Ai ndikoi shume që Ermiri, përveç kulturës
së muzikës shqiptare, të pasurohej që në moshë fare të re me kulturën
perëndimore në përgjithësi dhe me atë çeke e slovake në veçanti. Ermir
Krantja është diplomuar në liceun artistik “Jordan Misja” për violine me Prof.
Genc Bogdo (1965) duke plotësuar studimet njëkohësisht për harmoni me
Prof. Simon Gjoni. Vazhdoi studimet në Akademine e Arteve për dirizhim
orkestral nën drejtimin e të atit, dirizhim koral në klasën e Prof. Kostandin
Trako dhe muzikologji në klasën e Prof. Çesk Zadeja. Përfundoi studimet
në vitin 1970 duke u vlerësuar me maksimumin e pikëve nga komisioni
shtetëror dhe menjëherë u emërua si dirigjent në orkestren e RTSH me të
cilën filloi një program të vazhdueshëm koncertesh për publikun.
Nga viti 1975 deri në vitin1979 mbajti postin e dirigjentit të orkestres
simfonike të Shkodrës me të cilën, në mënyrë të dukshme zhvilloi traditën
e pasur të kulturës së muzikës shkodrane duke filluar që nga festivalet e
femijëve, ato të muzikës popullore apo të këngës e muzikës së lehtë e deri
tek koncertet e rregullta simfonike të cilat kulmojnë me realizimin e operave
të ndryshme. Ky aktivitet intensiv dhe kualitativ në të njëjtën kohë solli edhe
themelimin e Filarmonisë së Shkodrës në vitin1977.
Në vitin 1979 kthehet në Tirane si dirigjent ne T.O.B dhe në të njëjtën
kohë emërohet si pedagog i dirizhimit orkestral dhe i klasës së muzikës
së dhomës për harqet në Akademinë e Arteve. Nga viti 1974 deri në fund
të viteve ’80, Krantja është fitues i disa çmimeve të para në koncertet e
“Dekadave të Majit” dhe në vitin 1985 ai mori titullin “Artist i Merituar”.
Në vitin 1989 ai përzgjidhet të bëjë një “stage” pranë orkestrës prestigjioze
të RAI (Torino), ku pati edhe takime e shkëmbime idesh të vyera me mjeshtra
botërorë si:
Carlo Maria Giuglini (Itali), Rafael Fruehbeck de Burgos (Spanje) dhe
Ferdinant Leitner (Zvicer). Një vit më vonë Krantja vendoset në Francë
pranë fondacionit “Yehudi Menuhin”, si asistent i mjeshtrit të madh francez,
Pièrre Derveaux duke marrë pjesë në masterclass të zhvilluar me dirigjente
të rinj nga Evropa Qendrore e Lindore si edhe me pjesëmarrës nga SHBA
e Kanada.
Ermir Krantja është i pari artist shqiptar që preku Amerikën në nivel
istitucional dhe me këtë rast pati mundësinë të njohë e të studiojë një
eksperiencë të pasur organizative e artistike në institucione si “Opera e
San Francisco”, “Metropolitan Opera” (New York), “Simphony Chicago
orchestra”, nëpërmjet një programi të detajuar e mjaft konstruktiv nga “The
United States Information Agency”, eksperiencë kjo që dha frytet e veta
në TKOB në një moment shumë të vështirë për teatrin nga viti 1992 deri në
vitin 1996.
Krantja ka dirizhuar në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali, Francë,
Zvicer, Gjermani, Kosovë, Bullgari, Turqi, Republika Çeke, Maqedoni,
Greqi. Është anëtar, themelues i Akademisë së Teatrit Muzikor Europian
(Gjermani). Në vitin 2006 në bashkëpunim me RAI-in dhe Mediaset
(Itali) regjistroi në Pragë me orkestren nazionale çeke, kolonat zanore
të serialeve televizive italiane “Questa è la mia terra” për Canale 5 dhe
“Giorni da Leone” për RAI 2, me muzikë të kompozitorit Savio Riccardi.
Është nderuar me:
– Medaljen “Naim Frashëri” (30/09/1982)
– Titullin “Artist i Merituar” (30/07/1985)
– Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të dytë (07/09/1989)
– Urdhëri “Naim Frashëri” i artë (11/05/2007)
– Grand’accademico “Honoris causa” dell’Accademia Imperiali
internazionale (Itali) (15/12/2012)
– 24/04/2013 në cilësinë e Grand accademico imperiali,
“Honoris Causa” i jepet çmimi “STELLA D’ORO”.
SINOPSI “La Traviata”
Violeta vishet me velut dhe dantella të kushtueshme. Ajo pi shampanjën
më të mirë në gota kristali. Festat e saj janë legjendare, shoqëria e saj e
dëshiruar. Ajo është e lirë, me shpirt të lirë dhe jeton jashtë kufijve të
shoqërisë. Për këtë kurtizane, duket sikur festa nuk do të përfundojë kurrë.
A mund të ndryshojë një dashuri e vogël gjithçka?
Opera “La Traviata” është aq e famshme sepse ajo vendos në skenë një
jetë që mundet vetëm ta ëndërrojmë. Me magjepsjen e saj, gëzimet dhe
dhimbjet.
Muzika e Verdit këndon lirinë me meloditë fluturuese, gjallëron pëshpëritjet
dhe na lë në fund me duete pasionante në zemrat e lënduara.
PËRMBAJTJA
Akti i parë
Violetta Valéry, një kurtizane e re e njohur në shoqërinë e lartë pariziene,
organizon një festë në shtëpinë e saj. Ajo prezantohet me Alfredo Germont,
i magjepsur pas saj prej një kohe të gjatë. Ai është interesuar çdo ditë për
shëndetin e saj. Të ftuarit tallen me këtë qëndrim kaq naiv dhe emocional
dhe i kërkojnë Alfredos të ngrejë një dolli. Ai ngre një dolli për dashurinë
e vërtetë dhe Violetta i përgjigjet me një dolli për dashurinë e lirë. Ajo
preket nga sjellja e tij e sinqertë dhe e ndershme. Papritmas nuk ndihet
mire. Të ftuarit fillojnë të largohen, vetëm Alfredo mbetet pranë saj dhe i
deklaron dashurinë e tij të thellë. Violetta i rrëfen se nuk ka vend për ndjenja
të tilla në jetën e saj, por i dhuron atij një lule kamelie, duke i kërkuar që të
kthehet kur lulja të jetë vyshkur. Alfredo gëzohet kur kupton se do ta shohë
përsëri të nesërmen. Violetta është e dyzuar: nga njëra anë ajo nuk do të
braktisë mënyrën e saj të jetesës, por nga ana tjetër ajo nuk arrin dot të
luftojë dëshirën për të qenë e dashuruar me të vërtetë.
Akti i dytë
Violetta ka vendosur t’i dorëzohet dashurisë së Alfredos dhe të shijojnë
së bashku jetën e tyre të re në fshat, larg nga kaosi social. Alfredo kupton
se Violetta është duke shitur pronat e saj në Paris. Ai vendos të shkojë në
kryeqytet për të gjetur para. Violetta merr një ftesë për një festë me maska,
por nuk ka më dëshirë të jetë pjesë e këtyre dëfrimeve. Në mungesë të
Alfredos është babai i tij, Giorgio Germont që shkon për ta vizituar. Ai i kërkon
të ndahet nga i biri, për shkak se marrëdhënia e tyre rrezikon martesën e
ardhshme të vajzës së tij, por gjatë diskutimit, George kupton se Violetta nuk
është e interesuar tek pasuria, por ajo është një grua që e do atë pa kushte.
George më pas përpiqet t’i shpjegojë Violett-ës, nga këndvështrimi borgjez
se marrëdhënia e tyre nuk mund të ketë një të ardhme. Violetta përpiqet
të rezistojë, por shumë shpejt pranon të ndahet nga Alfredo përgjithmonë.
Vetëm pas vdekjes së saj Alfredo duhet të dijë të vërtetën për ndarjen e tyre.
E mbetur vetëm ajo shkruan një letër lamtumire për Alfredon dhe më pas
vendos t’i rikthehet jetës së saj të vjetër dhe pranon ftesën për në festë. Me
t’u kthyer, Alfredo gjen letrën e Violettës dhe lejon të atin e tij ta ngushëllojë.
Alfredo kujton premtimet e një jete familjare, nervozohet kundër Violett-ës
dhe zotohet se do të hakmerret.
Në ballo lajmi për ndarjen e Violett-ës dhe Alfredo-s fillon të qarkullojë midis
të ftuarve. Ndërkohë vjen Alfredo dhe pas tij Violetta me të dashurin e saj
të ri, Baron Douphol. Alfredo sfidon Baronin në një lojë me letra dhe fiton të
gjithë pasurinë e tij: me fat në lojë, i pafat në dashuri.
Kur festa është duke mbaruar, Alfredo i mbetur vetëm me Violettën i
kërkon shpjegime për sjelljen e saj, por ajo vazhdon të insistojë dhe t’i thotë
që është e dashuruar me baronin. I zemëruar, Alfredo thërret të ftuarit si
dëshmitarë, betohet se nuk do t’i ketë asnjë boxh Violett-ës, i hedh paratë e
fituara në fytyrë dhe largohet. Giorgio Germont shikon gjithshka dhe qorton
të birin për sjelljen e tij, kurse Baroni e sfidon atë në një duel.
Akti i tretë
Violetta është duke vdekur. Miku i saj i vetëm, Dr. Grenvil i thotë Anninës
se asaj i kanë mbetur vetëm pak orë jetë. Babai i Alfredos i ka shkruar
Violett-ës për ta informuar për fitoren e djalit të tij në duelin kundër baronit.
I mbytur nga ndjenja e fajit, ai i ka traguar të birit për sakrificës e Violettës.
Alfredo dëshiron të arrijë atje sa më shpejt të jetë e mundur. Violetta ka
frikë se është tepër vonë. Zhurma e një feste tjetër dëgjohet jashtë, ndërsa
Violetta është e rrëmbyer nga një agoni e vdekshme. Alfredo mbërrin duke
shkaktuar tek Violetta një eufori finale. Energjia dhe gëzimi i saj rikthehen,
ndërsa dhimbja duket sikur zhduket, iluzioni i fundit përpara se vdekja ta
marrë atë përgjithmonë.