“Cavalleria Rusticana”, nga një grup realizuesish krejtësisht të rinj të cilët ngjitën në skenë kastin e artistëve të karrierës së #TKOB, solistët, korin, dhe solistët e rinj të baletit.

Së shpejti #online në Facebook, YouTube, www.tkob.gov.al dhe RTSH HD 1

Grupi realizues:

Ada Gurra, Klejvis Saliaj, Enis Tafaj, Alisa Gjoni

Dirigjent: Edmond Doko

Pianiste:Etrita Ibrahimi

Kori i TKOB

Dirigjent Kori: Dritan Lumshi

Personazhet dhe interpretët:

Santuzza – Eva Golemi, Shpresa Beka

Turiddu – Denis Skura, Armaldo Kllogjeri

Alfio – Armando Likaj

Lola – Ivana Hoxha

Mama Lucia – Ina Gaqi

Balerinë: Isida Mollaymeri, Erald Zela, Kevin Lila, AmbraTroplini, Ervis Koçeku, Sabina Maklekaj.

Sinopsi:

Një fshat të Siçilisë, rreth vitit 1900. Në të gdhirë të së Dielës së Pashkëve, Turiddu këndon në distancë për dashurinë e tij ndaj Lolës, gruan e tregtarit Alfio. Ajo dhe Turiddu kishin qenë të dashuruar përpara se ai t’i bashkohej ushtrisë. Kur ai u kthye nga ushtri dhe e gjeti Lola-n të martuar me Alfion, joshi Santuzza-n, por tani e ka braktisur atë dhe ka rindezur marrëdhënien e tij me Lola-n. Vonë në mëngjes, Santuzza e tronditur i afrohet tavernës së Mamma Lucia-s, nëna e Turiddu-së, e cila i thotë  që djali i saj është larg duke blerë verë. Por Santuzza e di që Turiddu është parë në fshat gjatë natës. Alfio arrin me një grup burrash, duke u mburrur me kuajt e tij dhe me Lola-n. Ai e pyet Mamma Lucia-n nëse ka akoma nga vera e saj e mirë. Kur ajo thotë se Turiddu ka shkuar për të marrë më shumë, Alfio i përgjigjet se e pa atë pranë shtëpisë së tij po atë mëngjes. Lucia është e befasuar, por Santuzza i thotë asaj të heshtë. Ndërsa fshatarët ndjekin procesionin për në kishë, Santuzza qëndron prapa dhe shpreh pikëllimin e saj për Turiddu-në te Mamma Lucia. Gruaja e vjetër i shpreh keqardhje, pastaj largohet për në meshë. Turiddu arrin në shesh. Kur Santuzza përballet me të për lidhjen e tij me Lola-n, ai i mohon akuzat e saj. Pikërisht, atëherë Lola kalon andej, rrugës për në kishë. Ajo tallet me Santuzza-n, dhe Turiddu kthehet ta ndjekë pas. Santuzza i lutet që të qëndrojë dhe që të mos e braktisë. Duke refuzuar ta dëgjojë, Turiddu largohet dhe Santuzza dhe e mallkon atë. Shfaqet Alfio, vonë për meshën. Santuzza i thotë atij se Lola shkoi në kishë me Turiddu-n dhe zbulon se ajo e kishte tradhtuar Alfio-n. . Në gjaknxehtësi e sipër, Alfio betohet të hakmeret dhe largohet me rrëmbim, duke lënë pas Santuzza-n që tashmë e bren ndërgjegjja.

Duke u kthyer nga kisha, fshatarët mblidhen në tavernën e Mamma Lucia-s. Turiddu i udhëheq me këngë e të pira, por atmosfera tensionohet kur shfaqet Alfio. Ai refuzon ftesën e Turiddu për të pirë verë dhe e sfidon atë në një duel me thika. Turiddu pranon fajin, por është i vendosur të vazhdojë me duelin për hir të Santuzza-s, si dhe për nderin e tij. Të dy burrat bien dakord të takohen jashtë fshatit. I vetëm me nënën e tij, Turiddu i lutet që të kujdeset për Santuzza-n nëse ai nuk kthehet, pastaj vrapon për në duel. Ndërsa Mamma Lucia pret me ankth, nga larg dëgjohen britma. Një grua vrapon duke thirrur se Turiddu është vrarë.