Kompozimet e mjeshtrit të madh, Ennio Morricone, të njohura botërisht për stilistikën e përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe seriale televizive,  do të vinë më 5 qershor, ora 20:00, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane, organizuar nga Ministria e Kulturës.
 Shoqëruar mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, nën drejtimin e maestros, Benedetto Montebello, dhe Dritan Lumshi, ky koncert simfonik do të përkujtojë  një ndër kompozitorët më të shquar të 100 viteve të fundit.