Yjet do të ndrijnë në qytetin antik të Butrintit, mbledhur nga artisti shumëdimensional, Timo Flloko!
Nën idetë regjisoriale të “muzës” së tij, Vera Grabockës, shumë artistë të mirënjohur në arenën kombëtare e ndërkombëtare, do të ngrenë në piedestalet më të larta, poezitë e Timo Fllokos, për jetën e dashurinë.
Ndjenjës më të bukur njerëzore do t’i drejtohet që nga tenori, i cili ngriti në këmbë teatrot më me emër në botë, Saimir Pirgu, sopranoja virtuoze që mahnit kudo me zërin e saj, Nino Machaidze, shoqëruar denjësisht nga Orkestra Simfonike e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Ndërsa vetë i madhi Timo Flloko, do interpretojë shoqëruar me violinë nga drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, dhe në piano nga Herta Cane.
Një ngjarje e rëndësishme kjo që hap siparin e shumë koncerteve të tjera artistike të titulluar “TINGUJ VERE” që TKOB do të zhvillojë përgjatë sezonit veror 2023!
Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku!