1, 2, 3, 4 dhe 5 Nëntor 2022 | Ora: 12:00

Holli koncertot  i TKOBAP

“La Serva Padrona” është një vepër plote humor, dhe jo me kot me të nis epoka e “opera buffa”. Kjo vepër është përzgjedhur për tu shfaqur për femijët për shkak të historisë komike të saj por dhe për shkak të gjatësisë së saj prej 40 minutash. Është vepra e duhur për femijët të cilët vijnë për herë të parë të shohin një vepër operistike. Gjiitashtu  me ketë vepër nis dhe nisma më e re e TKOB për opera për familje duke përfshirë në publik femijët dhe prindërit e tyre.

 

Kompozitor – Giovan Battista Pergolési

Libreti i  Gennaro Antonio I

Regjisor – Ada Gurra

Dirigjent – Dritan Lumshi

Skenograf – Dea Bejleri

Kostumografe – Dea Bejleri

Solistët lirik –  Rovena Xhelili, Artur Vera, Kristian Koroveshi

Formacioni instrumental:

Violinë I – Anduena Sula

Violinë II – Romina Tafaj

Violë – Albana Leka, Arjan Konçi

Violinçel – Ejona Nako

Kontrabas – Oltjon Lila

Koncertmaestër dhe Cembalo – Etrita Ibrahimi

 

Personazhet dhe Interpretët:

Rovena Xhelili  – Serpina

Artur Vera – Uberto

Kristian Koroveshi – Vesponte

 

Diçka më shumë rreth veprës

La serva padrona është një “Intermezzo Buffo” e famshme e Giovan Battista Pergolesi-t. Kompozuar për ditëlindjen e Elisabetta Cristina-s të Brunswick-Wolfenbüttel me libret të Gennaro Antonio Federico-s, u interpretua për herë të parë në Teatrin San Bartolomeo në Napoli më 28 gusht 1733, si një intermezzo e operës serioze “Il prigionier superbo” të Pergolesi-t, e cila ishte e destinuar të mos arrinte asnjëherë famën e “La Serva Padrona”. Premierës së saj të parë i atribuohen dhe fillimet e zhanrit të ri të “Opera Buffa”. Të njëjtin libret e rimori dhe Giovanni Paisiello për operën komike me të njëjtin titull. Në 1734 pati premierën e saj të parë në Académie Royale de Musique në Paris dhe në Pallatin e Versajës, në 1746 në Théâtre-Italien në Paris dhe në 1750 në “Her Majesty’s Theatre”, Londër. Suksesi i madh i rivënies së vitit 1752 të “Académie Royale de Musique” ndezi një mosmarrëveshje, të njohur si “La Querelle des bouffons”, midis mbështetësve të operës tradicionale franceze, të mishëruar në stilin e Jean-Baptiste Lully dhe JeanPhilippe Rameau, dhe mbështetësve të operës së re italiane “Opera Buffa” duke përfshirë disa enciklopedistë, në veçanti Jean Jacques Rousseau, dhe ai gjithashtu një kompozitor. Mosmarrëveshja ndau komunitetin muzikor francez dhe oborrin mbretëror (me mbretëreshën në krah të “Italianëve”) për dy vjet dhe çoi në një evolucion të shpejtë të shijes muzikore të vendit transalpin drejt modeleve më pak skematike dhe më moderne. Në 1754 u realizua rivënia e kësaj vepre në Théâtre-Italien me titullin “La servante-maîtresse” me vargje të përkthyera nga Pierre Baurans dhe Charles Simon Favart dhe në 1862 premiera në Opéra-Comique në Paris me Célestine Galli-Marié.

 

SINOPSI

Intermezzo 1 Paradhomë

Uberto, i cili sapo është zgjuar, është i zemëruar pasi shërbëtorja e tij, Serpina, është duke i vonuar shërbimin e mëngjesit me filxhanin me çokollatë me të cilin ka për zakon të fillojë ditën (“Aspettare e non venire”) dhe sepse shërbëtori, Vespone, nuk i ka pastruar akoma fytyrën. Ai më pas dërgon djalin në kërkim të Serpinës. Ajo shfaqet pas një kohe të caktuar dhe pretendon se është e lodhur, dhe se, pavarësisht se është një shërbëtore, ajo dëshiron të respektohet dhe të nderohet si një zonjë e vërtetë. Uberto e humbet durimin duke i thënë vajzës së re që të ndryshojë sjellje (“Sempre in contrasti con te si sta”). Serpina, aspak e prekur, ankohet nga ana e saj se ajo merr vetëm qortime pavarësisht nga kujdesi i vazhdueshëm që i kushton zotërisë së saj dhe e urdhëron atë të heshtë (“Stizzoso, mio stizzoso”). Uberto nxehet dhe vendos të marrë një grua në mënyrë që të ketë dikë që mund të jetë në gjendje t’i kundërvihet shërbëtores, urdhëron Vesponen të shkojë në kërkim të një gruaje për t’u martuar dhe i kërkon që të sjellë rrobat dhe shkopin për të dalë. Serpina e urdhëron atë të qëndrojë në shtëpi sepse tani është vonë, dhe se nëse ai guxon të dalë, ajo do ta mbyllë jashtë. Fillon një grindje e ndezur, e cila siç duket ka ndodhur tashmë disa herë, dhe në të cilën Serpina i kërkon të zotit të martohen, por Uberto refuzon prerazi (Dueti “Lo conosco a quegli occhietti / Signorina v’ingannatev”).

Intermezzo 2 E njëjta para dhomë

Serpina ka bindur Vesponen, me premtimin se ai do të jetë një ‘pronar i dytë’, për ta ndihmuar në qëllimin e saj për t’u martuar me Uberton, kështu që Vespone është maskuar si Kapiten Tempesta dhe po pret të hyjë në skenë. Serpina përpiqet të tërheqë vëmendjen e Ubertos, duke i zbuluar atij se edhe ajo ka gjetur një burrë dhe se ai është një ushtar i quajtur Kapiten Tempesta. Uberto, i tronditur nga lajmi që mori, përpiqet të mos e shfaqë këtë duke u tallur me shërbëtoren, por në fund të recitativit i shpëton që, pavarësisht gjithçkaje, ai ka njëfarë afeksioni ndaj saj dhe se do ta marrë malli për të. Serpina, duke kuptuar se është afër fitores, i jep goditjen e fundit duke përdorur kartën e mëshirës, duke i thënë që të mos e harrojë dhe ta falë nëse ajo ka qenë e pacipë disa herë (“A Serpina penserete”). Kur aria mbaron, Serpina pyet Uberton nëse dëshiron të takojë burrin e saj, dhe ai i lënduar pranon, Serpina largohet duke pretenduar se po shkon për të thirrur bashkëshortin e saj të ardhshëm. Uberto, i cili ka mbetur vetëm, pyet veten dhe madje duke kuptuar se është i dashuruar me shërbëtoren e tij, ai e di se kanunet e rrepta të kohës e bëjnë të pamendueshme që një fisnik të martohet me shërbëtoren e tij (“Son imbrogliato io già”). Mendimet e tij ndërpriten nga ardhja e Serpinës në shoqërinë e Vespones / Kapiten Tempestës. Uberto është i habitur dhe xheloz në të njëjtën kohë. Kapiteni, i cili nuk flet për të mos u njohur, përmes gojës së Serpinës, urdhëron Uberton t’i paguajë një pajë prej 4,000 skudesh ose martesa nuk do të zhvillohet dhe në vend të tij do të jetë Uberto që do të duhet të martohet me të. Pas kërcënimeve dhe sjelljes së tij të egër, Uberto dorëzohet dhe deklaron se e pranon Serpinën si gruan e tij. Vespone heq maskimin e tij, por pronari në të vërtetë është i kënaqur me faktin sesi rrodhën ngjarjet, e fal atë, dhe opera përfundon me frazën që është çelësi i të gjithë ngjarjes: E di serva divenni io già padrona.

 

JETA DHE VEPRA E KOMPOZITORIT GIOVAN BATTISTA PERGOLÉSI

Pergolési, Giovan Battista. – Kompozitor (Iesi 1710 – Pozzuoli 1736). Mbi të gjitha autor i muzikës teatrale, intermezzo e tij La serva padrona (1733) konsiderohet si modeli i operës komike italiane. Pergolési ishte gjithashtu autor i muzikës fetare dhe muzikës së dhomës, si vokale ashtu edhe instrumentale. Ndër veprat e tij më të famshme janë Lo frate ‘nnammorato (1732) dhe Stabat Mater (1736).

Ai studioi në konservatorin napolitan të të varfërve të Jezu Krishtit me F. Durante dhe F. Feo. Debutimin e tij si kompozitor e pati në 1731 me oratoret “La morte di s. Giuseppe” dhe “La conversione di Guglielmo d’Aquitania”, e cila u pasua nga opera e parë serioze “Salustia”. Në atë kohë ai ishte maestro di cappella (1732-34) i Princit Ferdinando Colonna di Stigliano dhe iu përkushtua kompozimit të kantatave dhe muzikës instrumentale. Në të njëjtën kohë, ai zhvilloi një aktivitet të fortë teatror, në të cilin mund të shfaqeshin më së miri aftësitë e tij muzikore. Në këtë periudhë kompozoi dhe komedinë e tij të parë muzikore në dialektin napolitan, “Lo frate ‘nnammorato” (1732), e ndjekur nga intermezzo-ja komike “La serva padrona” vitin pasues. Kjo e fundit, e njohur botërisht si kryevepra pergoleziane, ishte e destinuar të revolucionarizonte të gjithë traditën e teatrit në muzikë dhe kishte një ndikim vendimtar në lindjen dhe zhvillimin e operës komike franceze, kur u ekzekutua nga kompania e E. Bambini-t (1752) në skenën pariziene, duke nisur diskutimin e famshëm “Querelles des bouffons”. Në këtë opera e cila ishte e futur si një ndërhyrje midis akteve të operës “Prigionier superbo”, me të cilën lidhet fama e Pergolesit, së bashku me Stabat Mater, mund të kuptohet i gjithë origjinaliteti dhe gjuha e tij muzikore. Intermezzo-ja e shkurtër u bë shpejt simboli i operës komike italiane, jo aq për novacione të veçanta të strukturës muzikore, por për strukturën delikate dhe të gjallë të modelit melodik, karakterizuar nga motive të shkurtra, me efekt të menjëhershëm dhe shumë natyral, nga një larmi ritmike e habitshme në një ekuilibër të mrekullueshëm midis muzikës dhe fjalëve. Në thjeshtësinë e dukshme të mjeteve shprehëse, ky ekuilibër mbështet lojën sentimentale të personazheve të futur në një kornizë shumë të lehtë dhe të përvijuar në mënyrë delikate, dhe të përfaqësuar nga autori me një karakterizim psikologjik të një larmie të jashtëzakonshme të shprehjes. Edhe në operat serioze të Pergolesi-t, megjithëse të lidhura me skemat tradicionale, ekziston aty-këtu, me jo më pak risi të theksimeve, një venë sentimentale që dëshmon se ka kapërcyer kërkesat racionaliste dhe arkaike. Një vepër me një forcë të madhe shprehëse dhe e fundit në rend kronologjik të Pergolesi-t është Stabat Mater, një shembull i shkëlqyer i depërtimit psikologjik dhe pastërtisë stilistike. I prekur nga tuberkulozi, ai u tërhoq në vitin 1735 në manastirin Françeskan në Pozzuoli. Atje ai vdiq më 16 mars 1736. Nga krijimet e tij kujtojmë veprat Adriano e Siria (1734), Olimpiade (1735), intermezzo-n Livietta e Tracollo (1734), operën buffa Flaminio (1735), si dhe krijimet e tij të shumta të muzikës fetare, sonata dhe koncerte për instrumente të ndryshëm.