Pas suksesit të premierës së operetës “Lakuriqi i natës” në Pallatin e Kongreseve në datat 31 mars dhe 1,2 dhe 3 prill, produksioni më i madh i TKOB për vitin 2018-të rikthehet në datat 22,23 dhe 24 tetor.
Kjo vepër është realizuar në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë.
Valset, ariet dhe muzika më e bukur e Strauss e mbledhur në në një vepër të vetme , si asnjëherë më parë në një produksion të TKOB, bën bashkë të gjithë artistët në një lojë të jashtëzakonshme muzikore dhe aktoriale, me një kast artistësh shqiptarë me famë ndërkombëtare, artistë të TKOB dhe të rinj të dalë nga shkollat dhe skenat shqiptare. Një kast artistësh i përbërë prej 17 solistësh. Një histori ku gërshetohet klasi dhe grotesku, mes mondanitetit, luksit dhe mashtrimit në shoqërinë vieneze të 1870-ës, një komedi situatash dhe ngatërresash, që në të vërtetë e hasim edhe sot. Gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, kurorëshkelës, politikanë, pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelet e zonjave të tyre. E gjithë kjo ngarkesë e madhe emocionale e veprës së Strauss, atmosfera e mrekullueshme e veprër realiziohet nën interpretimin e shkëlqyer të të gjitha trupave të TKOB.
Magjia dhe dinamika e salloneve austriake, kostumet e realizuara me mjeshtëri nga Enada At` Nikolla, magjepsën publikun shqiptar, në premierën e marsit për tu rikthyer edhe këtë tetor.
Në skenë krijohet një ndërthurje mes operas, baletit dhe teatrit skenik, ku dialogjet mes aktorëve interpretohen në gjuhën shqipe duke krijuar një atmosferë emocionuese.
Johann Strauss-i i II
Johann Strauss-i i II-të është një kompozitor austriak, pasardhësi i Johann Strauss-it të parë. Të dy, babë e bir, arritën të hynin në historinë e artit botëror. Johann Strauss-i i parë bëri shpejt emër si kompozitor, violinist dhe dirigjent. Jeta dhe vepra e tij lanë gjurmë tek i biri, Johann Strauss-i i ri, i cili u ushqye me muzikën e bukur popullore dhe të kultivuar austriake si dhe me krijimtarinë e veprimtarisë muzikore të të atit. Ndoqi po atë rrugë dhe u bë muzikant, kompozitor, violinist dhe dirigjent, ashtu sikurse babai i tij.
Krijimet e tij artistike bënë bujë, duke e bërë këtë emër të njohur, aq sa me kohën u quajt Mbret i valsit.
Që në moshën 19 vjeçare ai u shfaq para publikut të Vienës si dirigjent orkestre, duke ekzekutuar kompozimet e tij, me të cilat fitoi famë të madhe dhe bëri për vete publikun.
Johann Strauss-i ka shkruar afro 500 kompozime të muzikës së vallëzimit, si: valse, polka, kadrila, galope etj. Me forcën e madhe të talentit të tij, shpërtheu në valset, të cilat janë plot melodi, freski dhe origjinalitet. Ato shquhen për ritmin e tyre, duke mos lënë pas edhe orkestracionin shumë tingëllues.
Strauss e ka pasuruar formën e valsit, duke sjellë veçori të reja tipike në ndërtimin ritmik të melodisë së tij. Në valset e Strauss elementët e artit muzikor popullor austriak bashkohen me muzikën e ngrohtë të jetës vieneze. Meloditë e valseve më të mira të tij, duke sjellë ndërmend ‘’Danubin blu’’, u bënë të njohura jo vetëm për austriakët, por për artdashësit në mbarë botën. Veprat e tij gëzojnë edhe sot një popullaritet të madh në Austri e më gjerë.
Në 1848, Johann Strauss shkroi një sërë valsesh si: “Këngë për lirinë”, ‘’Këngë barrikade”, “Këngë bashkimi”, “Marshe revolucionare”, por edhe shumë vepra të tjera. Pas vdekjes së babait mori drejtimin e orkestrës së tij, me të cilën bëri një turne të gjatë koncertesh në Europë dhe Amerikë, të cilat i sollën lavdi dhe famë botërore.
Johann Strauss ka qenë një nga dirigjentët më origjinalë. Duke i rënë violinës dhe në të njëjtën kohë duke drejtuar orkestrën, ai arriti një elasticitet të jashtëzakonshëm ritmik në ekzekutim. Ky gjeni, trajtonte vepra muzikore duke i interpretuar me shprehje e ngjyra të ndryshme tingujsh, duke tërhequr auditorin me temperamentin e tij të zjarrtë dhe lojën e shkëlqyer në violinë.
Nëpërmjet artit të hollë e me ndjenjë, ai skaliti karakteristikat e veçanta shpirtërore të popullit të tij, bukurinë e peizazhit austriak. Njëkohësisht, krijimtaria e Strauss përshkohet nga motive e melodi të muzikës së popujve të tjerë, pjesërisht të hungarezëve dhe sllavëve. Kjo vihet re në veprat e tij të krijuara për skenë.
Ai ka kompozuar 15 opereta, një opera komike dhe një balet, duke u cilësuar mjeshtër operetash. Në 30 vitet e fundit të jetës së tij, ai u mor më shumë me këtë gjini muzikore skenike.
Veprën e parë muzikore për teatër, Strauss e krijoi në vitin 1870 dhe vazhdoi të shkruajë në këtë gjini me plot energji deri në ditën e fundit të jetës së tij. Në veprat teatrale që ai krijoi, ashtu si dhe në ato koncertale, mbizotëron aroma e dansit e paraqitur në formën e valsit, polkës, galopit, çardashit e më gjerë, të cilat cilësohen si opereta vallëzuese. E tillë është edhe njëra prej operetave të Strauss “Lakuriqi i natës”. Karakteri vallëzues përshkon të gjithë numrat e partiturës, duke filluar që nga uvertura, në të cilën janë bashkuar të gjitha temat kryesore të operetës.
Ndër vepra të tjera të Strauss mund të përmendim edhe “Natë në Venecia” 1883, “Baroni cigan” 1885 etj.
Veprat e tij shquhen dhe vlerësohen nga kritika muzikore për nivelin e lartë artistik. Rëndësia e operetave të Johann Strauss, qëndron në radhë të parë në muzikën e tyre. Ai krijoi modelin klasik të “valsit vienez” dhe të operetës “vallëzuese”. Veprat e tij gjithashtu kanë një vlerë të madhe artistike sepse janë një pasuri e pashtershme melodish, vrulli të gëzuar dhe humori të përzemërt. Muzika e tij edhe pse ka kaluar shumë kohë që kur është krijuar, tingëllon përherë e freskët e magjepsëse.
PREMIERA E PARË BOTËRORE
“Lakuriqi i natës” (në gjermanisht, Die Fledermaus) është opereta më e famshme e Johann Strauss, me libret të Karl Haffner dhe Richard Genée nga “Le Réveillon” e Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy.
Kishte kaluar më shumë se një vit nga “E premtja e zezë” (9 Maj 1873) në të cilën bursa e Vienës pati një rënie drastike. Ndjenja e pesimizmit dhe e dëshpërimit vazhdonte të mbizotëronte në jetën e qytetarëve të kryeqytetit si edhe në teatro. Këto të fundit regjistruan një rënie të fortë në arkat e tyre, në atë periudhë. Të nxitur nga dëshira për t’i dhënë fund kësaj situate tragjike, drejtuesit e teatrit kërkuan produksionin e duhur që do i rikthente teatrit, publikun. Ata zbuluan një komedi franceze shumë të suksesshme nga Henri Meilhac (1831-1897) e Ludovic Halévy (1834-1908), të titulluar “Le Réveillon” (e cila rimerr në linja të mëdha “Das Gefängnis” (Burgu), një komedi shumë popullore dhe dramatike e libretistit gjerman Julius Roderich Benedix. U autorizua dramaturgu Karl Haffner që të bënte një përkthim në gjuhën gjermane. Haffner hasi vështirësi të mëdha në përshtatjen e veprës franceze për publikun dhe guston vieneze, si dhe puna e tij u cilësua e papërshtatshme.
Detyra e krijimit të libretit iu besua dirigjentit të Teatrit “An der Wien”, libretistit dhe kompozitorit Richard Genée (1823-1895).
Strauss u magjeps menjëherë nga Doktor Fledermaus, (duke qenë ky titulli i hartuar fillimisht për libretin e Genée), dhe filloi menjëherë punën. Ai pati një bashkëpunim të ngushtë me libretistin dhe arriti të kompletonte shumicën e partiturës muzikore në më pak se 42 ditë. Premiera e “Die Fledermaus”, (do të ishte kjo zgjedhja përfundimtare e titullit të operetës), ishte e parashikuar të ndodhte në shtator të vitit 1874, por për shkak të problemeve madhore financiare të teatrit “An der Wien”, u vendos të përshpejtohej.
Premiera, mes pritjes së përgjithshme, u zhvillua në të dielën e Pashkës, (më 5 prill 1874). Të shumta ishin kritikat për libretin, kastin dhe muzikën.
Ziehrer në faqen e tij të ‘’Deutsche Musikzeitung’’ shkruante:
« Edhe në këtë rast libreti nuk vlen shumë, muzika ka hijeshinë e saj, por nuk të rrëmben dhe opereta është shumë e gjatë, e tejmbushur me numra sipërfaqësorë dhe me personazhe të tillë. »
Megjithatë shtypi në lidhje me natën e parë u tregua shumë bujar në vlerësimet e Fledermaus-it. Gazetari i “Vorstadt Konstitutionelle-Zejtung”, shkroi:
“I tërë zhvillimi i mbrëmjes ishte në linjë me uverturën, duartrokitjet ishin të njëjtat si në fillim dhe në fund. Thuajse çdo numër është shoqëruar nga duartrokitjet e publikut, i cili mbante ritmin dhe në fund të çdo akti, Strauss i mbushur në djersë, ka lënë me nxitim podin e dirigjentit për të hipur në skenë dhe për të mirëpritur duartrokitjet duke falenderuar publikun.”.
Vorstadt Konstitutionelle-Zejtung theksonte se:
“Një sukses i jashtëzakonshëm për shkak të frymëzimit të pashtershëm të Strauss, një performancë e shkëlqyer. Ajo ishte një fitore në të gjitha frontet!”
Në 8 korrik të po atij viti, kjo vepër pati premierën e saj në “Deutsches Theater” – Berlin, në 14 nëntor në Budapest, 21 nëntor në New York, 18 prill 1875 në “Semperoper” të Dresda-s dhe në 26 qershor në “Teatro Nuovo” në Napoli, e përkthyer në italisht nga Enrico Golisciani, 10 korrik “Staatstheater am Gärtnerplatz” të Monaco-s dhe Baviera dhe në 18 dhjetor 1876 pati premierën e saj në Mbretërinë e Bashkuar në “Alhambra Theatre” të Londrës.
Personazhet:
Gabriel von Eisenstein, Bankier Tenor
Rosalinde, Bashkëshortja e Eisentein Soprano
Adele, shërbëtorja e Rosalinde Soprano
Ida, motra e Adele Soprano
Alfred, një tenor Tenor
Dr.Falke, noter Bariton
Orlofsky, një princ Rus Mezzosoprano
Frank, drejtori i burgut Bass
Dr. Blind, avokat Tenor
Frosch, gardian i burgut Aktor
Ivan, shërbëtori i Orlofsky Aktor
PËRMBAJTJA
Akti i I
Nga jashtë dëgjohet zëri i Alfredos që i këndon një serenatë Rosalindës, zonjës së shtëpisë. Në atë moment, shfaqet shërbyesja Adele duke lexuar një letër. Motra e saj, Ida, që është një balerinë, e ka ftuar ta shoqërojë në një festë të organizuar nga princi i pasur rus Orlofsky. Për të marrë pjesë në një ballo, ajo duhet që vjedhurazi, t’i marrë Rosalindës një fustan. Alfred, që ndërkohë vazhdon të këndojë, ka pasur një marrëdhënie sentimentale me Rosalindën, disa vite përpara se ajo të martohej. Adele përpiqet të sigurojë pasditen e saj të lirë, ndaj i rrëfen Rosalindës se tetoja e saj është shumë e sëmurë dhe i duhet të shkojë ta vizitojë. Rosalinde refuzon ti japë leje, ndërkohë që Adele duhet të qëndrojë në shtëpi sepse burrit të saj, Gabriel Einsensten, i duhet të kalojë disa ditë në burg që të paguajë një dënim të lehtë. Adele fillon të qajë për faktin se nuk mund të shkojë në festë, por duhet të rrijë në shtëpi të kujdeset për zonjën e saj. Einsenstein-i debaton me akovatin e tij, Blind për faktin se dënimit të tij i janë shtuar edhe tri ditë më shumë. Përpara se të shkojë për të kryer dënimin, Einsenstein do të konsumojë drekën e tij të fundit para dënimit, prandaj dërgon Adelën të marrë ushqimin më të shtrenjtë në restorantin e tyre të preferuar.
Në atë moment, vjen Dr. Falke, miku i ngushtë i Einsenstein-it, që e fton atë në festën e organizuar nga princi Orlofsky. Einsenstein është dakord, pasi burgu mund të presë edhe pak. Ai i kujton Dr. Falke-s ballon e fundit ku ishte veshur si një lakuriq nate. Adele vjen dhe sjell ushqimin për Einsensten. Papritur Rosalinde kujtohet se Adele duhet të shkojë të vizitojë teton e sëmurë dhe i jep leje të largohet, ndërsa për Eisenstein sa vjen e afrohet ora që të shkojë në burg për të kryer dënimin. Ata largohen, por në të vërtetë të dy nxitojnë për në festën e princ Orlofsky-t. E mbetur vetëm, Rosalinde përfiton nga rasti për të kaluar pak kohë me Alfred duke kujtuar historinë e tyre të dashurisë. Në këtë moment, shfaqet drejtori i burgut për të marrë Eisenstein. Të zënë ngushtë, Alfred shtiret si burri i Rosalindës, Eisenstein, dhe largohet bashkë me drejtorin e burgut.
Akti i II
Festa ka filluar në shtëpinë e Princit Orlofsky. Dy motrat takohen në festë. Ida habitet për prezencën e motrës së saj. Ajo e pyet se përse habitet kur ka qënë ajo vetë, që i ka shkruar një letër për ta ftuar në festë. Ida i përgjigjet që me siguri kjo është një shaka, sepse ajo nuk i ka dërguar asnjë letër. Madje shprehet se një kameriere si ajo nuk mund të marrë pjesë në festa të këtij klasi dhe prandaj vendos ta prezantojë të motrën si një aktore debutuese. Princi Orlofsky shfaqet i shoqëruar nga Dr. Falke duke i rrëfyer atij se edhe pse i pasur, ai nuk është i lumtur dhe nuk mund të qeshë. Por doktori i premton se surprizat do të jenë shumë të këndshme në festën e tij dhe gjatë kësaj kohe i pëshpërit planin për gjahun, Eisenstein. Të dy ata takojnë motrat Adele dhe Ida. Adele prezantohet si nje aktore me emrin Olga. Eisenstein ka ardhur në ballo me maskën e Marquit Renard. Falke prezanton kavalierin Chagrin. Natyrisht që s’ka kush të jetë tjetër veçse drejtori i burgut Frank. Eisenstein dhe drejtori i burgut, prezantohen me njëri-tjetrin pa e ditur në fakt se kush janë. Eisenstein flirton me Adele, ndërkohë në ballo shfaqet kontesha hungareze që në të vërtetë nuk është askush tjetër, veçse Rosalinde.
Falke i tregon asaj se Eisentein nuk është në burg, por ndodhet në këtë festë. Eisentein-it i pëlqen shumë e ashtuquajtura konteshë (e maskuar) dhe fillon ta joshë duke i treguar orën, me anë të së cilës ka pasur shumë sukses me gratë.
Ai i vjen rrotull konteshës, që përbrenda është duke shpërthyer nga inati, por vazhdon të luajë rolin e saj në mënyrë që të marrë orën si provë të pabesisë së burrit të saj.
Adele dhe Orlofsky pyesin Dr. Falke-n se kur do të fillojë shakanë e tij të quajtur “Lakuriqi i Natës”. Eisensteini i ndodhur aty pranë afrohet për të rrëfyer historinë.
“Në një ballo me maska, zoti doktor u paraqit si një lakuriq nate i bërë xurxull. Siç ishte me kostumin e lakuriqit të natës, e dërgova poshtë një peme në parkun e qytetit për të kaluar natën . Në mëngjes, për të shkuar në shtëpi, i duhej të kalonte përmes qytetit i veshur me kostumin e lakuriqit të natës. Kur e shikonin njerëzit gajaseshin së qeshuri.’’
Orlofsky e pyet:
“Për këtë shaka ai nuk ka marrë ende hak ?!”
Eisenstein:
“Nuk ka mundësi, por sidoqoftë unë duhet të kem shumë kujdes.”
Akti i III
Frosch, gardiani, pret me padurim shefin e tij Frank i shqetësuar nga këndimi i vazhdueshëm i Alfred në qelinë numër 12. Frank në fund shfaqet i ngazëllyer dhe i dehur nga mbrëmja magjike që kaluan në shtëpinë e princit Orlofsky, aty ku u shfaq si një sipërmarrës. Ida dhe Adele shfaqen aty për të bindur atë në lidhje me aftësitë e saj vokale, duke vijuar lojën e një nate më parë në festë. Adele shpreson se Frank mund ta ndihmojë që ajo të shfaqë aspiratat e saj në skenë. Pasi Adele dhe Ide largohen, vjen Eisensteini duke pranuar të kryejë dënimin e tij. Ai befasohet kur mëson se qelia që i takonte atij, ishte tashmë e zënë nga një njeri tjetër, që pretendon të jetë ai dhe se ishte gjendur në vetë shtëpinë e tij.
Blind arrin aty duke pretenduar se ishte thirrur nga njeriu në qelinë 12 për të trajtuar një rast të arrestimit të rremë. I vendosur për t’i shkuar deri në fund çështjes, Eisenstein rrëmben mantelin e Blind, syzet dhe parukën për të maskuar veten si avokat dhe për t’u përballur me mashtruesin. Në atë moment, Rosalinde shfaqet aty. Ajo përpiqet të sigurojë lirimin e Alfred dhe i kërkon Blind-it të përgatisë akuzat për divorcin kundër bashkëshortit të saj të urryer, por kacafytet kur “avokati” mban anën e Eisenstein-it. Duke zbuluar fytyrën e vërtetë pas maskës që mbante, Eisensteini akuzon gruan e vet për tradhëti dhe në këtë pikë, Rosalinde i tregon orën e tij. Eisenstein turpërohet.
Të gjithë të ftuarit fillojnë të këndojnë
“O lakuriq nate, o lakuriq nate, lëri viktimat e tua.’’
Falke sqaron: “Gjithçka që të solli shqetësim ishte një shaka që unë bëra, një trillim”.
Të tjerët përgjigjen:
“Dhe ne të gjithë kemi luajtur rolin”
PREMIERA E OPERETËS “DIE FLEDERMAUS” NË MARS – PRILL 2018
Orkestra e TKOB
Dirigjent: Lazlo Gyuker
Regjisor & Koreograf : Renato Zanella
Solistët dhe Trupa e Baletit e TKOB
Trupa e Korit e TKOB
Dirigjent: Dritan Lumshi
Kostumograf: Enada At’Nikolla
Skenograf: Bashkim Zahaj
As/regjisor: Ada Gurra
As/koreograf: Alisa Gjoni
Solistë: Ledia Sulaj, Adela Muçollari, Gerd Vaso, Dion Gjinika
Koncert maestër: Etrita Ibrahimi, Ardita Bufaj, Enina Llozi
PERSONAZHET DHE INTERPRETËT
Gabriel von Eisentstein: Branimir Agovi, Denis Skura
Rosalinde: Eva Golemi, Renisa Laçka
Falke: Armand Likaj
Orlofsky: Vikena Kamenica, Ivana Hoxha
Adele: Rezarta Qevani, Erinda Agolli
Frank: Erlind Zeraliu
Alfred: Armaldo Kllogjeri, Elson Braha
Blind: Gilmond Miftari
Ida: Dorina Selimaj, Simona Karafili
Frosch: Genc Vozga
Ivan: Sokol Tomorri
RIVËNIA E OPERETËS “DIE FLEDERMAUS” TETOR 2018
Orkestra e TKOB
Dirigjent: Dian Tchobanov
Regjisor & Koreograf : Renato Zanella
Solistët dhe Trupa e Baletit e TKOB
Trupa e Korit e TKOB
Dirigjent: Dritan Lumshi
Kostumograf: Enada At’Nikolla
Skenograf: Bashkim Zahaj
As/regjisor: Ada Gurra
As/koreograf: Alisa Gjoni
Solistë: Ledia Sulaj, Adela Muçollari, Gerd Vaso, Dion Gjinika
Koncert maestër: Etrita Ibrahimi, Ardita Bufaj, Enina Llozi
PERSONAZHET DHE INTERPRETËT
Gabriel von Eisentstein: Branimir Agovi, Denis Skura
Rosalinde: Eva Golemi, Renisa Laçka
Falke: Armando Likaj, Solen Alla
Orlofsky: Ivana Hoxha
Adele: Rezarta Qevani, Erinda Agolli
Frank: Erlind Zeraliu
Alfred: Armaldo Kllogjeri, Elson Braha
Blind: Gilmond Miftari
Ida: Simona Karafili
Frosch: Genc Vozga, Xhieldo Hyseni
Ivan: Sokol Tomorri
RENATO ZANELLA – REGJISOR & KOREOGRAF
Renato Zanella u lind në Verona të Italisë në vitin 1961. Dashuria e tij e parë ishte sporti, kryesisht basketbolli. Vetëm në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, ai pati kontaktin e parë me baletin dhe që nga ai moment ai i kushtoi të gjithë energjinë dhe pasionin e tij këcimit.
Mësimet e para për baletin klasik i mori në vendlindje dhe më pas i perfeksionoi ato në “Centre de Danse International” në Kanë. Në vitin 1982, nënshkroi kontratën e parë të punës me “Basler Ballet”. Me këtë kompani ai ka kërcyer vepra të Balanchine, Van Manen, Robert North, John Cranko e shumë vepra të tjera.
Gjatë kësaj periudhe ai krijoi një reputacion dhe karrierë të suksesshme per tu bërë më pas në vitin 1985, pjesë e kompanive më të famshme të baletit në Shtutgart. Atje iu dha mundësia jo vetëm të punonte me koreografë të njohur si John Cranko, Maurice Béjárt, Jiri Kylián, William Forsythe, Azary Plisetsky, por gjithashtu të shfaqte aftësitë e tij kreative. Në moshën 28 vjeçare, ai krijoi koreografinë e tij të parë të titulluar “The Other Side”. Pas kësaj, ai pati një karrierë të sukseshme tashmë edhe si koreograf.
Në moshën 34 vjecare, Zanella u emerua drejtor i baletit në Operan Shtetërore të Vienës. Gjatë kësaj periudhe, Zanella ka prezantuar rreth 40 krijime të vetat. Baleti i tij me muzikë të Mozartit “Wolfgang Amadée” ka marrë vlerësime të veçanta në vitin 1998. Koreografitë e tij janë interpretuar nga artistë të mëdhenj ndërkombëtarë si: Carla Fracci, Sue-Jin Kang, Anastasia Volotchkova, Simona Noja, Shoko Nakamura, Polina Semionova, Olga Esina Egon Madsen, Alessio Carbone, Benito Marcelino, Vladimir Malakhov, Giuseppe Picone.
Pas largimit nga Opera Shtetërore e Vienës, Zanella zgjeroi karrierën e tij në shkallë ndërkombëtare. Koreografitë e tij u prezantuan jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikë dhe Azi.
Në vitin 2009, Zanella ndërmori një hap tjetër në karrierën e tij artistike duke vënë në skenë opera të ndryshme.
Projekti i tij i parë “Cosi fan tutte” i shfaqur në “Attersee Klassik Festival” ishte një sukses i madh për publikun dhe kritikët. Në vitin 2010 “Carmen” dhe në vitin 2011 vuri në skenë “La Traviata” për Festivalin e Egjeut. Në vitin 2012 vendosi në Operën Kombëtare Greke operën “Faust” dhe në vitin 2013, operën “I Vespri Siciliani”.
Renato Zanella ka qënë drejtor i baletit në Operën Kombëtare Greke në vitet 2011-2015 dhe më pas Drejtor i Baletit në Operën Kombëtare të Bukureshtit. Zanella është ai që i ka vënë vulën me koreografinë e tij koncertit të madh të Vienës, që organizohet çdo 1 janar dhe që ndiqet nga miliona shikues në të gjithë botën.
Gjatë aktivitetit të tij artistik Zanella është vlerësuar me mjaft tituj si: “Koreografi më i mirë italian jashtë vendit” nga “Danza & Danza” në vitin 1995; “Premio Internazionale Gino Tani” në Romë, në vitin 2000, “Kryqin e Nderit për Shkencat dhe Artet” dhënë nga Republika e Austrisë; titullin “Profesor” 2012; Çmimin “Danza Capri International” në 2015.
Koncepti regjisorial dhe koreografik nga Renato Zanella
Johann Strauss II dhe Jacques Offenbach patën mundësinë të marrin pjesë gjatë Ekspozitës Universale në Paris, të organizuar nga Napoleoni III. Ekspozita u hap në Paris nga 1 prill deri në 3 nëntor 1867. Kjo ngjarje është rikujtuar disa herë në “Fledermaus”, sepse ora që Eisenstein përdor për të tërhequr damat në festën e Orlofsky (e marrë më pas nga Rosalinde) ishte blerë nga Eisensteni në atë event. Në muajt në vijim, pas performancës së parë të “La Grande Duchesse de Gerolstein”, puna e re nga Offenbach do të ishte subjekt i një Fantazie, shkruar nga Josef-i, vëllai i Johann-it. Sidoqoftë, Offenbach-u shpesh ishte përmendur nga familja Strauss dhe ishte vetë kompozitori gjerman atëherë që e bindi Johann Strauss-in që t’i përkushtohej operetës.
“Die Fledermaus” (Lakuriqi i natës) u vu në skenë për herë të parë më 5 prill 1874 në “Theater an der Wien”, disa muaj pas rënies së bursës së Vienës më 9 maj 1873. Kjo vepër bazuar në një komedi franceze, “Le Reveillion” e Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy, iu ngarkua Johann Strauss-it, pikërisht për t’i ngritur moralin dhe për t’u ofruar argëtim vienezëve. Edhe në vitet në vijim, marrëdhëniet kulturore midis Vienës dhe Parisit do të ishin të vazhdueshme. Një shembull për këtë ishte bursa e fituar nga Sigmund Frojd në vitin 1885, të cilit iu dha mundësia të ndjekë mësimet e neurologut të famshëm Jean-Martin Charcot, një dijetar i hipnozës. Pas kësaj vizite, Frojdi do të ndryshonte konceptet e fituara, duke menduar për sistemet më të përshtatshme.
Analiza për zhvillimin regjisorial
Uvertura e Fledermaus është një shembull i dukshëm i stilit të Johann Strauss-it. Ritmet e tij, detyrojnë një rubato të vazhdueshme (si në polka, në valse apo marshe), që përshtatet mjaft mirë me praktikën interpretative të valsit vienez (një ritëm trikohësh, gjithmonë me theksin në kohën e parë). Në modulimin dinamik të Strauss-it (nëse analizohet secila masë), nuk gjejmë një braktisje të valsit në shpejtime, por një seri valsesh shumë të shpejta, të shkruara në vijimësi. Në këtë rast mendova ta interpretoj atë me një trupë baleti. Një interpretim viziv dhe tregues i shprehur me balet, një art shumë i dashur për Straussin.
Akti i parë: Opereta vieneze shpaloset gjithmonë në tri akte, i pari i të cilëve, ka detyrën e paraqitjes së situatave të ndryshme, të protagonistëve (nëse jo duke i treguar, të paktën duke i evokuar) dhe të vendosë marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin, keqkuptimet dhe të provokojë kuriozitet për atë që do të ndodhë më vonë. Në operetën “Die Fledermaus” tregohet, në aktin e parë, apartamenti i një burri të shtresës borgjeze, ndoshta të klasës shoqërore të ngjashme me atë të audiencës mesatare të pranishme në sallë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm i operetës vieneze: nuk do të shfaqë një gjendje larg publikut, por publiku duhet të mundet të shikojë vetveten në situatat e treguara, ndoshta të ekzagjeruara, të vështira në disa raste, por jo të pamundura. Eisenstein është sigurisht një njeri i pasur, me kulturë të përgjithshme më të ulët se ajo e njerëzve të cilëve ai u drejtohet. Kjo është një e dhënë e rëndësishme dhe është e qartë nga fakti se ai dhe Frank (një zyrtar publik) janë të vetmit që nuk flasin frengjisht, e cila në shekullin e nëntëmbëdhjetë ishte gjuha e komunikimit të dijetarëve. Supozohet dhe ky është një konfirmim rreth edukimit të publikut, që spektatorët, përkundrazi, e njihnin frengjishten. Në këtë akt të parë fillojmë të imagjinojmë se çfarë do të ndodhë më pas, por nuk ka asnjë veprim të vërtetë, thjesht krijohen supozime për lojën e keqkuptimeve të mëtejshme.
Akti i dytë: Personazhet janë prezantuar të gjithë dhe kështu mund të vazhdohet me një lojë të keqkuptimeve relative që nuk duhet t’i nënshtrohen ndonjë ndërprerjeje ose pauze, që ta bëjë publikun të dyshojë se kush është ky apo ai personazh. Princi Orlofsky, është e vërtetë, shfaqet për herë të parë vetëm në aktin e dytë, por është prezantuar gjerësisht nga të gjithë (ndoshta një nga më të përmendurit në aktin e parë). Kupletet e para të Orlofsky kanë në fakt një shkrim të ndryshëm nga kupleti i Champagne-s. Gjithashtu alternimi që Strauss-i i bën kupletit të Champagne-s, me një koncertato të ngadalshëm, shërben për të përgatitur “sustën” e finales. Nëse do të përdornim një metaforë, struktura narrative ngjan me një ngarkesë elektrike ose një tenxhere presioni. Tregimi dramaturgjik dhe muzikor ndjek ashtu si në Uverturë, një algoritëm gjuhësor, të studiuar gjerësisht, për shembull, në Universitetin e Grazit në fillim të shekullit të XIX-të. Duke u larguar nga “Die Fledermaus”, por për të kuptuar modelin që aplikohej, le të mendojmë për emrat e Grisetten në “Die lustige Witwe”. Këta nuk janë emra të rastësishëm francezë ose rezultat i frymëzimit poetik. Emrat e Grisetten ndjekin një sekuencë në cilësinë e zanoreve dhe në alternimin midis bashkëtingëlloreve dhe tingujve grykorë, për t’u analizuar në shtrirjen horizontale të periudhës. Është një metodologji narrative e dobishme për të shkaktuar nervozizëm dhe eksitim në publik. Një gabim i shumë produksioneve të “Die Fledermaus” është pikërisht prania në sasi të tepërt, e elementëve të shtuar dhe të miqve në festën e Orlofsky-t, pa marrë parasysh algoritmin tregues. Përshpejtimi në muzikë dhe në tregim duhet të japë gjithashtu idenë e një kohe kronologjike që ecën gjithmonë e më shpejt, agimi po vjen dhe Eisenstein-i duhet të arrestohet. Në aktin e dytë janë shtuar Polka Éljen në Magyar Op. 332 dhe Valzer Frühlingsstimmen (op.410) për baletin.
Akti i tretë: Tani nevojitet një shkëputje, e për këtë, futet një pjesë ekskluzivisht e recituar: intensiteti i finales II, ku në fakt, nevojitet një moment pushimi. Nuk mund të mendohet që publiku të bëjë një tjetër sforco të aftësive perceptuese të tij, pa evituar shpërqëndrimin ose konfuzionin. Nuk ka të papritura të veçanta, por vetëm një mungesë e madhe rehatie, një ndjenjë sistematike e ndarjes së identiteteve të dyfishta që shkaktojnë një dyfishim autentik të personalitetit në skemat relative (në rastin e personazhit të Eisenstein-it, personaliteti ndahet edhe në tre, kur ai maskohet si një avokat).
Konfuzioni është ende i pranishëm, publiku mund të identifikohet në të, por është spektator i një bezdie të provuar nga protagonistët, jo nga audienca. E vetmja e papritur është në fund, kur të gjithë personazhet i deklarojnë Eisenstein-it marrëveshjen e tyre pas shpinës së tij. E gjithë kjo çon në shpërthimin e fundit dhe këtu përsëritet kupleti i Champagne-s. Për të qenë të qartë, algoritmi gjuhësor që përdoret në shumë momente të operetës është i krahasueshëm me një shkarkesë elektrike, ose me një marrëdhënie seksuale: Couplet final arrin kulmin. Ky sistem gjuhësor-narrativ ishte tipik i studimeve të gjuhësisë funksionale dhe strukturore që kishin zhvillim të madh në shkollat e Vienës dhe të Pragës. Shumica e studiuesve ishin të fesë hebraike. Kjo gjë favorizoi në mënyrë të dukshme studimin shkencor të gjuhës njerëzore (në të gjitha manifestimet e saj), së pari sepse origjina kulturore është haptazi kundër kultit të imazheve (ka një refuzim të imazhit, jo vetëm në kuptimin e “figurës”, por edhe të dogmës) dhe studimi i drejtohet gjithmonë vetëm strukturës që çon në një rezultat, i cili intereson vetëm në nivel vëzhgimi, por nuk analizohet si produkt i përfunduar (edhe koncepti i fjalës”fund” për një çifut në jetë është i refuzuar). Së dyti, për studimin e detyrueshëm të një gjuhe (hebraisht), të pakuptimtë nëse analizohen fjalët e vetme, të cilat nëse merren një nga një, mund të mbulojnë sferat semantike pa pasur një shoqërim logjik. Gjuha hebraike mund të përkthehet vetëm në një formë shembulli, pra në periudhën e përfunduar. Mbi bazën e kësaj forme, u zbulua teoria e relativitetit të Ajnshtajnit, e ngjashme me dramaturgjinë e operetës.
LÁSZLÓ GYÜKÉR – DIRIGJENT
László Gyükér ka lindur në Miskolc (Hungari), ku filloi dhe arsimi i tij muzikor në Konservatorin e Muzikës. Për tu pasuar nga studimet në Universitetin e Muzikës dhe Performing Arts Graz, nga këndimi dhe drejtimi i orkestrës.
Aktivitetet e tij artistike në vitin 2003 e çuan atë në Stadttheater Leoben si këngëtar, ku filloi një bashkëpunim afatgjatë me Prof. Horst Zander, i cili zgjati deri në vitin 2012. Në vitin 2009, ai ishte asistent muzikor i Martin Sieghart-it dhe i “Het Gelders Orkest” në Holandë në prodhimin e Robert Herzl-it të “Vejusha Gazmore”.
Në vjeshtë 2010 – 2012 ai ishte i dyti Kapelmaester dhe drejtor i korit i fazës Baden. Atje ai ishte Drejtor Muzikor i “Zigeunerprimas” (Ins. Robert Herzl), “Gräfin Mariza” (Ins. Isabella Friedtum) dhe “Eine Nacht in Venedig” (Ins., Alexandra Frankmann) dhe gjithashtu dirizhoi “Das Land des Lächelns”, “Schwarzwaldmädel”, “Viktoria und ihr Husar”, “Die Dollarprinzessin”, “Annie Get Your Gun” dhe “Boccaccio”.
Që nga viti 2005 pati një bashkëpunim të gjatë me drejtorin e Festivalit Lehár Bad Ischl, Michael Lakner. Prej vitit 2009, ka punuar si dirigjent dhe drejtor i korit (2010, 2011, 2015) në Festivalin Lehár, me “Das Land des Lächelns”, “ Die Csardasfürstin” dhe “Gasparone”.
Në verën e vitit 2014, ai ishte Drejtor Muzikor i “Gigi” (Insz. Michael Lakner) , në verën e vitit 2015, “My Fair Lady” (Insz. Isabella Gregor), në verën e vitit 2016 “Die Fledermaus“ dhe verën 2017, “ Die Lustige Witwe”. Ai gjithashtu punon si shoqërues i solistëve dhe pianist.
Dian Tchobanov dirigjent
Ai është Drejtor i Përgjithshëm i muzikës të Operës Shtetërore – Plovdiv, Bullgari që nga sezoni 2013/2014.
U diplomua në Akademinë e Muzikës Shtetërore (Sofje) në 1997 dhe në Universitetin e Arteve dhe Muzikës në Vjenë, Austri per dirizhim. Në personalitetin e tij artistik kanë ndikuar Colin Davies, Maestro Fabio Luisi dhe Maestro Michael Halas i cili është dirigjent në Operën e Shtetit të Vjenës
Dian Tchobanov është nderuar me Çmimin e Dytë dhe atë të Veçantë të “Lovro von Matačić”, në Konkursin Ndërkombëtare të Dirigjentëve të Zagrebit në vitin 2003. I është akorduar çmimi më i rëndësishëm në fushën e muzikës, Çmimi “Plovdiv” në vitin 2014 në qytetin e tij të origjinës.
Dian Tchobanov është Dirigjent i Orkestrës së Dhomës Kroate; ai ka udhëhequr Orkestrën e Operës Shtetërore të Kroacisë, RSO-Vienna, Orkestrën e “Arena di Verona”, RSO-Praha, Orkestrën e Festivalit të Budapestit, Orkestrën Dohnanyi Budapest, Orkestrën e Koncertit në Budapest, Orkestrën e Dhomës Scheonbrunn, RSO-Sofje, Orkestrën Simfonike Kurichiba , Brazili, Ansambl “Cantus” etj.
Ka dirigjuar në disa festivale të famshme muzikore: si “Opera Oder-Zbavitje” Neuzelle, Gjermani, “Wiener Klangbogen” Vjenë, Austri, “Javët e muzikës austriake në Bullgari”, “Varna Summer”, “Ditët e muzikës mars” Russe, Bullgari, “Këngët e jetës” Tel Aviv dhe Jeruzalem, Izrael, “Netë e verës në Rijeka” Groatia, “Bienalja e Muzikës” në Zagreb, Kroaci, “Weinklang” – Burgenland, Austri, “Opera dhe baletat” Stara Zagora, Bullgari,”Opera Open”, Plovdiv, Bullgari, “IV Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës” Yekaterinburg, Rusi, 2016, Festivali i 7-të Ndërkombëtar i Muzikës “Palermo Classica” 2017, “Opatija Tribune” – Kroaci 2017
Që nga viti 2012, Maestro Tchobanov ka qenë një profesor i përhershëm në Universitetin Normal të Kinës Lindore të Shangait, Kinë. Dian Tchobanov punon në skenat më të rëndësishme të qyteteve evropiane, si Vjenë, Budapest, Verona, Frankfurt, Shtutgart, Meiningen, Amsterdam, Roterdam, Pragë, Zagreb, Porto, Palermo, Skopije; gjithashtu në Tel Aviv të Jerusalemit, në SHBA, Brazil dhe Kinë.