Carl Orff – CARMINA BURANA

ORKESTRA E TKOB

Dirigjent : Gudni Emilsson

 

Kori i TKOBAP dhe Kori i Fëmijëve

Dirigjent Kori: Dritan Lumshi

Drejtuese e Korit të Fëmijëve: Zana Hysa

 

Solistët

Soprano: Ramona Tullumani

Bariton: Armando Likaj

Kontratenor: Safet Berisha

 

O Fortuna!

Në këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit shfaqet lutja për dashuri e fat,  aq e nevojshme për ekzistencën. Rrota e fatit është simboli që përcakton uljet dhe ngritjet në jetën e njeriut, me ciklet e tensioneve që krijohen në marrdhëniet mes burrave dhe grave, mes të rinjve e të moshuarve.

Këto ndërveprime i përjetojmë edhe në baletin e Youri Vàmos nën tingujt e muzikës së Carl Orff.

Carmina Burana konsiderohet një ndër klasikët e parë në historinë e muzikës.

Brilant në gjithë thjeshtësinë që e karakterizon, ritmikisht potent, me një tematikë gjithnjë aktuale, ky balet të zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të.

Këtij pushteti sugjestionues që përcjell muzika e Orff, koreografi Vamos i përgjigjet me një skenografi veçanërisht të thjeshtë. Vetë skena kornizohet nga siluetat e korit dhe orkestrës. Nën këtë sfond dhe nëpërmjet një koreografie mbresëlënëse ai shpalos një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë.

Carmina Burana do të jetë një eksperiencë e cila s’do të mund të ç’rrënjoset me lehtësi nga kujtesa, një vepër që ka lënë pa fjalë audienca për 20 vite me rradhe.

 

Gudni Emilsson – Dirigjenti

Gudni Emilson nisi të marrë mësime muzike që në moshën 4 vjeçare nga babai i tij. Ai studioji piano dhe dirigjim në Gjermani dhe sot si dirigjent është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në kurikulumin e tij renditen disa shfaqje me orkestrat më të mëdha dhe më të rëndësishme në Gjermani si me “Orkestrën Filarmonike të Shtutgartit”, “Orkestrën Simfonike të Nurenbergut”, “Orekstrën Simfonike të Universitetit të Leipzig-ut” dhe përtej Gjermanisë, si me orkestrat simfonike në Greqi, Çeki, Poloni, Austri, Rumani, Bullgari, Mal i Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vietnam. Gudni Emilson ka dirigjuar në shumë festivale të njohura të muzikës klasike në Evropë. Ai ka bashkëpunuar me solistë të njohur të teatrove të ndryshëm të botës duke e bërë atë një nga dirigjentët që ka interpretuar në gjithë Evropën, në shumë vende të Afrikës, të Lindjes, si në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej vitit 2005 ai është “udhëheqësi” i “Orkestrës Filarmonike të Tajlandës”.