Pse zgjodhëm përsëri “Carmen” të Georges Bizet
Nga Zana Çela
Zgjodhëm operan “Carmen” për të çelur përsëri sezonin artistik sepse “Carmen” është vepra operistike më e prodhuar në botë, që do të thotë vepra më e pëlqyer, më popullore për publikun jo vetëm përsa i përket historisë së mrekullueshme me personazhe shumë interesantë, që i përkasin shtresave të thjeshta të shoqërisë, por veçanërisht muzikës së jashtëzakonshme .
Që nga premiera e saj në vitin 1875, ariet, koralet, uvertura, pjesë të ndryshme të muzikës së “Carmen” janë kthyer në melodi për të gjitha shtresat e shoqërisë, që nga gondolierët që vozitin varkat dhe deri tek producentët e reklamave, që i përdorin si kolona zanore në spote të ndryshme televizive, apo krijuesit e këngëve të pop-it, të cilët shpesh i kanë huazuar ato. Kjo tregon për ndikimin saj të fuqishëm emocional dhe forcën e jetëgjatësisë së saj.
“Camen” është një histori që mund ti përkasë secilit prej nesh: një e huaj në shoqëri, rrethanat e së cilës janë të gjitha kundër saj, e cila bën çdo gjë që ka në dorë për të patur një jetë më të mirë. Kur u shfaq për herë të parë në Paris në vitin 1875, shoqëria e lartë pariziene e fishkëlleu e skandalizuar, që ngjarjet e një opera kishin zbritur nga oborret a rrethet e shoqërisë së lartë, në ambjentet e punëtorëve të fabrikës së cigareve dhe heroina ndodhej mes tyre. Nëse snobët e shoqërisë pariziene, të cilët e konsideruan si të pavlerë dhe donin që kjo vepër të harrohej, do të kishin mundësi, “Carmen” do të ishte zhdukur për shkak të përkatësisë së saj mes klasës punëtore dhe mënyrës së papërshtatshme të sjelljes në publik. Fakti se ata që e dënonin historinë e saj ishin vetë të përfshirë në skandale dhe ngjarje të turpshme është shpjegimi më i mirë pse lufta ndaj hipokrizisë është nxitësi dhe misioni i artit në përgjithësi.
“Carmen” rezonon me audiencat e sotme sepse shoqëria jonë është plot me histori të njerëzve të thjeshtë, të cilëve u është lënë të kuptohet se me gjithë përpjekjet e shumta nuk mund të bëhen pjesë e rrethit të shoqërisë së lartë për shkak të racës, seksit, besimit, moshës apo çfarëdo kufizimi tjetër që vetë njerëzit vënë ndaj njëri-tjetrit. Veçanërisht gratë janë aty, përballë seksizmit mashkullor, që nga Hollywood-i ku aktoret luftojnë për karrierat e tyre dhe deri tek koorporatat apo institucione të tjera, ku për të ecur përpara, ju duhet të thyejnë barrieren e “tavanit të qelqtë”, po të përdorim një metaforë të Wall Street-it të 50 vjetëve më parë.
Me alegorinë e saj historia e “Carmen” i përfshin të gjitha këto histori të ndryshimit të statusit në shoqëri.
Bizet ishte ndoshta shumë më i avancuar se koha në të cilën jetoi për të shkruar një histori për një grua që qëndronte në rrethin e jashtëm të shoqërisë së asaj kohe. Kjo u kuptua më mirë që nga vitet ’50 të shekullit të 20-të e deri sot kur “Carmen” filloi të përshtatet gjithnjë e më shumë ndaj audiencës moderne.
Opera “Carmen” ka aq shumë momente ikonike saqë është gati e pamundur të zgjedhësh njërën si më të preferuar.
Në rivënien e muajit shtator 2018-të krijuam kastet e përbashketa të artistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Teatrit Nacional të Operas së Beogradit, të cilët kanë krijuar karaktere fantastike sepse nuk ka një mënyrë të vetme për të interpretuar rolet e operas “Carmen”, pasi çdo këngëtar i shpreh ato sipas eksperiencës dhe frymëzimit, të cilën e merr nga shoqëria ku jeton. Jam e bindur në suksesin e tyre dhe entuziazmin e publikut, që do të ndjekë të gjithë shfaqjet e këtij sezoni.
Georges Bizet
(1838-1875)
Georges Bizet u lind në 25 tetor të vitit 1838.
Në vitin 1847 ai u regjistrua në Konservatorin e Muzikës në Paris. Simfoninë e tij të parë, Georges Bizet e shkroi kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, si një detyrë studentore. Dorëshkrimi i tij do të rigjehej në arkivat e bibliotekës së Konservatorit vetëm në vitin 1933 dhe ekzekutimi i parë u realizua në vitin 1935. Kjo vepër spikati për freskinë muzikore të jashtëzakonshme, më tepër italiane sesa franceze, cilësi që do ta karakterizonin punët e tij në vijim.
Në vitin 1857 kompozitori merr pjesë në konkursin e shpallur nga Jacques Offenbach, me operetën me një akt “Le decteur Miracle” dhe fitoi çmimin e parë. Georges Bizet gjithashtu fitoi bursën muzikore të “II Prix de Rome”, duke marrë prej saj të drejtën e studimeve në Romë për tre vjet. Atje talenti i tij u zhvillua edhe më tepër duke vijuar me krijimet e veprave të tij, siç ishte opera “Don Procopio”. Përveç periudhes në Romë, Bizet jetoi gjatë gjithë jetës së tij në Paris. Ndërsa punonte për partiturën e “Ivan IV”, një opera e madhe me 5 akte, drejtori i Teatrit Lirik të Parisit, Leon Carvalho i jep operan ekzotike “Peshkatarët e Perlave”, e cila u prit mirë nga publiku. Në vitin 1866 ftohet të shkruajë një opera të mbështetur mbi romanin e Walter Scott “La jolie fille de Perth”. Opera u vu në skenë në 16 dhjetor të vitit 1867 dhe rezultoi një sukses nga publiku, por kritika ankohej për prezencën e vagnerizmit në këtë vepër.
Në dy vjeçarin nga viti 1873 deri në vitin 1875, Bizet krijoi “Carmen”, kryeveprën e tij. Opera që magjepste me pasurinë e elememtëve muzikorë, meloditë sensuale dhe të ndjera, përkulshmërinë e harmonisë, rrjedhshmërinë e kërcimeve e të elementëve folklorikë. Kjo vepër është e njohur dhe si vepra e tij më e mirë, bazuar në romanin me të njëjtin titiull të shkruar në vitin 1846 nga Prosper Merimée. “Carmen” është bërë një nga operat më të njohura dhe më të realizuara në botë.
Duke shfletuar katalogun e veprave të Bizet, ndarë në vepra teatrale, kompozime për orkestër, për pianoforte, për dhomë e vokal, habitesh se sa shumë prej tyre kanë mbetur në nivelin e projekteve dhe se sa shumë prej veprave të përfunduara nuk janë interpretuar kurrë.
Vetëm në fund të jetës së tij të shkurtër, Bizet arrin të gjej gjuhën autentike me ato që janë quajtur kryeveprat e tij teatrale “L’Arlesienne” e “Carmen”. Në këto dy vepra shfaqen karakteristikat e artit të tij. Një art i qetë, i prerë si në fushën dramatike ashtu edhe në vlerat tipike muzikore.
Premiera e Parë
“Carmen” është një opera me katër akte nga kompozitori francez Georges Bizet dhe libret të shkruar nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy. Subjekti i kësaj opere është marrë nga novela me të njëjtin titull e Prosper Merimée.
Premiera e parë e operas “Carmen” është shfaqur në Operan Komike në Paris në 3 mars 1875. Shfaqja e parë rezultoi e pasuksesshme. Pas kësaj premiere autori u kujdes të modifikonte dorëshkrimin original në shumë pika.
Bizet vdiq papritur pas performancës së 33-të të operas “Carmen” pa e ditur se puna e tij do të njihej ndërkombëtarisht dhe do të korrte sukses brenda dhjetë viteve të ardhshme. “Carmen” prej asaj kohe është bërë një nga veprat më të popullarizuara dhe më të njohura të stilit klasik. “Habanera”, arie e kënduar në aktin e parë dhe “Toreador”, arie e kënduar në aktin e 2 mbeten edhe sot dy nga ariet më të njohura të kësaj vepre.
Ngjarja është vendosur në Spanjën jugore dhe tregon historinë e rrëzimit të Don José, një ushtar naiv, që është i joshur nga cigania Carmen. José heq dorë nga dashuria e tij e fëmijërisë, Micaela dhe nga detyrat e tij ushtarake për Carmen.
Pas premierës pati kritika të shumta dhe publiku francez ishte përgjithësisht indiferent. “Carmen” fillimisht fitoi reputacionin e saj nëpërmjet një seri prodhimesh jashtë Francës dhe nuk u shfaq në Paris deri në vitin 1883. Pas kësaj, ajo fitoi shpejt popullaritetin brenda dhe jashtë vendit.
SINOPSI
Kompozitori Bizet u frymëzua nga novela me të njëjtin titull të shkruar nga francezi Prosper Merimée.
“Carmen” është tregimi i një dashurie të ndodhur në Seville – Spanjë. Një punonjëse sensuale dhe e apasionuar e purove, mrekullohet nga një ushtar i përkushtuar ndaj atdheut. Kështu përshkruhet takimi i parë:
“Nga shkallët e një fabrike të cigareve, një grua zbret me vrap e ndjekur nga Carmen. Dy faza të një lufte, Carmen është gati për të vrarë rivalet e saj, por është ndalur nga një burrë, Don Josè … “.
Pas ngjarjeve të ndryshme, Don Josè do të rebelohet kundër eprorëve të tij, duke u arratisur me Carmen dhe duke u strehuar në male me kontrabandistët. Por marrëdhënia është e paqëndrueshme, personazhet janë shumë të ndryshëm dhe kanë rivalë Escamillon, toreadorin e dashuruar me Carmen dhe Micaëla, e dashura e përjetshme e Don Josè. Kështu dashuria, pavarësisht forcës së saj fillestare nuk fiton dhe është mbytur nga dëshpërimi dhe dyshimi. Dashuria e Don Josè do t’i japë vdekjen Carmen-it të tij të dashur në një krizë xhelozie.
Personazhet:
Carmen, cigare bërëse Mezzo soprano
Don Josè, një brigadier Tenor
Micaëla, një fshatare Soprano
Escamillo, toreador Bariton
Frasquita, cigare bërëse Soprano
Mercédès, cigare bërëse Soprano
Remendado,kontrabandier Tenor
Dancaïre, kontrabandier Tenor
Zuniga, toger Tenor
Moralès, rreshter Bas Bariton
PËRMBAJTJA
Akti i I
Në Seville, pranë fabrikës së cigareve disa ushtarë janë duke vëzhguar kalimtarët. Mes tyre vjen Mikaëla, një vajzë e re që i pyet ata për ushtarin Don Josè. Moralès, një tjetër ushtar, i shpjegon se ai vjen në ndërrimin e turneve të rojeve. Rojet e ndihmës, të kryesuar nga toger Zuniga, vijnë dhe Don José mëson nga Moralès për ardhjen e Mikaël-as.
Sapo bie zilja e fabrikës së cigareve, burrat në Seville mblidhen për të parë punëtoret gra, veçanërisht të preferuarën e tyre, ciganen Carmen. Ajo i tregon admiruesve të saj se dashuria është e lirë dhe nuk i bindet rregullave. Vetëm një njeri nuk i kushton vëmendje. Ai është Don José, që është i dashuruar me Mikaël-ën dhe i ka premtuar asaj martesë. Carmeni smund ta durojë indiferetizmin e Don José dhe i hedh atij një lule dhe rikthehet në vendin e punës së bashku me vajzat e tjera. José merr lulen dhe e fsheh atë nën xhaketë pasi Mikaëla kthehet. Ajo sjell një letër nga nëna e Don José, që jeton në një fshat në anën tjetër të qytetit. Teksa fillon të lexojë letrën, e teksa Mikaëla largohet, brenda në fabrikë fillon një grindje mes Carmen dhe njërës prej vajzave punonjëse. Zuniga dërgon Don José për ta marr në pyetje ciganet. Carmen refuzon t’u përgjigjet pyetjeve dhe José është i detyruar ta prangosë. E mbetur vetëm me Don José, Carmen nis lojën për ta joshur duke i ofruar atij dashurinë në këmbim të lirisë. Don José i hutuar dhe i hipnotizuar prej saj, i heq prangat. Ajo e shtyn në tokë dhe largohet duke qeshur. Don José arrestohet për braktisje të detyrës.
Akti i II
Dy muaj më vonë oficerët janë në tavernën “Lillas Pastia”, vend i njohur i kontrabandistëve. Carmen dhe shoqet e saj, Fransquita dhe Mercedes këndojnë “la chanson boheme” për të ftuarit. Zuniga fton Carmen, por ajo refuzon. Ai e pyet nëse e fajëson atë për prangosjen, por Carmen pretendon të mos e kujtojë këtë gjë. Zuniga i tregon asaj për Don José që ka mbaruar së vuajturi dënimin e tij.
Dëgjohen thirrje, të cilat vijnë nga jashtë tavernës. Mes të thirrurave shpërthyese hyn toreadori Escamillo, që është mbuluar me lavdi nga suksesi në garat e fundit të Granadës.
Ai i fton të gjithë të pijnë, por sigurisht që cigania Carmen do t’ja marrë mendjen dhe fillon t`i afrohet duke flirtuar me të. Por mendja e ciganes është vetëm tek Don José. Pasi të ftuarit janë larguar, kontrabandistët Dancaïre dhe Remendado e ftojnë t`i bashkohet një goditjeje tjetër. Frasquita dhe Mercédès janë të gatshme ti shoqërojnë, por Carmen refuzon, sepse ajo ka rënë në dashuri. Më në fund, kur të gjithë janë larguar, shfaqet Don José në tavernë. Për të provuar dashurinë e tij, Don José i tregon Carmen-it lulen që ajo i hodhi për të dhe rrëfen se si aroma e saj bëri që të mos humbiste shpresën gjatë javëve në burg. Por një trombë alarmi e detyron të largohet për në kazermë. Ai i shpjegon Carmen-it se duhet të largohet. Kjo e fundit e fyer nga ky veprim, e përqesh. Premtimet dhe fjalët e tij për Carmen janë të kota dhe të pakuptimta, për sa kohë ai nuk lë ushtrinë për të jetuar i lirë me të në male. Diskutimet ndërpriten me ardhjen e Zuniga-s, i mbushur me inat dhe mllef prej xhelozisë, e cila e çon në një sulm ndaj Don José. Kontrabandistët kthehen dhe çarmatosin kapitenin Zuniga dhe e mbajnë atë për disa çaste. Don José tani nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të bashkohet me ta.
Akti i III
Ngjarjet zhvendosen në një grykë midis maleve, ku Carmen dhe Don José janë fshehur me kontrabandistët. Jeta mes maleve nuk është e duhura për Don José dhe marrëdhënia e tij me Carmen nuk është më si më parë. Ajo pranon se dashuria e saj po venitet dhe e këshillon që të kthehet për të jetuar me nënën e tij. Frasquita dhe Mercédès shohin letrat dhe lexojnë një të ardhme shumë premtuese, ndërsa për Carmen fati i ka rezervuar asaj vdekjen.
Don José qëllon ndaj një të huaji, por nuk e arrin. Ky i panjohur nuk është tjetër përveç Escamillo, që shpjegon arsyet e ardhjes së tij. Ai interesohet për një cigane të bukur me emrin Carmen, e cila nuk e do më ushtarin që kishte dezertuar për të. “Dashuritë e Carmen nuk zgjasin gjashtë muaj.” Të dy burrat nuk vonojnë të përballen me njëri-tjetrin. Nis një duel midis tij dhe Don José për shkak të Carmen. Escamillo, si profesionist, është i sigurt në fitoren e tij. Ai në fakt fiton, por e kursen rivalin e tij. Në këtë moment rrëshqet dhe bie. Don José dëshiron ta godas atë, por ndërhyn Carmen e cila e pengon. Escamillo fton Carmen për garat në Seville dhe kur ai u largohet, Don José kërcënon Carmen.
Ndërkohë arrin Micaëla, që kërkon të bind Don José të kthehet tek nëna e tij, e cila është në prag të vdekjes. Don José bindet.
Akti i IV
Ngjarja zhvendoset përballë Arena di Seville. Populli thërret i gëzuar për vargun e toreadorëve. Carmen arrin në krahun e Escamillos dhe Frasquita e Mercédès paralajmërojnë se Don José është afër. Pa frikë, ajo pret jashtë hyrjes, ndërsa turmat hyjnë në arenë. Don José i lutet Carmen që të kthehet përsëri me të. Ajo refuzon me përçmim lutjet përgjëruese të tij duke i thënë: “Carmen ka lindur e lirë dhe e lirë do të vdesë”. Ajo heq unazën që i ka dhuruar dhe e hedh atë në këmbët e tij. Turma dëgjohet duke brohoritur për Eskamillon.
Don José i marrosur nga xhelozia dhe i verbuar nga dëshpërimi e vret Carmen, e cila po shkonte drejtë arenës për të asistuar në triumfin e të dashurit të saj të ri.
Ndërkohë që Carmen vdes, në arenë dëgjohen thirrjet e turmës që përshëndet fitoren e Escamillos.
PREMIERA E JANAR – SHKURT 2018
PERSONAZHET DHE INTERPRETËT
Orkestra Simfonike e TKOB
Dirigjent: Ricardo Casero
Regjisor: Gëzim Myshketa
Me pjesëmarrjen e aktores Tinka Kurti
I ftuar special koreografi Gheorghe Lancu
Të ftuar special balerinët Anbeta Toromani & Alessandro Macario
Solistët dhe trupa e baletit të TKOB
Kori i TKOB
Dirigjent kori: Dritan Lumshi
Carmen – Vikena Kamenica, Ivana Hoxha
Don José – Giancarlo Monsalve, Armaldo Kllogjeri
Micaëla – Eva Golemi, Renisa Laçka, Dorina Selimaj
Escamillo – Gëzim Myshketa, Armando Likaj
Frasquita – Dorina Selimaj, Renisa Laçka
Mercédès – Shpresa Beka, Sofika Kola
Remendado – Elson Braha, Gilmond Myftari
Dancaïre – Erlind Zeraliu, Denis Skura
Zuniga – Antonio Zefi
Moralès – Sidrit Bejleri
Kostumograf- Ardi Asllani
Skenograf- Renold Sula
Koncert maestër- Lindita Kotorri, Ingrid Pulizo
Thanas Paskali
Gëzim Myshketa – Regjisor
Gëzim Myshketa u lind në Durrës në vitin 1982 dhe sot konsiderohet nga kritika si një nga talentet më interesant të brezit të tij.
Diplomohet në Konservatorin “Arrigo Boito” në Parma dhe specializohet nga mjeshtrat e Akademisë “La Scala”. Debutimin e tij të parë e bëri me operan “Nozze di Figaro” me rolin e Figaros. Është fitues i konkursit “AS.LI.CO” 2006 dhe Konkursit Ndërkombëtar për Muzikë Dhome me emrin e Francesco Paolo Tosti në 2008.
Ndërmerr një karrierë ndërkombëtare, e cila e ngjit si protagonist në Teatrot e rëndësishëm si: Romë, Verona, Napoli, Xhenova, Arena “Sferisterio”, Bilbao, Monpelje, “Massy Paris Sud”, Marsejë, Tuluzë, Kioto Japoni, Palm Beach U.S.A, Seul, Kore, Berlin, Bruksel, Zyrih, Salizburg, Bratisllavë me veprat “Don Carlo”, “Turandot”, “Falstaf”, “Lucia di Lammermoor”, “Il Barbiere di Seviglia”, “Puritani” etj.
Ndër angazhimet e mëtejshme do të jenë: “Traviata”, “Carmen”, “Faust” “Onjegin”,”Boheme” si solist kryesor i ftuar në Teatrin e Shtetit në Stutgart, “Traviata” në Hamburg, “Turandot” në Tuluzë, “Simon Bokanegra” në Luksemburg e Anversa / Belgjikë , “Forca del Destino” Verona, recital në Romë e Berlin etj.
Gjeografia shëtitëse për të dhënë shfaqje për baritonin Myshketa është zgjeruar shumë tashmë. Një karrierë e afirmuar që tani synon më shumë për cilësinë e rritjen artistike.
Ndër interpretimet e tij në TKOBAP përmendim operat: “L`Elisir d`Amore” (rolin e Belcore) 2004; “Il Maestro di Capella” 2005; “Cosi fan tutte” (Guliermo) 2006; “Ali Pasha Von Janina” (rolin e Ali Pashës) 2013; “ Gianni Schicchi” (rolin e Gianni Schicchi) 2015 dhe në një numër të madh koncertesh të ndryshme dhe bamirësie.
Debuton si regjisor dhe interpretues në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë me veprën “Gianni Schicchi” në vitin 2015.
Në qershor të vitit 2017, Presidenti i Republikës e nderon me titullin “Mjeshtër i Madh” për veprën, kontributet dhe arritjet e tij të spikatura artistike, si bariton dhe interpretues i shkëlqyer muzikor, duke korrur suksese anembanë skenave ndërkombëtare si dhe duke lartësuar emrin dhe vlerat e artit shqiptar kudo në botë”.
Konceptimi regjisorial i operas “Carmen” nga Gëzim Myshketa
Vrapimi i pa frenueshëm i kohës dhe seleksionimi të cilën ajo sjell konfirmon vlerën e disa veprave absolute siç është edhe “Carmen” e Georges Bizet. Gjithashtu nëpërmjet kreativitetit të mendjeve regjisoriale i ridizenjon konturet interpretative dhe shëmbëlltyren e tyre shpesh edhe në mënyrë jo të drejtë apo koherente. Fatlumtësia e bashkëpunimit me mjeshtra të mëdhej si Dante, Kokos, Bieito, Pizzi, De Anna, Del Monaco, Wieler, Zeffirelli, Vick, të cilët kanë krijuar e ngjizur edhe shijen time personale të teatrit, më ka mësuar sa herë marr në dorë një kryevepër të tillë të kem një qasje interpretative me doreza të bardha përkujdesjeje. Leximi personal i “Carmen”, që vendos në skenë, shmang keqpërdorimin e asaj çka ekziston e shkruar mjeshtërisht në novelën e Prosper Merimée dhe në partiturën e Bizet. Qëllimi i vetëm është një lexim interpretativ personal, që kërkon të shkojë më tej në leximin e një titulli me hapje sipari nga më të inflacionuarit në historinë operistike. Më kanë ngacmuar gjithnjë pyetjet si: Çfarë fsheh e kaluara e errët e José?
Si mundet të shëmbëllejë nëna e tij aq herë e përmendur gjatë veprës?
A mundet Mikaela të shtyhet më tepër nga një qëllim personal se sa një ndjenjë dashurie e pastër?
Dhe mbi të gjitha pyetja: – “Carmen a dashuron me të vërtetë apo si një version femëror i Don Zhuanit gjendet e dedikuar vetëm me vetveten dhe ndjenjën e lirisë absolute?”
Të gjitha këto pyetje shfaqin përpara syve tanë një botë akoma jo plotësisht të eksploruar të Carmen dhe misioni ynë është ti japim një përgjigje, një interpretim .
Periudha e këtij realizimi skenik mundet të jetë në vitet e errëta të regjimit fashist të Francës ku etja për liri merr përmasat e një revolucioni të vogël në finalen e aktit të dytë. E megjithatë nuk kam dashur të nënvizoj së tepërmi mesazhet politike apo historike pasi mendova një version më të butë për publikun, të paktën kësaj here. Të papritura aspak të sforcuara në çdo akt, loja krejt origjinale dhe e zhveshur nga manierizmat e kohës si dhe estetika në realizimin e çdo detaji do të jenë fari ndriçues drejt të cilit lundrojmë me plot besim, të rethuar nga emra të mëdhenj si Kurti, Ianku, Toromani, Macario e mbi të gjitha nga artistët tanë të mrekullueshëm të dedikuar dhe etur për teatër.
Ricardo Casero – Dirigjent
Pas 28 vitesh karrierë si interpretues, puna e tij si trombonist solist ndërthuret me atë të Drejtorit të Orkestrës së Palau de les Arts Reina Sofia. Si dirigjent bashkëpunëtor i kësaj orkestre ka punuar me Leonardo Berstein, Daniel Harding, Claudio Abbado, Zubin Mehta, Lorin Maazel, Lawrence Foster, Riccardo Chailly dhe Valery Gergiev.
Ricardo Casero është drejtor i orkestrës “Mbretëria e Aragonit” në Spanjë ku ka punuar me solistë si Maxim Vengerov, Sarah Chang dhe Natalia Gutman. Ai është dirigjenti kryesor i Master Symphony Orchestra, një pozicion që e mban nga viti 2007.
Casero është ftuar si dirigjent në: Raanana Symphonette – Izrael; Orkestra e Operës së Marsejës – Francë; Filarmonika Shtetërore e Ukrainës, Swedish Wind Ensemble; Halle Staatskapelle – Gjermani; Orkestra Spanjolle ONE; Orkestra Simfonike e Bilbaos (BOS), Gralicia Royal Philharmonic Orchestra, Orkestra Simfomike e Komunitetit Valencian (Palau de les Artes), Orkestra Simfonike e Valencias, Orkestra Simfonike e Ekstremadurës, Orkestra Simfonike e Rajonit të Murcias, Orkestra e Qytetit të Grandës, Orkestra Simfonike e Kordovës, Orkestra Simfonike e Kastijës dhe Leonit, Spanjë dhe Master Symphony Orchestra në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës së Filmit në Kordova dhe Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës PlayFest në Úbeda, në bashkëpunim të ngushtë më kompozitorë si Mark Isham, Trevor Morris, Blake Neely, Christopher Young, Akira Yamaoka, Austin Wintory Borislav Slavov dhe Richard Jacques, Master Chamber Players me Maxim Vengerov në Riga, Lativa.
Ricardo Casero është një muzikant që e njeh nga brenda punën interpretative dhe sjell në podium jo vetëm njohuri të thella por gjithashtu intuitën që buron nga një karrierë e gjatë dhe intensive.
“Ricardo Casero është një dirigjent i vërtetë Verdian dhe këtë mbrëmje tregoi se di të nxjerrë në në pah dramacitetin e lindur të Verdit” thotë “Gazeta e Navarrës, Teatri “Gayarre de Pamplona”, Dhjetor 2013.
RIVËNIA SHTATOR 2018
PERSONAZHET DHE INTERPRETËT
Orkestra Simfonike e TKOB
Dirigjent: Dejan Savić
Regjisor: Gëzim Myshketa
Me pjesëmarrjen e aktores Tinka Kurti
I ftuar special koreografi Gheorghe Lancu
Solistët dhe trupa e baletit të TKOB
Kori i TKOB
Dirigjent kori: Dritan Lumshi
Carmen – Vikena Kamenica, Ljubica Vraneš, Ivana Hoxha
Don José – Janko Sinadinović, Armaldo Kllogjeri
Micaëla – Renisa Laçka, Dorina Selimaj, Simona Karafili
Escamillo – Armando Likaj, Aleksandar Stamatović
Frasquita – Dorina Selimaj, Rezarta Qevani
Mercédès – Shpresa Beka, Simona Karafili
Remendado – Elson Braha
Dancaïre – Erlind Zeraliu
Zuniga – Antonio Zefi, Xhieldo Hyseni, Bledar Domi
Moralès – Genc Vozga
Realizoi rivënien regjisoriale – Ada Gurra
Kostumograf- Ardi Asllani
Skenograf- Renold Sula
Koncert maestër- Lindita Kotorri, Ingrid Pulizo
Thanas Paskali
Në kuadër të nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit me Teatrin Nacional të Operas së Serbisë, TKOBAP realizon aktin e parë të këtij Protokolli në operan “Carmen”.
Në rivënin e shfaqjes në datat 27,28,29 dhe 30 Shtator, Orkestra e TKOB dirigjohet nga Dejan Savić, njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i Operas së Beogradit.
Dejan Saviç – Dirigjent
Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit të Operas, Baletit dhe Dramës së Serbisë
Dejan Savić është dirigjent kryesor i Operës dhe Baletit të Beogradit që nga viti 1993 dhe Drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 2001 deri në 2004.
Në të njëjtën kohë, është drejtor i orkestrës PRO CLASSICA, si dhe orkestrës së famshme “Kori i Përzier Braca Baruh”, e themeluar në vitin 1879. Nga viti 1989 deri më 1992 ka qenë drejtor artistik i Orkestrës Simfonike të Nishit dhe prej vitit 1993 deri në 1995 ishte drejtor artistik i Ansamblit të Muzikës së Dhomës PRO MUSICA, më i vjetri në Jugosllavi. Dejan Savić, si i pari dhe deri më tani i vetmi muzikant në historinë 140 vjeçare të këtij institucioni, ishte drejtor i Teatrit Kombëtar, në vitet 2005 – 2007
Një prej muzikantëve klasik që ka dirigjuar vepra të ndryshme të Mozart, Bizet, Sen Saëns, Wagner, Verdi, Rosini, Belini, Puccini dhe autorë të tjerë, me korin e tij, si dhe me koret e tjera që ai drejton, ka marë pjesë në shumë aktivitete prestigjioze ndërkombëtare korale duke rrëmbyer shumë çmime. Turnetë e tij si dirigjent janë anë e kënd botës duke veçuar këtu me Orkestrën Simfonike Blumingdale në Nju Jork.
Suksesi i operas “Carmen” dhe shtypi
Produksioni i ri që hapi sezonin e ri operistik 2018 të TKOBAP-së, ishte opera “Carmen” me muzikë të George Bizet. Opera “Carmen” u shfaq premierë në datë 30, 31 Janar si dhe në datat 1, 2, 3 Shkurt në Pallatin e Kongreseve. Pas përfundimit të 5 netëve të magjishme me një sallë të mbushur plot, kjo opera rezulton shfaqja më e shitur e 10 viteve të fundit të TKOB-së, me një numër total rreth 5.000 spektatorë. Për këtë vepër u realizuan 270 kostume të ideuara nga stilisti Ardi Asllani duke sjellë në kohë atmosferën sanguine spanjolle. Publiku shqiptar mbushi për 5 netë radhazi Pallatin e Kongreseve duke shënuar një rekord të ri për TKOBAP-në dhe duke duartrokitur pa fund artistët që realizuan këtë vepër dhe që mbajti pezull publikun deri në fund të katër akteve të operas. Kjo shfaqje ndërthuri ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare dhe angazhoi rreth 170 artistë, këngëtarë lirikë, balerinë dhe fëmijë.
“Carmen” erdhi me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa, i suksesshëm në skenat e huaja dhe ato shqiptare, nën dirigjimin e Maestro Ricardo Casero. Ky produksion solli në skenën shqiptare të ftuarin special, koreografin me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, tenorin Giancarlo Monslave, balerinët Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario, të cilët ju shtuan artistëve të mrekullueshëm të TKOBAP-së si: Vikena Kamenicës, Eva Golemit, Armaldo Kllogjerit, Armand Likaj, Ivana Hoxhës, Sidrit Beljerit, Renisa Laçka, Dorina Selimaj, Armando Likaj, Shpresa Beka, Sofika Kola, Antonio Zefi, Erlind Zeraliu, Denis Skura, Gilmond Myftari, Simona Karafili, Elson Braha etj.
Media e shkruar dhe ajo vizive i bëri jehonë të madhe këtij produksioni gjigant të Teatrit të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku ndër të tjera veçojmë disa vlerësime e tituj:
RTSH – “Kasti i artistëve drejtuar nga regjisori i shfaqjes për të përçuar tek publiku më të mirën nga vetja, u vu re që në aktin e parë të operas. Don Jose, interpretuar nga tenori kilian Giancarlo Monsalve dhe Micaela, intepretuar mjeshtërisht nga sopranoja Eva Golemi e Renisa Lacka me një finesë dhe dashuri të pafajshme nga premtimet e fëmijërisë përgatisin skenën për temperamentin vullkanik të ciganes Carmen, e cila ringjiti në këtë rol mezzosopranon Vikena Kamenica. Në rolin kryesor Kamenica mishëroi ciganen që rrëzon në gjunjë meshkujt dhe i merr mendjen Don Jose-s e po aq matadorit Don Escamillo, një prej roleve më të sukseshme në karrierën e baritonit Gëzim Myshketa”
Trupa e baletit plotësonte kuadrin e një produksioni mahnitës që riktheu në skenën shqiptare balerinën e famshme Ambeta Toromani, e cila në duetin me Alessandro Macario na rikujtuan finesën dhe dramacitetin që mund të ngërtheje një balet në funksion të veprës. Konceptuar larg flamenkos popullore, por ngjitur në elegancën e tangos koreografia nga mjeshtri Gheorghe Iancu pati aftësinë të na transportonte shpirtërisht ndihmuar edhe nga kori i mrekullueshëm.
Report TV- “Tiumfon “Carmen” me Kamenicën, Monsalven, Myshketën e Golemin”
RTSH -“Opera Carmen, një triumf magjik tingujsh”
ABC News – “Opera “Carmen” ia del të ngërthejë spektatorin, mirëpritet nga publiku. Opera e pasionit, dashurisë, intriguese dhe xhelozisë rrëmbeu spektatorin përmes interpretimit të Vikena Kamenicës, Gëzim Myshketës, Giancarlo Monsalve, Eva Golemit etj”
Spektrum – “Opera “Carmen” bën bashkë më të mirët e skenës”
Shqiptarja.com -“Ka përfunduar me shpërthim duartrokitjesh dhe entuziazëm nata e parë e premierës së operës ‘Carmen’ në Pallatin e Kongreseve në Tiranë”