Baritoni Gezim Myshketa, Mjeshtër i Madh dhe fitues i disa çmimeve prestigjioze, i njohur për debutimet e tij në kryevepra botërore në skenat e teatrove të Italisë, Japonisë, Koresë, SHBA-së, Gjermanisë dhe më gjerë, rikthehet në qytetin e tij të lindjes, Durrës, me një koncert recital unik.
I shoqëruar nga kori, solistët dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, Gezim Myshketa do të interpretojë një përzgjedhje këngësh shqiptare, duke përfshirë “Të falem i bukri Durrës”, “Për ty Atdhe” dhe “Pragu i vegjëlisë”.
Po ashtu, repertori do të përmbajë edhe pjesë të njohura ndërkombëtare si “Parla più piano”, “Funiculì Funiculà” dhe “Caruso”.
I cilësuar nga kritika italiane si një nga talentet më të spikatura të brezit të tij, Myshketa interpretoi së fundmi rolin e Gianni Schicchi-t në operën “Il Trittico”, e cila u vu në skenën e TKOB-së gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti.
Ky koncert organizohet në bashkëpunim me Bashkinë Durrës.
Mbani shënim datën!