BALETI “ La Sylphide” – 27,28,29 dhe 30 prill / ora 19:00

Shfaqja e baletit “La Sylphide”, shënon një moment tepër të rëndësishëm në kalendarin artistik Janar – Qershor 2022. Kjo shfaqje vijon konkretizimin e platformës së bashkëpunimit me institucionet arsiomore në Shqipëri, të cilët përgatisin asrtistët e së ardhmes. Kjo shfaqje do të ringjisë në skenë përveç trupës së baletit dhe solistët e TKOB, por edhe 30 nxënës të Shkollës Kombëtare Koreografike, të cilët vijojnë rrugëtimin e karrierës së tyre profesionale jashtë bankave të shkollës.

Në shfaqjet e datave 27, 28, 29 dhe 30 prill – ora 19:00 në skenën e madhe të TKOB.

Historia e James, të riut skocez që magjepset nga një botë përrallore, rikthehet në TKOB në katër netë plot magji. Baleti romantik dhe plot emocion La Sylphide, i cili realizohet nga TKOB në bashkëpunim me Shkollën e Baletit.

“La Sylphide” – Balet me dy akte

Muzika: Herman Lovenskiold

Libreti : Adolphe Nourrit

Koreografia: August Bournonville

TRUPA E BALETIT & ORKESTRA E TKOB

Dirigjente: Deniola Kuraja

Baletmaestër: Alisa Gjoni

Koncertmaester : Enina Llozi

Skenografia: Zorz Drausnik

Kostumet: Elva Bella

 

Personazhet:

Sylphide – Zanë ajri

James Ruben – Fermer skocez

Gurn – Shoku i Xhejmsit

Effi – E fejuara e Xhejmsit

Madge – Magjistarja

Nëna e Effi-t

Akti I

Në sallonin e një shtëpie në një fermë skoceze, i riu James Ruben në ditën e martesës me të fejuarën e tij Effi është duke dremitur  në një kolltuk pranë zjarrit. Një Sylphide (zanë ajri) e shikon me dashuri dhe i dhuron një puthje. James zgjohet, por Sylphide zhduket. Në festën e martesës së James dhe Effi-t mblidhen miqtë, mamaja e Eff-it, Gurn dhe magjistarja Magde. Madge i lexon dorën Effi-t duke i parashikuar një të ardhme të lumtur, por jo me të fejuarin e saj por me Gurn-in.James i nxehur e përzë nga shtëpia magjistaren plakë. I mbetur vetëm, i shfaqet përsëri Sylphide, e cila i shpreh dashurinë. Ndërkohë që ai kërcen i lumtur me zanën, e gjithë ngjarja vëzhgohet nga Gurn, që i nxehur thërret  Effi-n, që zbulon të vërtetën për tradhëtinë e James. I zënë në befasi, ai e fsheh Sylphide pas kolltukut dhe e mbulon me një kuvertë. Kur Gurn ngre kuvertën bukuroshja ishte zhdukur. Sylphide shfaqet sërisht dhe përpiqet të tërheqë vëmendjen e James (i cili është i vetmi që mund ta shohë). Ajo i rrëmben unazën, të cilën ai do ja japë Effi-t, e vendos në gishtin e saj dhe largohet drejt pyllit. James vrapon pas saj. Effi zemërthyer fillon të qajë në krahët e nënës së saj.

Akti II

Në pyllin e mjegulluar, Magde dhe magjistaret e tjera trazojnë pa pushim një kazan të madh. Magde nxjerr nga kazani një shall të bukur magjik. James nëpër pyllin e dendur ndjek Sylphide i dashuruar marrëzisht pas saj, por ajo e shmang. Në pyll mbërrijnë dasmorët, që kërkojnë James por gjejnë vetëm kapelen e tij. Në këtë moment i afrohet Magde, që mezi priste rastin për të marrë hak. Ajo i ofron James shallin vezullues dhe i shpjegon se nëse e hedh atë rreth krahëve të Sylphide, ajo do të shndërrohet në një qënie njerëzore. James i lumtur i beson magjistares dhe i hedh Sylphide shallin rreth krahëve dhe menjëherë krahët e saj këputen dhe ajo vdes në krahët e tij. Ndërkohë James dëgjon tingujt e dasmës së Eff-it me Gurn dhe bie në tokë i pajetë dhe Magde kënaqet me hakmarrjen e saj.

Njihuni me jetën e kompozitorit Herman Severin Lovenskiold

Ka lindur në Norvegji në 1815. Në vitin 1829 familja shpërngulet në Danimarkë. I riu Herman Lovenskiold ishte tepër i talentuar dhe për një kohë të shkurtër u bë i njohur në rrethet muzikore, kështu që nisi të studiojë për muzikë. Muzikën për baletin “La Sylphide” e ka kompozuar në moshën 21 vjeçare dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm. Në Danimarkë, “La Sylphide” pati shumë sukses dhe qëndroi gjatë në repertor. Në 1838, ai doli në një turne nëpër Europë nën kujdesin e Mbretërisë dhe pasi vizitoi edhe Saint Peterburgun, ai kthehet përfundimisht në Kopenhagen. Ai ka kompozuar një sërë veprash baleti dhe pjesë të tjera teatrale me shumë sukses si dhe muzikë dhome për piano, por asnjëra nga këto nuk e arriti suksesin e “La Sylphide”. Megjithatë një nga veprat e fundit të tij, uvertura koncertale “Fra Skovenvecd Fureso” e kompozuar në 1863, vërtetoi edhe njëherë talentin e tij në muzikë.

Njhuni me jetën e koreografit August Bournonville

Bournonville ka lindur në Kopenhagen, Danimarkë (1805 – 1879) Ai ishte një mjeshtër baleti dhe koreograf. Rridhte nga një familje balerinësh dhe koreografësh. Ai ishte trajnuar nga babai i tij, Antoine Bournonville si dhe kishte studiuar me koreografin e Baletit Royal danez, italianin Vincenzo Galeotti në Kopenhagë, Paris dhe Francë me balerinin francez Auguste Vestris.Ai nisi një stil unik në balet, të njohur si Shkolla Bournonville.

Pas studimeve në Paris,  u emërua  balerin solist në Baletit Mbretëror në Kopenhagen.Nga 1830 në 1848, ai ishte koreografi  i Baletit Royal danez, për të cilën ai ka krijuar më shumë se 50 balete të  admiruara për butësinë dhe bukurinë e tyre.Ai krijoi një stil, i cili, edhe pse i ndikuar nga baleti francez, është tërësisht i tij.Si  koreograf, ai krijoi një numër baletesh të ndryshme, që shkojnë nga Danimarka në Itali, Rusi dhe Amerikën e Jugut.Që nga viti 1950, Baleti Royal ka bërë disa herë turne të zgjatura jashtë vendit, si dhe  në Shtetet e Bashkuara, me baletet e vëna në skenë prej Bournonville.

Baletet më të njohura të Bournonville janë “La Sylphide” (1836), “Napoli” (1842), “Le Conservatoire” (1849), “The Kermesse in Bruges” (1851) dhe “A Folk Tale” (1854) etj.

 

Biletat do të fillojnë shitjen në datën 19 prill në biletarinë e TKOB.

 

Ju mirëpresim!