8 DHE 9 TETOR 2022 | ORA 20:00

SKENA E TKOB

 

 

Koreografia: Taulant Shehu

Muzika: Arne Stiven

Trupa e Baletit të TKOB

 

Dasma në vendin tonë është një nga momentet më të rëndësishme në jetën e të rinjve për shkak të asaj çka ajo përfaqëson në shoqërinë tone. Nuk janë vetëm dy njerëz që takohen. Janë familje, klane që bashkohen, struktura sociale të reja që krijohen, emocione të reja që lindin dhe emocione të vjetra që ringjallen. Festa e madhe e dasmës është simbol i gëzimit, bashkimit dhe premtimit të madh për përjetësi. Dhe është pikërisht ky premtim që sjell dhe anën e errët, konfliktin, vetminë, mosmarrëveshjet dhe dramën që mbart në vetvete një festë e madhe si kjo. A është e mundur t’i premtojmë dikujt përjetësinë…?

Kanë qenë pikërisht këto 2 energji të kundërta dhe përplasia e tyre me njëra tjetrën frymëzimi im për Dua-n.

Që në gjenezën e formimit tim artistik, folklori luan një rol të rëndësishëm dhe pikërisht aty fillon kërkimi im koreografik për këtë krijim. Pas një studimi të gjatë për kërcimet dhe traditat e folklorit, unë mora esencën e tyre për të sjellë në skenë perceptimin tim të ritualit të dasmës, një ndërthurje mes risive të kërcimit modern dhe elementeve autentike të folklorit Shqiptar.

Për Dua-n unë i besova muzikën Arne Steve, një kompozitor i mirënjohur në Gjermani. Ai mbeti i mahnitur nga motivet e muzikës dhe instrumentat e veçanta shqiptare dhe e pranoi me kënaqësi ftesën time për t’u bërë pjesë e “dasmës shqiptare”.

Unë besoj vërtet që “Dua” ka potencial të jashtëzakonshëm dhe do të jetë risi e veçantë jo vetëm për publikun shqiptar por edhe për artistët qe do marrin pjesë.

Nga Koreografi: Taulant Shehu