“Dhoma 12” nga trupa e baletit të TKOB.
8,9 dhe 10 shkurt – ora 19:00
arTurbina
Koreograf: Manjola Hasani dhe Esdalin Gorani
Kostumograf: Ardi Asallani
Skenograf: Renold Sula
Ne rol kryesor: Eltion Merja
Solistë: Ledia Sulaj, Anxhelo Muçollari, Adela Muçollari, Fatjon Lito
Elda Logo, Luixhino Hala, Lori Bala, Klevi Carkanji,
Ledian Agalliaj, Odeta Dishnica, Isida Mollaymeri, Amela Prifti
“Dhoma 12” është premiera absolute e trupës së baletit të TKOB, e cila realizohet me koreografinë e Manjola Hasanit dhe Esdalin Goranit. Kjo vepër është e zhanrit kontemporan dhe është një krijim original i dy koreografëve. Një vepër me elementë të vështirë koreografik dhe me një intensitet të lartë lëvizjesh. Një balet ku baza është lëvizja, por që ndërthurja me elementët e jashtëm skenik, ndriçimin dhe elementet teknologjikë përbëjnë të gjithë veprën. Një formë e veçantë e të ndërtuarit të një vepre, e cila e zhvesh artistin nga rëndesa e kostumeve dhe ai paraqitet ashtu siç është, për të folur vetëm me gjuhën e trupit, veshur vetëm me emocionin e personazhit. Kjo vepër është një premierë absolute e TKOB, e realizuar me kostumografi të Ardi Asllanit dhe skenografi të Renold Sulës.
E gjithë shfaqja është e ndërtuar në 15 personazhe kryesorë, të cilët janë dhe solistët e veprës. Në qendër qëndron individi rreth të cilit rrotullohet gjithçka, jeta, historitë, hyrjet dhe daljet në dhomat e jetës dhe ndalesa, ose harresa. Çdo dhomë ka ndjesinë, tempin dhe përmbajtjen e saj. Në 12 dhoma luhen 12 ngjarje, emocione, ndjesi, kujtesa, deshira apo disfata. Në 12 dhoma jetohet për të lënë gjurmë kujtese, nesër nuk e dimë nëse do të na i atribuojnë kur mos të jemi më.
Premiera e baletit “Dhoma 12” do të jetë në 8,9 dhe 10 shkurt – ora 19:00 në arTurbina.
SINOPSI I VEPRËS.
Një teori antike na rrëfen se “Jeta është e përbërë nga 12 dhoma. Janë këto të 12 –ta ku do të lemë diçka nga vetja, të cilat do të mbahen mend nga të tjerët. 12-të janë dhomat që do të na bëjnë të kujtohemi, pasi të kalojmë të fundit! Asnjë nuk e mban mend dhomën e parë, sepse kur lindim nuk shohim dot, por shohim shumë mirë kur shkojmë në dhomën e fundit, në dhomën e 12-të” e kështu i rikthehemi të gjithave dhe fillojmë nga e para. Dhoma do të thotë të ndalosh, por edhe të presësh. Eshtë një element i rëndësishëm, të cilës nuk i japim vëmendje asnjëherë. E themi dhe kaq. I kemi krijuar, i kemi ndërtuar kur kemi gjetur një vend ku të qendrojmë, madje ju kemi dhënë dhe emra, numra apo kuptime poetike ndonjëherë si: dhoma e pritjes, dhoma e çajit, dhoma e ëndrrave, dhoma me një pamje apo dhoma 12.
Dhomat janë të pafundme, por nuk e mendojmë gjatë. Janë kaq të zakonshme në jetët tona sa i quajmë të kota, e kështu i drejtohemi duke i thirrur “Dhoma”. Dhoma ku presim, quhet dhoma e pritjes. Aty ku i mbyllim njerëzit, i quajme qeli, sikur të mos ekzistonin më, sikur të ishin të padukshëm. Pastaj janë dhomat me një karakter si: dhoma e krijimit, dhoma e ëndrrave, dhoma e kujtimeve, dhoma e verbër, dhoma të braktisura të cilat të fusin frikën. Ka dhoma që të bëjnë të largohesh me mendime apo që të izolojnë.
Çdo dhomë ka tingullin e vet, erën e vet dhe dritën që influencon tek ne dhe na ndikon në memorjen tonë. Në këtë udhëtim do të hapim një derë, e cila do të na fusë ose do të na nxjerrë, sepse dhomat PËRSHKOHEN.
Ne dhomë futesh dhe del. Dhomat janë bosh dhe plot, por jemi ne ata që i veshim ose i zbrazim. Dhomat ndryshojnë çdo sekonde që kalon, i ndryshon drita, personat që jetojnë në to, ato thithin energjinë tonë. Ndodh që ne gjatë jetës tonë të na jetë dashur të përshkrojmë dhoma imagjinare të detyruar. Në jetën tonë ka momente që hyjmë në dhoma, të cilat nuk i kemi për zemër. Kjo është një nga ato dhoma, ku ndihemi të bllokuar për një kohë të gjatë. Dhoma që e mbysin dritën dhe kthehen në të errëta, shumë të vogla për të na mbajtur e për të na duruar, por njëkohësisht kthehen prap të mëdha e të pamundura për tu përshkuar.
KOHA NUK EKZISTON, AJO RRI JASHTË KËSAJ DHOME. Është një dhomë ku nuk kemi trup dhe as muzikë, e cila ndonjëherë ndodhet në një spital apo në shtëpi, por në fakt është e njëjta dhomë në realitet. Është aq e ërrët sa dhe ndjenjat tona bëjnë të pamundurën për të mundur të futen në të. KJO DHOME NA RRI BRENDA EDHE PASI KEMI DALE PREJ SAJ. Na bën të bëjmë gjithçka për mos u futur në asnjë prej tyre, e prap na kanë dhuruar gjëra të rëndësishme, na kanë bërë kureshtar e na kanë hapur sytë drejt së ardhmes. Dhoma mbetet dhoma, në të cilën mund të futemi dhe të dalim, të marrim apo të japim diçka, por gjithmonë është dhoma në të cilën lind dhe vdes diçka prej nesh.