22 PRILL – 20:30
LIVE NË FACEBOOK, YOUTUBE DHE WWW.TKOB.GOV.AL
#TKOBAP shfaq GALA e talenteve të rinj të baletit dhe vokalit.
Pas trajnimit dy mujor në trupën e baletit, talentet e reja prekin skenën e #TKOB në një GALA me pjesët më përfaqësuese të zhanrit klasik. Së bashku me solistët e rinj të vokalit të zbuluar, trajnuar dhe angazhuar në kryerolet e veprave të shfaqura në 4 vitet e fundit.
Në fjalën që Drejtoresha e Përgjithshme Znj. Zana Çela mbajti me artistët e rinj, ajo u shpreh se:
“Nesër ju keni shfaqjen e parë. Një pjesë prej jush, sigurisht, ka performancën e parë dhe ne jemi munduar që t’ju japim maksimumin, në kuptimin që skena është në dispozicionin tuaj, madje jeni ju që e shkelni për herë të parë këtë skenë në performancë baleti. Po, skena të jep emocione shumë të mëdha, por të jep dhe përgjegjësi të madhe. Prandaj unë do doja që gjithsecili nga ju nesër mbrëma të ndihet si zoti i kësaj skene. Të japë maksimumin në interpretim, pse jo edhe interpretim krijues, dhe maksimumin në aspektin teknik. Kjo shfaqje është e veçantë siç është dhe gjithë koha jonë e sotme. Kemi muaj që po kalojmë në një periudhë krejt të çuditshme. Është e veçantë sepse në sallë nuk ka spektatorë, po do ketë kamera. Kjo, megjithëse nuk na jep atë publikun që na jep emocione direkte, të prekshme, na ka rritur audiencën. Na jep një publik online, ndoshta shumë herë dhe shumë herë më të madh në numër. Jam shumë e bindur që së bashku me Alisën, përgjatë këtyre dy muajve ju keni marrë më të mirën e mundshme. Ashtu siç jam e bindur që secili nga ju, kur të shikojë veten në transmetim, do të kuptojë që sa shumë keni akoma për të dhënë, në të ardhmen.
Dëshira ime dhe e të gjithëve ne është që të gjithë, siç ju shikoj, të jeni solistët kryesorë të teatrit në një të ardhme shumë të shpejtë, duke filluar nga kjo shfaqje. Keni marrë përsipër të interpretoni fragmente nga veprat më të mëdha dhe më të vështira klasike, Arrëthyesi, Zhizel, Rajmonda, Kopelia, Liqeni i Mjelmave. Ndaj dhe unë mendoj që repertori është një repertor shumë i përzgjedhur për të testuar aftësitë tuaja.
Në mes të muajit prill do të vijë asistentja e Angjelin Preljocaj, e cila do të qëndrojë në teatrin tonë pikërisht për ju. Për artistët e rinj më shumë, por sigurisht edhe për pjesën tjetër të trupës për t’ju trajnuar me një repertor që Angjelin Preljocaj ka dëshirë ta vërë në skenë në teatrin tonë sa më shpejt të jetë e mundur, në kuptimin e ikjes së këtij virusi.
Kjo skenë është për të gjithë, për të gjithë ata që janë të apasionuar të realizojnë maksimumin e interpretimit teknik dhe artistik. Ky është një mesazh që ne duam ta japim herë pas here, si drejtues dhe si staf i Teatrit të Operas. Ju lutem, ejani të testoheni, të trajnoheni në teatrin tonë dhe të bëheni artistët e kësaj skene. Ky është një mesazh për të gjithë: për shokët tuaj, për kolegët tuaj, dhe për të gjithë të tjerët që sigurisht nuk janë vetëm balerinë, por janë dhe instrumentistë, janë këngëtarë, pra janë ekip i skenës, marketingut. Unë jam shumë e bindur që ju jeni jashtëzakonisht të apasionuar sepse jo rastësisht e keni filluar baletin që në klasë të pestë. Pra, keni një jetë të tërë që shkoni drejt rrugës së skenës. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Por duhet të kuptoni që skena mbahet. Shijojeni skenën, bëni maksimumin tuaj, dhe jam e bindur që së bashku do të kemi një rrugëtim që nuk do të ketë fund asnjëherë. Sepse talenti nuk ka fund asnjëherë. Ju uroj shumë shumë suksese!”
Koreopetitore: Alisa Gjoni
Balerinë: Kevin Lila, Sabina Maklekaj, Enea Qirici, Eles Resuli, Armando Meci, Ambra Troplini, Ervis Koçeku, Renato Lleshi, Fjolla Lamaj, Stefi Xhelaj.
Solistë vokali: Renisa Laçka, Nina Muho
Pianiste: Herta Cane
NË PROGRAM:
Adagio nga baleti “Le Corsaire”
Kompozitor: Adolph Adam
Koreografia sipas origjinalit: Marius Petipa
Interpretojnë: Sabina Maklekaj dhe Kevin Lila
***
Adagio nga baleti “Raymonda”
Kompozitor: Alexander Glazunov
Koreografia sipas origjinalit: Marius Petipa
Interpretojnë: Eles Resuli dhe Armando Meci
***
Monolog “Vdekja e mjellmës”
Kompozitor: Camille Saint-Saëns
Koreografia sipas origjinalit: Mikhail Fokine
Interpreton: Ambra Troplini
***
Aria e Musette “Quando me’n vo'” nga opera “La Boheme”
Kompozitor: Giacomo Puccini
Interpreton: Nina Muho
Pianiste: Herta Cane
***
Variacion i Albert nga baleti “Zhizel”
Kompozitor: Adolph Adam
Koreografia sipas origjinalit: Agron Aliaj
Interpreton: Ervis Koçeku
***
Adagio “Coppelia”
Kompozitor: Leo Delibes
Koreografia: Arthur Saint-Leon
Interpretojnë: Sabina Maklekaj dhe Kevin Lila
***
Aria e Mimi “ Donde lieta usci” nga opera “La Boheme”
Kompozitor: Giacomo Puccini
Interpreton: Renisa Laçka
Pianiste: Herta Cane
***
Valle spanjolle nga baleti “Arrëthyesi”
Kompozitor: P.I. Tchaikovsky
Koreografia sipas origjinalit: Marius Petipa dhe Lev Ivanov
Interpreton: Renato Lleshi
***
Adagio “Melody”
Kompozitor: Antonin Dvorak
Koreografia: Asaf Messerer
Interpretojnë: Eles Resuli dhe Ervis Koçeku
***
Aria e Juliette “Je veux vivre” nga opera “Romo et Juliette”
Kompozitor: Charles Gounod
Interpreton: Nina Muho
Pianiste: Herta Cane
***
Suitë nga baleti “La Sylphide”
Kompozitor: Herman Lovenskjold
Koreografia sipas origjinalit: August Bournoville
La Sylphide: Ambra Troplini
Xhejms: Kevin Lila
Shtrigani: Enea Qirici
Në variacione: Sabina Maklekaj, Ervis Koçeku, Eles Resuli, Armando Meci, Renato Lleshi, Fjolla Lamaj, Stefi Xhelaj.