Spoti Video – Agnus Dei
TKOBAP – Agnus Dei – Koncerti i plotë online
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, çeli sezonin artistik 2020/2021 me koncertin “Agnus Dei”, me pjesë nga kompozitorët Bach, Handel, Mozart, ekzekutuar nga Orkestra e TKOB-së, nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, me interpretim të solistëve Etrita Ibrahimi (Klaviçembalo), Dorina Selimaj (Soprano), Ina Gaqi (Alto), Erlind Zeraliu (Tenor), Bledar Domi (Bass). Ky program premierë u prezantua përpara publikut mbrëmjen e 1 tetorit, ora 19.00, në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar.
Në program:
Johan Sebastian Bach – Brandenburg Concerto No. 3
Klaviçembalo: Etrita Ibrahimi
Violinë Principale: Gëzim Bulçari
Dirigjent: Dritan Lumshi
Ekzekutoi: Ansambli i Harqeve
***
George Frideric Handel – “Lascia ch’io pianga” – Aria e Almirane nga opera Rinaldo, Akti II
Klaviçembalo: Etrita Ibrahimi
Soprano: Dorina Selimaj
Dirigjent: Dritan Lumshi
Ekzekutoi: Ansambli i Harqeve
***
George Frideric Handel – “Ombra Mai Fu” – Aria e Kserksit nga opera Serse
Klaviçembalo: Etrita Ibrahimi
Bass: Bledar Domi
Dirigjent: Dritan Lumshi
Ekzekutoi: Ansambli i Harqeve
***
Johan Sebastian Bach – Clavicembalo Concerto D minor
Klaviçembalo: Etrita Ibrahimi
Dirigjent: Dritan Lumshi
Ekzekutoi: Ansambli i Harqeve
***
Wolfgang Amadeus Mozart – Coronation Mass – Agnus Dei
Soprano: Dorina Selimaj
Alto: Ina Gaqi
Tenor: Erlind Zeraliu
Bass: Bledar Domi
Dirigjent: Dritan Lumshi
Ekzekutoi: Formacion Orkestral
***
Antonio Vivaldi – Gloria
Dirigjent: Dritan Lumshi
Interpretuan: Formacion Orkestral dhe Kori i TKOB
Përshkrim i shkurtër
Koncerti “Agnus Dei” çeli sezonin e ri artistik 2020/2021 me një program premierë i cili solli para publikut përfaqësuesit e muzikës baroke.
Mbrëmja erdhi si një lutje e madhe drejt Zotit, për largimin e mëkateve dhe në emër të dashurisë për jetën. Në ritmet e ngadalta të Handelit u ndje vuajtja dhe brenga, të cilat u pasuan nga “allegrot” e Mozart-it dhe Vivaldi-t, ku u ndje madhështia dhe lartësia e Zotit, tek i cili gjejmë paqen e përjetshme.
Kjo mbrëmje ishte një dedikim për të gjitha ato familje që kanë humbur të dashurit e tyre për shkak të pandemisë COVID-19.
Shfaqja ndërtohet mbi bazën e muzikës vokalo-instrumentale të viteve 1700, me kompozitorët më përfaqësues të kësaj periudhe: Handel, Bach, Mozart dhe Vivaldi.
Handel ishte pika lidhëse midis dy epokave, të afërta në vite, por të cilat u konsideruan si dy stile të ndryshme, me emërtimet barok dhe klasike.
Ky koncert ka si veçanti vokalin, i cili vjen nëpërmjet dy solistëve, kuartetit dhe korit.
Dritan Lumshi
Ka nisur studimet e tij për Violin në Liceun Artistik Jordan Misja dhe më pas ka përfunduar studimet për dirigjim simfonik dhe koral pranë Akademisë së Arteve në 2004 me rezultate të shkëlqyera dhe Master në Muzikologji në 2007. Që prej vitit 2007 është Dirigjent i Korit të TKOB. Ka drejtuar korin e TKOB në shumë vepra si dhe ka drejtuar shfaqje si dirigjent principal në opera si Flauti Magjik, Drei Grochen Opera, Dasma e Figaros, Suor Angelica, Baleti Bajadera, etj. Përveç aktiviteteve në TKOB ai ka marrë pjesë edhe në shumë aktivitete të tjera brenda dhe jashtë vendit. Vazhdon aktivitetin pedagogjik.
Etrita Ibrahimi
E lindur në Tiranë në një familje të njohur artistësh e filloi fare e re aktivitetin koncertal. Në vitet në vazhdim ndoqi një seri koncertesh dhe çmimesh të fituara në konkurset kombëtare dhe në 1989, vazhdon studimet në Konservatorin “G. Verdi” të Torinos, ku u diplomua “cum laude”, në klasën e Prof. Remo Remoli. Ka realizuar shumë koncerte për të gjitha qytetet e rajonit të Piemonte-s në Itali, në Austri, Spanjë, Çeki, Francë, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Kroaci, Shqipëri, etj. Është klasifikuar në vendet e para në konkurse të ndryshme. Për aktivitetin artistik të zhvilluar në Itali, në vitin 2005 ka fituar çmimin ndërkombëtar për karrierën “Beato Angelico”, i akorduar nga Bashkia e Romës (Itali).
Aktualisht është drejtoreshë artistike e Festivalit Ndërkombëtar “PIANODROM”, koncertmaestër në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë dhe zv/presidente e Fondacionit Kulturor “Feim Ibrahimi”.