Disa nga përgjigjet për pyetjet që na bëhen më shpesh!

 

  • Kur duhet të arrij për të parë shfaqjen në kohë?
    Shfaqjet tona në periudhën e dimrit nisin gjithmonë në orën 19:00, kurse në sezonin e verës nisin në orën 20:00. Dyert e sallave ku ne zhvillojmë shfaqjet, deri në periudhën e përfundimit të rikostruksionit të godinës së TKOB, hapen në orën 18:40 dhe mbyllen në orën 19:00 në dimër dhe hapen në 19:40 dhe mbyllen në 20:00. Ju lutemi të bëni paraqitjen tuaj sipas orareve të mësipërme. Në rast se ju nuk respektoni këto orare, dyert e sallës do të jenë të mbyllura dhe me keqardhje ju bëjmë me dije se nuk do të mund të futeni më brenda deri në pushimin e aktit pasardhës (në rastet kur ka pushime) dhe vendet tuaja fillestare nuk do të jetë më të lira.

 

  • Çfarë duhet të vesh?
    Nuk është e nevojshme të jeni shumë formal, mjafton të ndiheni sa më komod me veshjen tuaj. Ju dini më së miri të zgjidhni kodin e veshjes tuaj për shfaqjet operistike.
    Gjithsesi ne ju sugjerojmë që të bëni kujdes me sasinë e parfumit që do të përdorni atë natë. Mund të ketë përsona në audience, që janë alergjik ndaj produkteve kimike si parfume, antidjersë, apo produkteve të tjera me aromë.

 

  • A mund të paguaj me kartë krediti?
    Ky shërbim do t’ju ofrohet shumë shpejtë në biletarinë tonë, në godinën e re të TKOB. Për momentin, duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, mund të paguani vetëm cash në sportelet tona të shitjes së biletave.

 

  • A mund të blej në hyrje suvenire apo produkte të TKOB?
    Me shumë kënaqësi tashmë në shfaqjet tona ju mund të blini librin e plotë të shfaqjes, të cilën keni ardhur të shihni. Në këndin e përcaktuar të shitjes, shumë të dallueshëm në sallën ku ju do të ndiqni shfaqjen, ju mirëpresim për të marrë produktet tona.

 

  • A është e mundur të fotografoj gjatë shfaqjes?
    Ju mund të bëni çdo foto që dëshironi, por jashtë sallave qendrore ku mbahen shfaqjet. Në çdo ambient përreth është e mundur, por me pozicionimin tuaj në poltronin që korespondon me biletën tuaj, ju nuk mund të bëni foto me apart fotografik apo celular.

 

  • A është në rregull që telefoni im të jetë në heshtje?
    Me mirëkuptimin tuaj do t’ju luteshim që telefoni përgjatë zhvillimit të shfaqjes të jetë i fikur. Valët apo drita e ekranit të telefonit tuaj mund të shkaktojë interference në sistemin audio dhe të ndriçimit të shfaqjes. Gjithashtu miqtë e tjerë, që kanë ardhur të ndekin shfaqjen do të shqetësoheshin nga drita e ekranit apo dridhjet e telefonit tuaj.

 

  • Sa të gjata janë shfaqjet tuaja zakonisht?
    Kjo varet nga kategoritë e shfaqjes. Një shfaqje operistike mund të zgjasë 2 orë e 45 minuta. Koncertet në maksimumin e tyre zgjasin 1 orë e 30 min.

 

  • Ku mund të blej një program të shfaqjes?
    Ju mund ta blini atë në momentin e blerjes së biletës tuaj dhe të informoheni nga zonja e shërbimit në lidhje me produktet ndihmëse për informacionin e plotë të shfaqjes.

 

  • A ka një ulje çmimi të biletës për femijët?
    Biletat e shfaqjeve tona kushtonë 1000 lekë për të gjitha kategoritë.

 

  • A mund ti marr fëmijët me vete në shfaqje?
    Patjetër nëse ju më parë keni blerë një biletë dhe për të. Do t’ju luteshim që të merrnit me vete fëmijët mbi 7-të vjeç pasi në moshë më të vogël nuk do të mund ti shijojnë shfaqjet TKOB.