“Il Maestro di Cappella” u shfaq për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, në kuadër të projektit “Edukimi përmes Artit”. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e prezantoi në ditët e muajit mars veprën “Il Maestro di Cappella”. Një vepër kjo e përzgjedhur për formën dhe fabulën atraktive të saj, për t’u kuptuar dhe përthithur lehtësisht nga fëmijët, të cilët do të jenë publiku i së ardhmes. Bazuar në paktin që Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka me Universitetin e Arteve për angazhimin e talenteve të reja, studenti Artur Vera u ngjit në skenë me Orkestrën e TKOB pas javësh përgatitjeje me dirigjentin e korit Dritan Lumshi dhe artistët e orkestrës. “Il Maestro di Cappella” u shfaq për nxënësit në datat 12, 15 dhe 16 mars. Kjo vepër u shfaq si pjese e dy projekteve, që TKOB ka me Universitetin e Arteve dhe “Edukimit përmes Artit”. Vepra “Il maestro di Cappella” është një intermezzo operative në një akt nga kompozitori Domenico Cimarosa. Performanca e parë e njohur e veprës ishte më 2 korrik të vitit 1793 në Berlin, Gjermani. Domenico Cimarosa ishte një kompozitor italian i shkollës napolitane dhe të periudhës klasike. Ai shkroi më shumë se tetëdhjetë opera, më i njohuri nga të cilët është “Il matrimonio sekreto”, por shumica e operave të tij janë komedi. Ai gjithashtu shkroi vepra instrumentale dhe muzikë në kishë. Më parë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shkruante mes të tjerave se java që lamë pas ishte rekord shfaqjesh dhe prodhimesh. “Në 5 ditë realizuam 2 produksione skenike, 3 shfaqje dedikuar “Edukimit përmes kulturës””, shprehej Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për aktivitetin artistik, që po vazhdon gjatë kësaj kohe, ku shfaqjet janë dhe online në rrjete sociale për publikun. Projekti i iniciuar nga Ministria e Kulturës “Edukimi përmes Artit” është pohuar dhe më parë se është prioritet i të gjithë trupave përbërëse të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke i transmetuar brezave të rinj vlerat e artit dhe kulturës. Ky projekt që po zhvillohet me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ( TKOB) dhe nxënës të shkollave ka sjellë dhe më parë vepra të artistëve të ndryshëm.

https://sot.com.al/kultura/tkob-me-il-maestro-di-cappella-per-nxenesit-e-shkollave-i431069