Shfaqje operistike dhe koncerte të ndryshme janë pjesë e programit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit, që po rishfaqen në led wallin e vendosur në fasadën e jashtme të institucionit. Nga sheshi edhe publiku mund të shikojë produksione artistike me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Në një kohë pandemie kur aktiviteti është ndërprerë në skenat e institucioneve kulturore, TOB ka vijuar dhe me rishfaqje të veprave dhe koncerteve të ndryshme, që janë vënë në skenë gjatë viteve të fundit. Ndër operat që janë pjesë e këtij programi përmendim “La Boheme”, “Karmen” apo dhe opereta “Lakuriqi i natës”. Vepra që janë vënë në skenë nga regjisorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, si dhe janë interpretuar nga artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Sopranoja e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit Eva Golemi është një zë i vlerësuar me interpretimet e saj në veprat operistike. Kur dhe ditët e para të janarit të vitit 2021 publiku pati mundësinë të ndiqte vepra operistike dhe nga sheshi “Skënderbej” jashtë, sopranoja Eva Golemi thotë se kjo gjë shërben për të qenë sa më pranë tij këtë kohë të vështirë pandemie, kur aktivitetet artistike në skena janë ndërprerë. “Për mua shërben shumë deri në një hapje të shpejtë të operës për publikun. Muzika është nevojë e shpirtit”, thotë sopranoja e njohur në një reagim të saj këto ditë të para të këtij viti që ka nisur. Në produksionet që po rishfaq TOB gjatë këtyre ditëve sopranoja e njohur Eva Golemi ka qenë me role të ndryshme dhe shprehet se janë vepra, që janë mirëpritur më parë. Në operën “Karmen” kur erdhi në skenën, sopranoja Eva Golemi interpretoi Mikaelën dhe tek opereta “Lakuriqi i natës” luajti Rosalindën. Sa i takon veprës operistike “La Boheme” me regji nga Ada Gurra, sopranoja interpretoi Bohemën.

Veprat operistike

Teatri i Operës dhe Baletit premierën e operës “La Boheme” të kompozitorit Giacomo Puccini dhe libret të Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica e solli me regji nga Ada Gurra, në Pallatin e Kongreseve. Ky ishte produksioni i parë operistik për sezonin janar-qershor 2019, i cili shënon kulmin e angazhimit të krijuesve dhe artistëve të rinj në një produksion operistik, të cilët bëhen bashkë me solistët e TOB dhe këngëtarët e ftuar. Opera “Karmen” erdhi në skenën e Pallatit të Kongreseve në janar të 2018, me regji nga Gëzim Myshketa. Një nga artistët e njohur shqiptar në skenat e huaja dhe ato shqiptare u rikthye këtë herë në Tiranë për një tjetër projekt, në skenë solli veprën e famshme të Georges Bizet bazuar në libretin e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy. Tema e operës bazohet në nevojën absolute të Carmen për liri dhe insistimin e saj në marrëdhënie të bazuar në pavarësi të plotë. Tregimi i Carmen dhe Don Jose, përfundon me një vrasje tragjike. Vepra përmes skenave komike prezanton të gjitha emocionet dhe tiparet e gjendjes njerëzore mendjelehtësinë, marrëzinë, joshjen, mizorinë dhe fatin. Muzika e operës është e mbushur me melodi që të mbetet në mendje dhe është e dominuar nga vallet dhe ritmet spanjolle. Opereta “Lakuriqi i natës”, një nga kryeveprat e Johann Straus erdhi në skenën tonë me regji nga Renato Zanella në mars të 2018. Opereta “Lakuriqi i natës” është historia e Eisenstein. Në festën e vitit të ri ai duhet të ishte në burg, pasi goditi një oficer policie. Atë mbrëmje pasi e gënjeu bashkëshorten, Rosalindën, shkon në ballon me maska të princit bujar Orlofsky. Ajo e di këtë dhe e ndjek, duke u prezantuar në festë si një konteshë hungareze. Pas identiteteve të rreme, Eisenstein përpiqet të joshë konteshën, pa e ditur që pas maskës është bashkëshortja e tij.

https://sot.com.al/kultura/shfaqjet-operistike-te-tob-ndiqen-edhe-nga-sheshi-sopranoja-eva-golemi-m?fbclid=IwAR05b-PTXaIqp34nkg3HZYzg22KDn7CdfsivT-BTtm_IQCkY3PMPFOict4U#.X_Qf1E5WLy8.facebook