Është përcjellë për në banesën e fundit artisti i njohur Avni Mula.  Homazhet në nderim të këngëtarit lirik, që u shua në moshën 92-vjeçare u mbajtën në hollin e Universitetit të Arteve. Artistët vlerësojnë kontributin që Avni Mula ka lënë për brezat që do të vijnë, në të gjitha gjinitë e muzikës

Artistit që i dha shpirtin muzikës shqiptare, njeriut të palodhur i cili u shua në moshën 92-vjeçare Avni Mulës, iu dha lamtumira e fundit në hollin e Universitetit të Arteve. Miqtë, ish-studentët, kolegët e një jete, politikanët e majtë, por edhe të djathtë,  familjarët, nipër e mbesa, e veçmas dy vajzat e tij artiste, Adelina dhe Inva Mula nderuan në këto homazhe artistin e fundit të brezit të themeluesve të institucioneve muzikore, këngëtarin që ngjiti në skenë ariet më të bukura botërore, por edhe kompozitorin që ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke i lëvruar të gjitha gjinitë e muzikës.

“Janë më shumë se 60 vite, që Avniun e bëra ikonën time. Më gjeti pjesëtarë të korit të operës, edhe pashë tek ai njeriun e kompletuar nga të gjitha anët; një baba shembullor, bashkëshort i devotshëm, për rritjen e dy vajzave, që bënte shumë për shoqërinë’, shprehet baritoni Minella Kriqi.

 “E kam pasur mësues, prind, shok edhe koleg tërë jetës sime. Është shumë e vështirë që të gjej fjalët e duhura, por unë do ta përkufizoja me një shprehje; “U shembë edhe një shkëmb nga mali”. Avni Mula është i papërsëritshëm, i ka kënduar shpirti edhe na ka lënë një pasuri kombëtare. Sot duhet të ishte zi kombëtare, por zakonet janë sipas vendit. Një artist edhe këngëtar i paarritshëm, por edhe një kompozitor që na ka lënë këngë që do t’i këndojmë ndër shekuj”, kompozitor Robert Radoja.

“Avni Mula është një figurë e madhe e artit operistik, interpret i madh i muzikës operistike, jo thjesht si artist, por edhe krijues. Ka merita të mëdha në gjallërimin e këngëve shqiptare, që e bëjnë atë artistin më popullor të kultivuar në gjininë e tij. Opera “Borana” dhe “Karnavalet e Korçës”, këngë koncertore, si Agimet shqiptare, një romancë sa brilante aq edhe e frymëzuar, apo edhe “Valsi i lumturisë” ka mbushur tavolinat shqiptare në përjetësi”, shprehet dirigjenti Zhani Ciko.

Avni Mula ishte një artist model dhe për brezat pasardhës.

“Avni Mula nuk ishte një njeri i thjeshtë, por ishte i fundit i brezit të themeluesve të institucioneve muzikore të Shqipërisë. U rendit në këtë plejadë artistësh të shquar, si Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Dajin, Albert Paparisto, së bashku me këta njerëz të mëdhenj, që janë themelues të institucioneve tona muzikore, nga ansambli i ushtrisë, TKOB edhe Ansamblin Kombëtar të Këngëve edhe Valleve Popullore. Që gjatë viteve të studimit në Moskë u rendit në nivel ndërkombëtar, në Balshoi Theater u njoh dhe me bashkëshorten e tij. S’ka rol të operistikës botërore që se ka interpretuar Avni Mula. Kjo është një shenjë  kalibri botëror. Ajo që e bëri më shumë popullor, ishte se ai këndonte operën, këngën popullore në disa gjuhë. Edhe kurora e krijimtarisë së tij ishte që ai u shfaq si krijues, pa mohuar muzikën e filmit dhe muzikën operistike, që kam bindjen se do të vazhdojnë që të shfaqen”, shprehet muzikologu Vasil Tole.

“Është një nga themeluesit e muzikës skenike, por ka edhe një kontribut në krijimtarinë e muzikës vokale; kënga, kantata, opereta dhe opera. Do jetë i përjetshëm kujtimi i tij, edhe do të jetë e përjashtme dashuria që Avni Mula na ka lënë ne”, shprehet Zana Çela, drejtoreshë e TKOB-së.

Nën melodinë e Valsit të Lumturisë edhe Marshit të lamtumirës të luajtur nga banda e bashkisë së Tiranës, vajza e tij, sopranoja Inva Mula, shpreh mirënjohjen e saj, për të gjithë ata që e nderuan në këto homazhe.

“Uroj që të keni vetëm gëzime në familjen tuaj. Ju jam mirënjohëse që na i bëtë këtë dhimbje më të lehtë. Këtë vend mitik, që nisi si opera ne e zgjodhëm se këtu nisi opera shqiptare, kjo është fabrika e artistëve shqiptarë. Rroftë arti, rroftë Avni Mula dhe rroftë populli shqiptar”, përfundon Inva Mula.

Artisti Avni Mula u lind në Gjakovë dhe u rrit në Shkodër. Pas studimeve në konservatorin “Çajkovski”, si këngëtar lirik u njoh me dashurinë e jetës së tij, artistin e njohur Nina Mula, pranë së cilës do të prehet përjetësisht. Është vlerësuar me titujt “Artist i popullit” dhe  Urdhrin “Nderi i Kombit”.

 https://shqiptarja.com/lajm/homazhetlamtumire-kolosit-te-muzikes-artistet-avni-mula-themeluesi-i-fundit-i-institucioneve-tona-muzikore?r=kh11