Artisti Besim Zekthi humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në shtëpinë e tij në Tiranë.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tij e ka njoftuar Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor përmes një mesazhi ngushëllimi.

Mesazhi:

“LAMTUMIRË BESIM ZEKTHI – “NDERI I KOMBIT”

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, “Nderi i Kombit” – Besim Zekthi.

Artisti u shua në moshën 84 vjeçare, në shtëpinë e tij në Tiranë, rreth një orë më parë.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij mjeshtrin e valles shqiptare, të pazëvendsueshmin, Besim Zekthi”.

Artisti Besim Zekthi gjatë krijimtarisë së tij ka dhënë kontribut, si kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, por ka shkëlqyer edhe si solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ajo që do të mbahet  mend gjatë nga brezat e ardhshëm është  “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria”, ku për këtë të fundit është vlerësuar me “Gjerdanin e Artë” të vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në 1970-n.

Për kontributin e tij ta vyer në kulturën shqiptare mban titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”./abcnews.al

https://abcnews.al/ndahet-nga-jeta-besim-zekthi-mjeshtri-i-valles-popullore/