Pas 4 muajsh në karantinë artistët i janë kthyer koncerteve live përballë publikut. Soprano Dorina Selimaj ishte e para që performoi live në Ditën Botërore të Muzikës, teksa rrëfen për “Report Tv” se kishte shumë emocione. Ajo gjithashtu ndan përjetimin e saj për skenën e rikonstruktuar të Teatrit të Operas dhe Baletit.

 Prej 20 vitesh sopranoja Dorina Selimaj ka performuar live në koncerte recitale dhe opera. Si rrallëherë për shkak të COVID 19, artistja për katër muaj përjetoi mungesën e interpretimit në skenë edhe të duartrokitjeve të publikut.

 “Kanë kaluar shumë shpejt këto katër muaj. Më ka munguar shumë publiku. Jam përpjekur që të mbaj veten në formë, duke kënduar në shtëpi, edhe pse ne kemi qenë ta angazhuar në Operën me pizhame, por shpresojmë që t’i rikthehemi normalitetit”, shprehet Selimaj.

Megjithatë, sopranoja ishte e para, që në Ditën Botërore të Muzikës përjetoi emocione të mëdha, ajo solli arie nga repertori botëror, duke performuar në sheshin “Skënderbej”.

“Jam ndierë e privilegjuar, kur më telefonuan nga drejtoria artistike, kur më thanë:Do të vish të këndosh, isha me të vërtet e lumtur, si një fëmijë i lumtur”.

Teksa na rrëfen vështirësitë e punës në shtëpi, plot entuziazëm na tregon edhe për skenën edhe studiot e rikonstruktuara të operës, që së shpejti inaugurohen.

 “Kur patëm koncertin pata fatin të bëja vokaliza në skenë edhe kjo gjë më lumturon pamasë”.

Prioritete e saj tanimë, edhe pse e ka të vështirë që t’i ndajë rolet nga njëri-tjetri, pas një karriere të gjatë përtej roleve të karakterit janë edhe rolet protagonistë. “Prioritete janë rolet protagoniste, që janë dhe më të forta për sopranot”, përfundon Selimaj.

Sopranoja Dorina Selimaj është angazhuar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit prej 20 vitesh.