“Pop Stars to Opera Stars” është një nga shfaqjet e Teatrit të Operës dhe Baletit, që bëri bashkë artistët e muzikës dhe yjet e operës. Nga Puçini tek “Metallica” Teatri i Operës dhe Baletit sjell për publikun grand galanë “Pop Stars to Opera Stars”. Një shfaqje, e cila më parë në skenë ka qenë e mirëpritur nga publiku dhe TOB e risjell për dy mbrëmje. TOB shprehet se në 2017 pati një rekord shikueshmërie dhe përmban një program të pasur muzikor. “Artistët e famshëm të muzikës pop u bënë bashkë me yjet e operës dhe baletit shqiptar, në një repertor me pjesët më të famshme të operetave botërore, pjesëve më të gëzueshme të baletit dhe këngëve klasike”, bën me dije Teatri i Operës dhe Baletit. Muzika, ndriçimi i skenës, kostumet plot ngjyra, gjuha e trupit në harmoni me gjithçka, ofrojnë tablonë e formatit të suksesshëm në TOB, “Pop Stars to Opera Stars” erdhi e ideuar dhe regji skenike nga drejtoresha e përgjithshme znj. Zana Çela. Një kombinim i zërave pop me ato lirikë vjen të premten e të shtunën, datë 12 dhe 13 qershor, ora 20.30, në kanalin e Youtube të TOB dhe livestream në profilin e teatrit në Facebook. Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit në këtë shfaqje u drejtua nga dirigjenti spanjoll Ricardo Casero dhe koreografia mban emrin e Enada Hoxhës dhe Gerd Vasos. Bashkë me artistët Etleva Golemin, Armando Likaj, Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri, Ramona Tullumanin, Denis Skurën, etj, interpretuan edhe këngëtarët e ftuar si Juliana Pasha, Kamela Islamaj, Renis Gjoka, etj. Kur grand gala u shfaq në skenën e Pallatit të Kongreseve përcolli një program të pasur muzikor. Për solisten Ledia Sulaj kjo mbrëmje erdhi si një magji, si një ndërthurje e bukur midis brezash, stilesh, emocioni dhe dashurie që të falte vetë atmosfera e saj. “Ndihem e lumtur që performova me dy numra koreografik. Njëra nga baleti “Liqeni i mjellmave” nën petkun e Odet dhe tjetra me Valsin e Luleve tek baleti “Arrëthyesi”, tregon solistja e njohur Ledia Sulaj.

Yjet në skenë

“Yjet e popit përballë yjeve të operës” në skenë, por për dirigjentin Ricardo Casero ajo nuk erdhi si një shpikje, pasi koncerte të tilla zhvillohen në vende të ndryshme të botës. “Sigurisht nuk është një shpikje e jona, pasi koncerte të tilla po zhvillohen vitet e fundit në vende të tjera dhe po funksionojnë shumë mirë, për shembull në Spanjë nga vij unë”, u shprehu në media kur shfajqa erdhi në skenë dirigjenti Ricardo Casero. Teatri i Operës dhe Baletit ashtu si dhe të tjerë institucione për shkak të gjendjes në vend me koronavirusin pezulloi aktivitetin artistik për publikun në skenë. Por tashmë institucioni po vijon me programin artistik në një sezon online, ku për mbrëmje të ndryshme muzikore artistët kanë zhvilluar provat edhe në shtëpitë e tyre për të përcjellë programin artistik. “Opera me pizhama” është kalendari online i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, i cili sipas institucionit u krijua në gjendjen e izolimit si pasojë e pandemisë botërore të shkaktuar nga Covid – 19. “Në këto kushte, duke dashur të mos i mungojmë asnjë moment publikun fanatik të operas, u krijua ky kalendar online, i cili do të përfshijë opera, balet, koncerte dhe performanca soul të gjitha trupave të TKOBAP, të gjitha mund ti ndiqni në komoditet të plotë nga shtëpia”, komunikon institucioni. Pas kësaj shfaqje programi artistik do të vijojë me të tjera vepra.

 

https://sot.com.al/kultura/shfaqja-pop-stars-to-opera-stars-me-artistet-e-operes-baletit-dhe-e-muzi