Krijimtaria muzikore shqiptare dhe e huaj ishin zgjedhja e radhës e programit artistik nga artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Në vijim të këtij sezoni artistik, që po zhvillohet ndryshe nga më parë, artistët e TOB po prezantohen me një krijimtari të pasur për publikun, që i ndjek nga shtëpitë. Artistët e TOB po improvizojnë nga shtëpia, ku materialet muzikore shfaqen për publikun gjatë mbrëmjeve. “Opera me pizhama” prezantoi së fundmi një grupim të ri iniciativash të disa prej solistëve dhe instrumentistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit, me një tjetër performancë. Solistë e vokalit dhe orkestrës së TOB erdhën këtë herë me një program të veçantë. Prej perëndimit të diellit të Leonard Dedës e Zef Lekajt, te këngët e rinisë së Agim Krajkës e Zhuljana Jorganxhisë; nga vitet 1900 me “Intermezzo”-n e Manuel Ponce, tek xhazi i viteve ‘30 me “Dream a little dream of me” (më shumë se 60 versione në të gjithë botën) apo tek paso doble e operës me tre akte “El gato montes” (Macja e egër). “Performanca soul” këtë herë erdhi me interpretimin e artistëve Vikena Kamenica, Ilir Kodhima, Ingrid Pulizo, Xhino Daja, Xhieldo Hyseni, Elton Katroshi, Enalda Gjoni, Erik Tauzi, Sidrit Carciu dhe Xhieldo Hyseni. Performanca u prezantua për publikun në kanalin e institucionit në Youtube dhe livestream në Facebook. Aktiviteti artistik në skenat tona është ndërprerë për shkak të pandemisë globale, ndërsa artistët në institucionet tona po vijojnë të jenë gjatë mbrëmjeve me performacat e tyre, që përgatiten në shtëpi. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se kjo periudhë izolimi ka nxitur artistët që të interpretojnë në një mënyrë ndryshe nga skena. “Izolimi në shtëpi dhe iniciativat artistike nga shtëpia, kanë nxitur instrumentistët të gjejnë, krijojnë dhe interpretojnë në mënyrë të veçantë dhe alternative, ndryshe nga skena e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku publiku është mësuar gjithmonë t’i identifikojë me muzikën klasike”, bën me dije institucioni.

Një kalendar, në kushtet e pandemisë

“Opera me pizhama, një ide e këtij sezoni artistik prej disa javësh po vazhdon në Teatrin e Operës dhe Baletit. Artistët janë bërë bashkë me koncerte, balet, opera dhe performanca soul, ku gjatë mbrëmje programi artistik online prezantohet për publikun. Institucioni më herët bëri me dije se “Opera me pizhama” është kalendari online i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, i cili u krijua në gjendjen e izolimit si pasojë e pandemisë botërore të shkaktuar nga Covid – 19. “Në këto kushte, duke dashur të mos i mungojmë asnjë moment publikun fanatik të operas, u krijua ky kalendar online, i cili do të përfshijë opera, balet, koncerte dhe performanca soul të gjitha trupave të TKOBAP, të gjitha mund ti ndiqni në komoditet të plotë nga shtëpia”, komunikon institucioni. Në vijim të këtij programi nuk kanë munguar dhe produksionet e plota të operave, që janë dhënë më parë në skenë, ku janë rishfaqur online për publikun. Së fundmi ishte opera “Il Trovatore”, një nga produksionet e suksesshme të Teatrit të Operës dhe Baletit një vit më parë në skenën e Pallatit të Kongreseve që u shfaq në kanalin Youtube të institucionit, si dhe në faqen e tij në Facebook. Disa ditë më parë artistet e Teatrit të Operës dhe Baletit u bënë bashkë me një kauzë, që në mbarë botën po vazhdon të ngrejë mijëra zëra. Performanca e shpirtit kundër dhunës ndaj gruas këtë herë erdhi nga tetë artiste të trupës së baletit të TOB.

https://sot.com.al/kultura/solistet-e-vokalit-dhe-orkestres-se-teatrit-te-operes-dhe-baletit-me-kri